“Shokë dhe ëngjëj”/Kumbaro nënshkruan marrëveshjen kulturore me Presidentin e Rajonit të Pulias

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka nënshkruar në Bari marrëveshjen kulturore dhe ekonomike për realizimin e projektit artistik “Shokë dhe ëngjëj”,  me Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.  Projekti, synon ndërtimin e Parkut të Artit në kopshtin e ish-Kinostudios për të krijuar kështu një pol të ri artistik në të ashtuquajturën periferi e Tiranës.

Turi dhe Tirana janë dy qytetet nga Pulia dhe Shqipëria, që përmes fillit të filozofisë së Antonio Gramshit, mendimtari italian me origjinë shqiptare, jo vetëm krijojnë fabulën e Parkut të Artit “Shokë dhe Engjëj”, duke rindërtuar qelinë e burgimit ku Gramshi shkroi Fletoret e famshme, por me ndërthurjen e instalacioneve të statujave të realizmit socialist të Galerisë Kombëtare të Arteve, ky projekt sjell një provokim të debatit të nevojshëm dhe ende të munguar mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste.

“Këto statuja, – tha Kumbaro, përdorimi i të cilave ka një valencë të fortë simbolike, që janë mbuluar e zbuluar, ulur e ngritur, admiruar e përçmuar, do duhet të gjejnë një vend të lexueshëm e të hapur ndaj debatit e reflektimit, edhe për të përfaqësuar një pikë ndalese në atë që e kemi quajtur Rrugët e Kujtesës.

E di mirë, – vijoi Kumbaro, që puna me këto vepra do të provokojë debate mbi tema delikate, por, me kurajo, janë tema të cilat duhet t’i përballim vazhdimisht, të paktën brezi im që kaloi gjysmën e jetës në diktaturë e ka detyrimin t’i hapë e t’i përballë”.

Ky projekt, bashkë me ofiçinën e artit, që synon restaurimin e makinave të vjetra të rekuizitës së Kinostudios dhe aktivizimin e artistëve të rinj, do të përtërijë edhe pëlhurën urbane të kryeqytetit duke krijuar një qendër te re arti, shoqërizimi e debati por edhe atraksioni kulturor e turistik.

Kultura nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm prodhim e konsum i “qendrave” urbane, por një motor që e kthen “periferinë” në qendër dhe emancipon kështu Qytetin.

Projekti është bashkëfinancim i Ministrisë së Kulturës dhe Rajonit të Pulias.

Po kështu, Ministrja Mirela Kumbaro dhe Presidenti Michele Emiliano dakordësuan edhe bashkëpunimin me Teatrin e Operas dhe Baletit që këtë vit do të shtrijë kalendarin e turneve edhe në teatrot e Rajonit të Pulias.

Nënshkrimi I kësaj marrëveshjeje vjen në vijim të bashkëpunimit të qëndrueshëm kulturor Shqipëri-Pulia, pas përmbylljes me sukses të projekteve ArtVision dhe Bienalja e Krijuesve të Rinj të Mesdheut Mediterranea18.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *