Shkruar në tramvaj, në këtë ditë të dielltë…

U bëra erë dhe shkova

Nga Luan Rama 

U thirra të gjitha erërave,
shirokut, zefirit, akuilonit, tramontanës
dhe me shallet e tyre të pështolla,
të mora me vete përndjekur nga Eumenidet
në një dehje të pafund,
rrugëve të dashurisë mbushur me jasminë,
të çova në sheshet e prehjes,
në honet e thella të dëshirës
ku humbet dhe shuhet kujtesa,
në lëndinat e blerta të përgjumjes,
pa pyetur se ç’ishte kjo erë e ngrohtë
që më dogji ijet dhe buzët,
kjo rendje në kufijtë e fundit të rruzullit,
vallë një ëndërr për të shijuar botën e ndaluar,
për të kafshuar mollët e Eden-it,
shegët dhe frutat e Abrahamit,
për të shijuar aromën e lëngut të bardhë
të athët,
mushtin e lindjes,
në pritje të klithmës të një pinjolli?
Ç’të jetë vallë?…
U bëra erë dhe shkova
si në një fletë “purpureus”,
duke lënë pas mirazhe të brishta
lulëkuqe të këputura në ajër që vallëzonin
dehur në një det jasminësh e puthjesh,
pa ditur nëse një ditë do të kthehesha apo jo…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *