Shkrimtarja gjermane: Në Shqipëri kam parë fëmijë që luajnë me plehra e gra të veshura me marka

Dikush shkruan për fëmijët që luajnë me plehra e gra të veshura me rroba markash (Karen Kohler), dikush shkruan për 750.000 bunkerët dhe mikun e saj me mbiemër ilir (Daša Drdic), një tjetër shkruan për nëntorin e Gustav Floberit, hidhërimin e Tiranës, dhembjen e shkrimtarit dhe Dajtin (Jovan Nikolaidis); ndërsa Nikola Madzidov shkruan për autobusët e mesnatës nga Shkupi për Tiranë dhe ‘vallëzimin’ rreth teqesë si vetë dervishët; në fund, Jasmina Topic tregon Tiranën e qendrës, që më një anë ruan ndikimet e spikatura të arkitekturës italiane dhe greke, në anën tjetër, mbetjet e periudhës osmane. Secili, ka gjetur një kënd për tu ulur, prej ku kundron Shqipërinë e vogël përmbledhur në kaq pak Tiranë. Të gjithë, kanë qëndruar një muaj në Shqipëri dhe kanë lënë në dorëshkrim “Shqipërinë si iu duk”.

Ata kanë qenë miq në Rezidencën e Shkrimtarit dhe përkthyesit letrar “Tirana in Between” që organizohet nga POETEKA, me mbështetjen e rrjetit letrar TRADUKI, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. 18 shkrimtarët në Rezidencën e Tiranës e njohën Shqipërinë duke jetuar për një muaj në kryeqytet dhe prej “letrave” të tyre kemi shkëputur disa. Projekti i Poeteka-s me kartolinat letrare “From Tirana With Love” bën bashkë shkrimtarët, letërsinë që ata shkruan dhe që u përkthye në Tiranë si dhe vendet e tyre më të dashura të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjerë që ata vizituan. Copëza trashëgimie kulturore, kujtime, punë krijuese dhe miqësi nga Ballkani dhe Evropa. Shkrimtarët në Rezidencën “Tirana in Between, i përdorën kartolinat me imazhet e tyre dhe të viseve shqiptare në vend të kartëvizitave.

Ndërkohë, kur shkojnë, i marrin ato me vete, shpërndarë kudo copëza Shqipërie… Në Bashkëpunim me “Poetekën”, “Gazeta Shqiptare” boton sot ‘lordbajronët’ e ditëve tona, në përshkrime pa dorashka të një vizitori që në 30 ditë, kanë ‘biseduar me një plakë pa dhëmbë’, që kanë blerë djathë dhe perime në treg, që kanë qeshur e kanë qarë, që kanë parë artin e kulturën, shtëpi të pasurish- të siguruara mirë dhe shtëpi të zakonshme, një Shqipëri lakuriqe ‘të zezë e të ndritshme’- si një nënë të rrudhur e të mpakur, po prapë nënë.

Karen Köhler
– Gjermani
“Unë jam një alien”-Mbërrita në Shqipëri me shumë kureshtje, duke mos ditur shumë për këtë vend, për njerëzit dhe kulturën e tij. Mbase do të thoni se erdha e papërgatitur. Veçse: Erdha pa pikë droje dhe me zemër të hapur. Doja ta përjetoja vetë gjithçka që ishte thënë për këtë vend.

Gjatë javëve në Shqipërinë e bukur, bisedova me një plakë pa dhëmbë, bisedova me duar e këmbë me fëmijë, bleva djathë dhe perime në treg, mu duk vetja jo e zgjuar, ngaqë njohuritë e mia gjuhësore ishin aq të pakta. I puthja miqtë në faqe. Kam qeshur e kam qarë. Kam parë gra të reja me gjoks fals, veshur me marka perëndimore. Pashë një grua të moshuar mbi gomar. Kam parë njerëz që jetonin mbi një grumbull mbeturinash, derra që hanin sende plastike, fëmijë që luanin me plehra. Kam parë njerëz aq të varfër sa për një çast mbajta frymën dhe mu duk vetja e pafuqishme, me gjithë dëshirën për ta përmirësuar gjendjen e tyre. Pashë shtëpi gjysmë të ndërtuara dhe mbeturina kudo. Në oborrin e apartamentit tim. Në rrugë, në fusha dhe në det. Vështroja vajza të reja duke dalë shëtitje majë takave të larta, aq sa mezi ecnin, teksa bënin një selfie pranë një limuzine.

Pashë një komb që festonte ndeshjen e futbollit, sikur lojtarët të ishin Zoti. Ndjeva pasiguri nën këtë krenari. Pashë një qytetërim modern, i gatshëm të zhvillohej. Pashë art të vërtetë. Njoha personalitete të vërteta. Dallova humanizmin dhe mikpritjen, ngrohtësinë dhe miqësinë. Pashë njerëz me zemër të madhe dhe njerëz që luftonin për pasuri e luks. Pashë shtëpi të pasurish, të siguruara mirë dhe shtëpi të zakonshme. Vizitova një muze, i cili duhet të kishte qenë burg në kohën e Hoxhës, ku ishin vrarë e torturuar njerëz. U ndala në një vend, që dikur kishte qenë qeli dhe u ndjeva si e flakur tej. Pashë një peizazh të egër e të bukur. Toka e thellësive. Pashë një burrë pa këmbë, teksa përshkonte rrugën. Një fëmijë pa këpucë, që lypte para dhe ushqim. Pashë një sistem përfund një sistemi tjetër. Bisedova me njerëz të cilët, për këtë arsye, donin ta linin vendin e tyre. Nuk shihnin asnjë mundësi, asnjë të ardhme këtu, por në Gjermani; sytë e tyre shkëlqenin; Gjermania është vendi i shpresës, thonin ata…(Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *