“Nuk gjej dot qetësi, nuk di sa do të vazhdojë kjo gjendje; parapëlqej qendrën e Athinës sepse ndjehem më i lirë. Nuk dua të ndodhem pranë shtëpisë, në sheshin Qëndresa Kombëtare – është plot me shqiptarë. Po të kisha një shtëpi timen do ta shisja me siguri. Tekefundit kjo është politika e shqiptarëve, të na detyrojnë të ikim nga shtëpitë tona. Është komplot i organizuar. Duan që brenda dy vjetësh të fitojnë aq sa kanë fituar grekët në tridhjetë vjet. Kështu është mësuar komisari, shoferi i Ramiz Alisë, të bëhet me benz brenda njëzet e katër orësh, dhe pandeh se këtë mund ta arrijë edhe në Greqi. Por duhet të mbahemi fort”.
Kjo pjesë është shkëputur nga romani I ri botuar nga “Pegi”, “Dëshmitar kam Zotin”, i shkrimtarit grek Makis Citas përkthyer në shqip nga Romeo Çollaku. Personazhi kryesor i këtij romani, Krisovalandi e mendon veten pre të punëdhënësve të ligj, femrave të pacipa dhe mizorisë së vetë familjes së tij. Ai është një mizogjin që adhuron femrat, një krijesë e ndrojtur që i ka zët të huajt, një çunak i llastuar që kërkon të bëhet burrë dhe një hero tragjik me humor.
Mentaliteti i tij i ndrydhur e paragjykues bëhet pasqyra e deformuar dhe deformuese e një shoqërie të egër dhe cinike që, me gjithë tolerancën dhe pasurinë sipërfaqësore, po mbytet në dekadencë, intolerancë dhe racizëm. Emigrantët shqiptarë në Greqi janë një ndër strumbullarët kryesorë të ksenofobisë të pandërgjegjshme të Krisovalandit; zëri i tij hedh një dritë të zbehtë mbi pasigurinë dhe frikën që ka pështjelluar një pjesë të kombit fqinj, por edhe të kombeve të tjera. “Botimet A, sikundër bënte shaka një koleg, do të thotë Botimet Albanian. Shumica e të punësuarve qenë shqiptarë. Domosdo, nuk ua mbante të pipëtinin. Banonin aty rrotull nëpër ca skuta. Pesë-gjashtë frymë në një dhomë, jepte nga dhjetë mijë secili për qiranë”, citojmë nga libri.