Erzen Shkololli do të jetë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili do të zëvendësojë në këtë post Artan Shabanin.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3 të nenit 9 tē ligjit nr. 10352, datë 18.11.2010 ” Për artin dhe kulturën” të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Kulturës, Kēshilli i Ministrave vendosi : Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Erzen Shkololli ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2015. Nën udhëheqjen e tij Galeria e Kosovës pësoi transformim të plotë duke u shndërruar në një urë përmes së cilës skena artistike e Kosovës, që deri vonë ishte e margjinalizuar dhe e izoluar nga komunikimi kreativ me skenat artistike evropiane dhe botërore, depërtoi fuqishëm përtej kufijve të Kosovës. Si drejtor i Galerisë, Shkololli avokoi suksesshëm për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke shërbyer njëkohësisht si komisioneri i parë i Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales.
Së fundmi, në rolin e këshilltarit të drejtorit artistik të Documenta 14 – ekspozitës më prestigjioze botërore të artit bashkëkohor – Shkololli siguroi pjesëmarrjen e parë historike të artistëve shqiptarë në këtë ngjarje. Gjithsej 17 artistë nga Kosova dhe Shqipëria ekspozuan veprat e tyre në edicionin e fundit të Documenta që u mbajt në Athinë dhe Kassel, duke dëshmuar kështu edhe përkushtimin e Shkolollit për të promovuar dhe përfshirë artistë dhe vlera të çdo gjenerate nga dy shtetet në mozaikun evropian dhe botëror të artit bashkëkohor.
Gjatë karrierës së tij, Shkololli ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë pozitën e drejtorit të Fondacionit Unë e du Kosovën, fondacion privat që inkurajon zhvillim shoqëror përmes teknologjisë dhe artit, si dhe pozita të larta menaxheriale në festivale të ndryshme që kanë pasuruar jetën artistike në Kosovë dhe kanë promovuar artistë të rinj.
Drejtori i sapoemëruar, Erzen Shkololli u shpreh se:
“Është nder i veçantë për mua që të pranoj emërimin nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për të udhëhequr Galerinë Kombëtare të Shqipërisë në këtë moment të veçantë për artin shqiptar kur Shqipëria dhe shqiptarët po e zënë vendin e tyre të pamohueshëm në Evropë dhe në botë.
Jam i përkushtuar që në skenën artistike t’i jap shtytje kësaj fryme, i bindur që arti shqiptar është pjesëza qe kompleton mozaikun e pasur të krijimtarisë evropiane dhe botërore.
Vizioni im për të ardhmen e Galerisë së Shqipërisë është ta shndërroj në qendër graviteti si për prurjet bashkëkohore në art ashtu edhe për talentin vendor që viteve të fundit ka qene përfaqësuesi më i mire dhe më i denjë i vlerave kombëtare.”
Suksese drejtorit të GKA në detyrën e re!
Foto: Majlinda Hoxha