Shkolla e Vashave në Korçë, si u ngrit kundër Patriarkanës së Stambollit

Një nga institucionet e para të mësimit fillor në qytetin e Korçës për të vënë në jetë programin arsimor të Rilindjes Kombëtare. Ajo u ngrit në kundërshtim me dëshirat e Patriarkanës së Stambollit, të qarqeve fetare e shoviniste dhe të autoriteteve osmane të pushtimit.

U drejtua dhe u administrua nga veprimtarë të shquar, si: Gjerasim, Sevasti e Parashqevi Qiriazi etj. Në planin mësimor të shkollës përfshiheshin tetëmbëdhjetë lëndë (shoqërore, shkencore e artistike), midis të cilave mësimi i lexim-shkrimit shqip, gramatika shqipe, historia e Shqipërisë etj. Më 1900-1901, me hapjen e konviktit pranë saj, u krijuan kushte për ta ndjekur edhe vajza të krahinave të tjera. Shkolla shërbeu si vatër e rëndësishme për edukimin e ndjenjës kombëtare te vajzat, për ngritjen e nivelit kulturor të gruas dhe rolit të saj edukues; ajo u dha arsim shumë kuadrove arsimore femra, që më vonë u vunëq në shërbim të arsimit kombëtar.

Sevasti (Dako) Qiriazi (1871-1949)
Parashqevi Qiriazi (1880-1970)

Të dy motrat ishin veprimtare të Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, Mësuese të Popullit. Të dyja motrat lindën në familjen e njohur të Qiriazëve në Manastir, ku kreu studimet e para. Të dyja ndoqën Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) të Stambollit, njëra (1888-1891) e tjetra (1900-1904), dhe pas studimeve u kthyen në Korçë. Motra e madhe (Sevastia), me ndihmën e të vëllait, hapi të parën shkollë kombëtare për vajza: “Shkollën Shqipe të Vashave”. Ndërsa Parashqevia shërbeu në këtë shkollë duke iu kushtuar mësuesisë. Motrat Qiriazi kanë marrë pjesë në kongrese të ndryshme, themeluan organizata apo parti në interes të të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në interes të gruas shqiptare. Pas kthimit nga amerika (1921), të dy motrat Qiriazi kanë dhënë kontributin e tyre në themelimin dhe drejtimin e Institutit Femëror në Tiranë e Kamzë.

shkolla vashave

shkolla  3

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *