Nga Alisa Velaj
Termi modernizëm mendohet se ka origjinën në shekullin e 17-të në mesjetë, ku zhvillohej një debat midis asaj që quhej “antike” dhe asaj që quhej “moderne” në Angli, apo midis klasikes e romantikes në Francë e Gjermani.
Prej atëherë ky term është përdorur në konotacione të ndryshmet dhe është trajtuar në këndvështrime befasuese. Poeti Jeronim de Rada është bir natyral i komunitetit të vogël arbëresh Maki të Kalabrisë, që kishte tradita, doke e zakone të ruajtura plot fanatizëm prej shekullit të 15-të. Njëkohësisht, ai ishte bir kulturor i Italisë në kohën e Rilindjes së dytë (1815-1871), kur një lëvizje politike e sociale do të konsolidonte shtete të ndryshme të gadishullit Apenin në një shtet të vetëm të Mbretërisë së Italisë.
Në studimet e deritanishme poema “Këngët e Milosaos”, vepra më e njohur e De Radës, është parë thjesht në një këndvështrim romantik, si në suazën e romantizmit shqiptar, ashtu edhe në atë të romantizmit europian. Krahas romantizmit, do të kërkojmë edhe shenja të modernizmit në poemën epiko-lirike, ose në këtë roman “dyfish lirik”, siç e cilëson vetë De Rada. Pranimi i romantizmit “nuk cenon aspak” zbulimin e shenjave të modernitetit nëpër tridhjetë këngët e kësaj poeme, sepse, siç shprehet nobelisti Oktavio Paz: “mes traditës dhe modernitetit ekziston një urë, kur ato janë reciprokisht të izoluara tradita amullon dhe moderniteti avullon; kur ato lidhen me njëra-tjetrën, moderniteti i jep jetë traditës, ndërsa kjo e fundit i përgjigjet me thellësi e rëndesë”.
Ndikimet letrare te De Rada
Poeti më madhor i Rilindjes sonë e boton për herë të parë veprën më 1835, ndërsa e risjell të përpunuar më vonë edhe në tri variante të tjera. Romantizmi italian ishte në këtë periudhë në kulmin e tij. Dy përfaqësuesit më të mëdhenj të këtij romantizmi, Giacomo Leopardi dhe Alessandro Manzoni, ishin njëri në fundin e krijimtarisë së tij (Leopardi shuhet në Recanti më 1937) dhe tjetri Manzoni në kulmin e krijimtarisë së tij letrare.
De Rada, krahas ndikimit prej folklorit e kulturës arbëreshe, ndikohet gjithashtu fuqishëm edhe nga krijimtaria letrare e këtyre dy poetëve të mëdhenj. Nëpër vargjet e poemës “Këngët e Milosaos” ndihet fryma kristiane, që vjen më tepër si një frymë e thellë humanizmi dhe aspak dogmatike, me ndryshim rrënjësor nga “kultura dhe morali i kohës që kishin mbetur të palëvizshëm përreth një morali katolik, pa mundur të ndante kulturën (sipas modelit të pjesës tjetër europiane) nga letërsia e katolicizmit, duke iu nënshtruar një trashëgimie dogmatike dhe e vendosur të refuzojë çdo lloj ndyshimi të bashkëkohësisë, çdo eksplorim në fusha të reja kërkimi, të misterit, të panjohshmes, inkonshit.
Kjo frymë kristiane nëpër vargje me këtë lloj ngjizjeje e afron së tepërmi De Radën me Manzonin.
Tek Alessandro Manzoni, “Dhurojua të tjerëve”:
“Dhurojua të tjerëve dritën që nuk ke,/forcën që nuk zotëron,/shpresën që ndjen të luhatet në ty,/besimin që të mungon./Ndriçoi nga errësira jote./Pasuroji me varfërinë tënde./Dhuro një buzëqeshje kur ke dëshirë të qash./Prodho harenë e stuhinë qe ke Brenda./“Ja, atë që s’kam ta dhuroj”./Kjo është parajsa jote…”
Në poemën e De Radës:
“Si ajo që iku/edhe rron përtej,/kështu rrojmë ne pas vdekjes.”( Kënga XIII)
“Si ai që një yll të qetë/sheh e zemrën ia ngroh,/yll që thotë: “Vështromni dritën,/bota nuk do të shkallmohet-,bardhëllore unë e pashë.”( Kënga XX)
“O! Gjer t’ikin këto ditë/e të hyj ndër yjet,/të të shquaj e përdorëz,/larg prej shpitrave të tjerë/më ne të mos ndahemi?”.( Kënga XXV)
Nga vargjet e mësipërme krishtërimi nuk ka kurrfarë lidhje me dogmën, ai vjen si humanizëm i thellë, dashuri e pafund dhe shpresë për njeriun e zhytur në errësirën e jetës dhe të fatit të tij. Përtëritja ose rilindja e çdo gjëje që mbaron njëherë e mandej shfaqet sërish është e pranishme që në tri vargjet e para të Këngës së parë të Milosaos (“Bota kish ndërruar lisa/uji i ri në det/kaltëronte/n’ditn e re”) dhe del herë pas herë në vazhdimin e këngëve, ku shumica e ngjarjeve ndodhin të dielën menatë, mbrëmjen e Shën Mërisë ose natën e Pashkëve.
Giacomo Leopardi është poeti i dytë, prej të cilit De Rada është ndikuar edhe më tepër, por jo në kuptimin e krishterë, pasi Leopardi vjen si një mohues i qiellit dhe një pesimist i pandreqshëm. Leopardi ishte një përjashtim i kohës së tij. Ai sjell një lloj poezie me një gjuhë të thukët, ku çdo varg ndihmon në procesin e krijimit të imazheve të zhveshura të pikëllimit, ose si do të shkruante një shekull më vonë Ezra Paundi në manifestin e tij në formë nenesh: “Shmangia e fjalëve që nuk ndihmojnë paraqitjen e imazhit”.
Imazhet moderne poetike
Krijimi i imazheve në poezi e bën Jeronim De Radën një modernist të vërtetë në letërsinë shqipe. Studiuesja Helena Grillo nënvizon praninë e narracionit lirik në poezinë e poetit arbëresh: “…Te Këngët e Milosaos përshkrimi poetik, ndonëse hëna e ylli marrin statusin e simbolit, vjen i ndryshëm në rrjedhën e ngadaltë të natës, si rezultat i aktit soditës dhe të lëvizjes kohore”.[5] Krijimi i imazheve dhe akti soditës justifikojnë kështu plotësisht fragmentarizimin e poemës në 30 këngë, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra- tjetrën, edhe pse personazhet janë të njëjta. Përshkrimi në këto këngë shndërrohet (krahas përshkrimeve romantike) jo rrallë herë në përshkrime simbolike. Ndaj dhe gjuha është tepër eliptike dhe poema vjen e fragmentarizuar, pasi ajo rrok si në poezinë simboliste dhe më pas në lirikën moderne, thelbet e dukurive, ngjarjeve e veprimeve.
Kjo shihet në “Këngët e Milosaos”:
“Luleja e çelur/një të hëne plot hare,/t’enjten, duke u bërë e bardhë,/ku ta dish a e sheh të dielën”. (Kënga VIII)
“se ti dole në katund/posi vera në tyryezë/e mbi dhe njeriu me fjalë”( Kënga XIX)
“vafsh si një yll që dritën/nuk e bjerr udhës së tij” Kënga XIII)
Poezia moderne ka zanafillën në letërsinë e vjetër greke e romake dhe në Bibël, psalme. Psalmet janë himne kushtuar Zotit dhe jo rrallë poezia e kësaj poeme ofron adhurime të Hyjnisë, edhe në çastet e humbjeve familjare (në vdekjen e djalit e të Rinës). Përveç këtij ndikimi poezia e De Radës ka edhe një lloj mahnitje ndaj botës apo jetës , sikurse quhet në gjuhën arbëreshe. Këto mahnitje janë ndikime të një romantizmi të pastër, por njëkohësisht edhe të poezisë antike greko-romake, ku njerëzimi në kohën e fëmijërisë shpreh një lloj mahnitje ndaj dukurive të pashpjeguara dot me logjikën e njeriut bashkëkohor. Mirëpo “kjo pataksje” në poemën “Këngët e Milosaos” e ka burimin në procesin e soditjes, një tjetër shenjë e modernizmit te ky poet, me rrënjë në klasiken greko- romake dhe në traditën arbëreshe. Kjo vërehet edhe në paralajmërimet e ëndrrave ose në pikturimin e peizazheve të natës, të pranishme sa në romantizëm, aq edhe në lirikën moderne.
“U pataksa e ruajta jashtë:/rusht’, pak aguridhe, dheut tonë i kishin hie/lule liu të hapura/n’I tund era e i përzien,/në atë ninullë qeshin;/si ato lule-qielli”. (Kënga I)
De Rada te poetët e sotëm
Jeromin de Rada është prijatar i lirikës sonë moderne dhe ndikimi i tij vërehet te poetët bashkëkohorë arbëreshë, si Buzëdhelpri, Belmonte, Cukaro, Di Modika, sidomos te një poete e shkëlqyer e narracionit lirik Enza Skutari.
De Rada:
“Fryu era e maleve/dhe rrëzoi hijen e lisit”
Enza Skutari:
“Do t’isha/ si dheu/ i lagur ka shiu/çë buron ahten/me lule e dushk të njomth”.
Metafora brilante e hijes së lisit, me dramën e humbjeve dhe gazin e përtëritjeve, ndikon drejtpërsëdrejti në poezinë e Skutarit, si trup a asht. Kjo hije ndikimi e Jeronim de Radës në rrokjen e thelbeve të dukurive, përmes fare pak vargjeve, me shfrytëzim maksimal të nëntekstit, por jo në frymën kristiane, ngërthen pjesën më të mirë të lirikës shqiptare të arbëresheve të Italisë që nga botimi i librit “Burbuqe të egra” të Dushko Vetmos deri në ditët e sotme. Tek kjo prurje, pajtimi me humbjen, si kalim i jetës në një tjetër dimension në poemën deradiane, shndërrohet te brezinia e ardhshme e poetëve në dramën e kontrasteve, ose siç e quan studiuesi Sadik Bejko “ ankthi si në prag apokalipsi”. Bashkëkohësia solli kriza të thella në identitetin e qenies, ku jo rrallë hapësirat qiellore blasfemohen hapur. Në këtë kontekst ngre krye hija e poezisë leopardiane.
Ky ndikim i De Radës vërehet edhe te një tjetër lirik tejet modern si Frederik Rreshpja, ku soditja përmes mahnitjes dhe roli i imazheve plazmohen në një mrekulli, sa lexuesit i faniten fluturimet flurore të Lumbardhës së Anakreontit, pa hetuar në është në ëndërr apo në zgjëndërr.
“Flenë fluturimet mbi drurë/flenë rrufetë në thellësi të reve;/Fusha ul supin te era.Gjithkush e ka një dhembje ku të mbështesë kryet./Gjithkush e ka një mall që vizatohet si vinjete mbi gjumin e botës”.( Natë)
Si përfundim, të citojmë sërish poetin meksikan Oktavio Paz: “Ne e ndjekim modernen në metamorfozat e saj të pafundme dhe përsëri nuk arrijmë ta fusim në kurth. Ajo na ikën gjithmonë: çdo takim me të përfundon në arrati.”
Kështu e përjetojmë ne sot edhe hijen e lisit arbëror të De Radës.