Fatmira Nikolli –
Asht i pari përkthim i babës që botohet, mbasi u vetëdijësova për randësinë e tyne kur shpëtuen nga përmbytja e dhjetorit 2010. Tuj i pa herëmbasheret, ishte njohja dhe këshillë-mësimet e Astrit Canit që m’nxitën me u marrë me to gjallnisht. Leximi i herëmbashershëm tuj i hedhë në kompjuter, rishikimet, ndonjë presje, frazeologjia, kaligrafia, të tana kanë kenë nji lloj përsiatjeje e vazhdueshme e raportit që ka njeriu me gërmën: dhe rasti-mbret don që ky njeri t’ishte im at dhe m’u skalit në mbrendi bash ky raport i tij, në kushtet e burgimit. Për qasjen e ndërtueme për si me e ba parathanien m’ka vye fort urtia e paqtë që m’ka dhanë me bujari Edin Q. Lohja. Si kapak, shpreh mirënjohjen teme për znj. Brikena Çabej që bani të mujtun këtë botim. Afërmendsh mirënjohje për eminencën gri që ishte Anna(Shkreli), me tanë inxhinierinë editoriale që ka në krye”.
Sait Saiti i ka përzgjedh’ fjalët nji e nga nji, si në një kërkim thesari për të përcjellë shkurtimisht, historinë e atij që është nji dorëshkrim i vyem, i ruejtun në dy kohë e tri situata: nga bodrumet e errëta të burgjeve komuniste, në bodrumet e errëta gjatë komunizmit e mandej nga përmbytja e vitit 2010-ës. Nuk është vetëm nji dorëshkrim e nji përkthim i çfarëdoshëm, është dorëshkrimi i përkthimit të babës – është në nji farë mënyre historia e tij, e jeta e tij mes bodrumesh, burgjesh e kthinash t’u ju fshehë dëshirës për liri.
Ma shumë se historia 40 vjet pas kohës ku fjalë pas fjale Dostojevski fliste shqipen e Nazmi Saitit, nji gegnishte e amël, libri i shkruem me dorë, tani është radhit, është redaktu, faqos e me logon e Botimeve “Çabej”, udhëtimin e parë e ka kry në Prishtinë.
Tirana ende do presë për promovimin e një vepre të veçantë. “Përkthimi i saj asht ba në kushte edhe ma të skajshme nga ç’kuptohet me amulli: përkthyesi e ka tejbartë nga rusishtja në standardin me bazë gegnishten gjatë kohës që vuente dënimin në burgun e Burrelit, më 1978. Prezantimin do ta bajnë Sait Saiti, i biri i përkthyesit, me një sprovë trajtuese të përkthimit në kushtet e një regjimi totalitar – dhe posaçërisht në realitetin e regjimit komunist në Shqipni, tuj përshkrue elemente nga elementët biografikë të përkthyesit dhe qasjet e tij mbi gjuhën”, shënon faqja zyrtare e Botimeve “Çabej”. Ka mes autorit e përkthyesit si autor i dytë në një gjuhë të re – nji përkim të dhembshëm në dy kohë e në dy botë – Dostojevski “u çmend” prej burgimit dhe ky përkthim vjen po në po atë mënyrë të çmendun, ma shumë se ironik asht diktues i njëfarë fatum-i a kismeti… për të cilin sekush asht i ftuem me e zbulu.
Anna Shkreli (më lart e referuar nga Saiti si eminenca gri)nga botimet “Çabej”, në kushtimin e saj për librin, thotë se është një libër më i pabindur se ‘ti’, e përemri në këtë rast asht edhe në shumës.
“Nëse do rekomandoja një libër padyshim do ishte ky. Më ka goditur në stomak më fort se grushti. Nuk e di nëse kjo që shkruaj është faktikisht publicitet, po në këtë pikë s’më intereson kështu që: Për të gjithë ata që leximin nuk e kanë escapism të pastër po i “pëlqen me vujt”, pra me u rrit… ja ku është. Gëlltiteni”.
Vepra është përkthyer nga Nazim Saiti gjatë kohës kur vuante dënimin për AGJITACION e PROPAGANDË në Burgun e Burrelit. Burgu i Burrelit duhet t’i ketë përkuar përkthyesit me Bodrumin e Dostojevskit, duke mëtuar kësisoj errësirën, mungesën e lirisë apo mungesën e kushteve minimale të jetesës. Pra, vetë bodrumin a burgun e madh në të cilin ishte shndërruar Shqipëria e kohës.
BIRI PËR ATIN
Sait Sait ka fol për librin e përkthyer prej Nazmi Saitit, si biri, për atin që mungon e që diku mes arkave, fletoreve e librarisë së drunjtë i ka lënë do letra të shkrume me nji kaligrafi të pjerrët nëpër errësirë.
Ma herët, ka ba me dije se “zotnía n’foto u çue n’74 me mbushë Shkodrën në trakte, atëherë kur poplli flente gjumë. Nji njeri i dashtun, po aq sa i egër, me nervat e alternueme nga qelitë e sistemit hoxhist. Me nji aftësi didaktike që me thanë e mrekullueshme s’do t’ishte e denjë për nivelin e tij. Pëlqyes i literaturës ruse, Lermontov, Turgenjev, Dostojevski e Tolstoj, por edhe i Remarkut dhe Balzakut. Adhurues i Mjedës e Fishtës, që m’i këndote dhe fmí. Njeri me nji botë të pasun shpirtnore, me ideale t’kullueta, dhe nji trim i njimendt atëherë kur njerëzit ishin dele. Lexues i rregullt, mbaj mend se mund të lexonte gjithshka. Dhe nji model, per çdo shqiptar sot. Nji zâ që s’kishte nevojë për kor: ai kishte forcën jetsore t’nji kori rebelsh”. Tu pasë bart tan’ kto ndjesi e kujtime për babën, tue e pasë model e shembull me ia ndjekë hapat pa shkel jashtë tyne. Tu i pasë njoft plagt e vrragat e tyne, secilën nji e nga nji, tu e ditë se errësina ia pat lodhë sytë, 17 vite pasi e ka humb babën, Saiti, shënon se “Shënime nga bodrumi” asht i pari botim nga veprat e Dostojevskit që ka përkthye Nazim Saiti (1941 – 2001). E mbajtun si vepra e parë me të cilën identifikohet ekzistencializmi, asht një evokim i autenticitetit të njeriut që mundet me eksplorue përmbrendësisht t’kenit njeri qoftë edhe në amulli. Në “Shënime nga bodrumi”, prapa historisë së një neuroze mund të rindërtohet lehtë historia e shndërrimit të neurozës vetë në roman. Hyrja e gjatë, e cila i qëndron si premisë pjesës së dytë, rrëfen në fakt historinë e artistit në luftë të vazhdueshme me subjektin e tij.
PËRKTHIMI
Saiti thotë se historia e çdo familjeje ka peripecitë e veta, por disa familjeve iu ka rënë për hise edhe më shumë se kaq – është kjo lloj fjalie hyrëse për filmat që më vjen të them kur më duhet të rrëfej diçka mbi të mitë.
Gjithë sa më poshtë, asht rrëfimi i tij në vetë të parë, për babën e dorëshkrimet e jetëshkrimet e tij….
Falë arkivistit dhe historianit Kastriot Dervishi m’u pat dhënë mundësia të shihja dosjen hetimore të tim eti, tek procesverbalet e marrjes në pyetje nga hetuesi Shyqyri Çoku përcjell të vërtetën e tij mbi pse pati atë qëndrim ndaj regjimit komunist.
Sa i përket itinerarit të burgimit të tij, di që ka përshkuar trekëndëshin e burgjeve në Burrel, Spaç e në fund në Qafë-Bari. Im át kishte bërë një vit shkollë në Bashkimin Sovjetik (kohë kur tregon në hetuesi se qe diziluzionuar, 1959-’60), më vonë pësoi fërkimin e këtushëm që patën autoritetet për të ardhurit nga Rusia dhe më pas u riinkuadrua në marinën tregtare. Duke u përsiatur postum kam menduar ndonjëherë se arsyeja se pse pati zgjedhur të ndërmerrte një veprimtari për të cilën ishte i vetëdijshëm që do të dënohej, ishte përveçse një bindje e sprovuar nga përvoja duke krahasuar me mendje të lirë botën e jashtme me vendlindje, arsyeja ishte edhe ngushtësisht familjare dhe intime: prania e vëllait të vogël në burg. Axha i vogël, Shuajpi, u arratis në Jugosllavi më 1966 dhe mbasi u kap nga autoritetet e atjeshme, u kthye mbrapsht për t’u dënuar më pas, dhe burgosur. Më 1973 pas pjesëmarrjes aktive në Revoltën e Spaçit, ridënohet dhe për më tepër, në mënyrë të përsëritur nuk bindej që të punonte në minierë dhe përfundonte në izolim – gjë për të cilën, pas afro 24 viteve burg, pati pakçka prej mushkërive të veta funksionale. Hamendja ime më shpie të mendoj që vëllai i vogël, më i pabinduri ndër shtatë vëllezërit – siç e kemi edhe arketipin nga përrallat – ishte nakli i vëllait të parafundit.
Kam dëgjuar vetëm në mënyrë të vagullt mbi përvojën e tyre në burg, copëza ndodhish që pak me intuitë e pak me fantazi jam përpjekur t’i lidh, duke përpiluar disi një lloj hartografie kujtimesh dhe hamendjesh.
Në Burgun e Burrelit, nuk e di se si, por përktheu tetë vepra të Dostojevskit dhe mund të ketë ndihmuar ndonjë bashkëvuajtës për ndonjë përkthim. Kam dëgjuar fjalë se ka pasë debate, me Dom Nikollë Mazrrekun – një emër që më është thënë – për çështjen e përkthimeve nga rusishtja. Gjithmonë postum e mirëkuptoj padren, i shquar për temperamentin e tij që me një kundërpërgjigje që i dha Cordignano-s, që mund ta ketë pa rusishten si gjuhën e investitorëve madhorë për krijimin e regjimit komunist në Shqipëri, mirëpo im át nuk fajësonte gjuhët për çka kishin sjellë rrethanat historike. Aq e vërtetë është kjo, saqë dashamir i gjuhëve siç ishte, hyri në burg ditur 3 gjuhë dhe doli me njohje së paku teorike edhe për tre të tjera. Për të cituar Arshi Pipën në një intervistë të bërë nga Visar Zhiti, bashkëvuajtës i babës po ashtu, për një pjesë që përkon me t’im át: e ka marrë burgun si universitet.
Përkthimi “Shënime nga bodrumi” është përkthimi i parë i botuar nga shtatë përkthimet që kam në dorëshkrim, përkthyer në standardin e vjetër me bazë gegnishten, por me një hartë frazeologjike e leksikore të viseve etnike tona.
Ndër mbamendjet e para që kam me t’im át asht njëra duke bashkëndarë përkujdesin për kanarinat dhe gardalinat, si merakli që ka qenë. Tashmë, bashkë me këtë kujtim dhe botimit, po bashkëndahet me lexuesin se ka qenë edhe merakli i shqipes.