Shënim në shqip për një fjalë anglisht!

Prej dy ditësh mediat online dhe komentuesit në to nuk përmbahen nga pathosi i të folurit kot, i të fyerit dhe i lloj-lloj cilësimesh, pas një interviste të këngëtares Eneda Tarifa, e cila harroi një fjalë në anglisht dhe intervista e saj u publikua e paedituar, pra bruto. Pas kësaj “gjëme” nuk mbeti më njeri pa shfaqur talentin e tij si poliglot dhe pa kryqëzuar Enedën, për diçka që s’ka lidhje fare me përfaqësimin tonë në Eurovizion( të paktën jo sa ta quajmë skandal).
Kush punon në median vizive e di fare mirë, sidomos në Shqipëri sesa montazhe bëhen dhe se shpesh qëllon që të ftuarit apo edhe vet gazetarët mezi lexojnë ato tre rreshta që ua kanë shkruar të tjerët pale të thonë vet ndonjë mendim të ndritur e të logjikshëm.
Pra, duhet t’ua ribëjmë me dije njerëzve që konsumojnë apo janë pjesë e medias se ajo që serviret si produkt përfundimtar kalon në shumë filtra dhe ka disa njerëz që e bëjnë këtë punë. Nëse intervista e Enedës ju erdhi bruto, kjo s’do të thotë se ajo qe skandal. Ajo qe thjesht e pamontuar. Dhe njerëzore mbi të gjitha. Por ne si shoqëri këtë nuk e pranojmë dot, pasi ne jemi mësuar veç me montazhe, sa të gjithëve na duket vetja si pjesë e Holluvudit.
Pikë tjetër interesante është kur të shajnë shqiptarët që kalojnë kohën nëpër media online dhe rrjetet sociale.
Kishim disa komente sot në Pasqyre.al për anglishten e Enedës dhe pasi i lexuam nuk dinim të qanim apo të qeshnim. Analfabetë funksional, njerëz që njohin gërmat, por nuk i lidhin dot me fjalët e duhura që të shprehin mendimin që kanë apo nuk kanë në kokë. E vetmja gjë që kupton janë ofendimet dhe mllefi pa asnjë argument, pa asgjë. Por urojmë që ta kalojmë dhe fazën e shfryrjes së madhe dhe pastaj mbase, me ndihmën e Zotit kalojmë në nivelin e racionalitetit.
Problem tjetër është qëndrimi i vet medias, e cila akoma nuk po e sheh e as kupton, që s’ka rroba në trup. Media del xhiro me tituj e lajme “më lakuriq” se ata që e konsumojnë dhe siç duket e siç dihet në fakt, nuk është se rri njeri të merret me këto gjërat e kulturës. Që të ketë lexues, i fut një nga këta titujt me skandale dhe je në rregull me grerëzat që tërheq online.
Është futur thellë kultura e të cilësuarit skandal apo shpërthim për çdo gjë, sa në të ardhmen e afërt si dihet më se me çfarë do shiten artikujt.
Si në rastin e pensionit për familjen e Dr. Florit, edhe tek anglishtja e “harruar” e Enedës u ndesh i njëjti fenomen: dhuna verbale e pajustifikuar. Dhe kjo sepse në këtë vend heshtet kur duhet folur dhe flitet kur në mos duhen mbajtur buzët mbyllur, të paktën të hapet arsyeja.
Ndodh rrallë që të ketë një kritikë konstruktive sidomos për çështjet e kulturës dhe shumica e asaj çka prodhohet bëhet thjesht për shoun e ditës. Sepse në vend të një mendimi apo kritike të argumentuar, zakoni na i do të kalojmë veç tek ofendimet, sharjet dhe shfryrja e inateve. Dhe ndaj kultura jonë, muzika jonë, e arti ynë po fundoset përditë nga anti-vlerat; sepse flasim kur s’kemi gjë për të thënë e heshtim kur duhet të themi gjithçka!/ Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *