Nga Flutura Açka
Ishte mesdita e 9 tetorit 2008, kur në një si parkth të vogël në rrugicën para shtëpisë së Amos Oz në Arad të Izraelit, prisnim – bashkë me Rudina Xhungën dhe kameramanin e Top Channel, ku kishim shkuar për një intervistë – të kalonin minutat deri në orën 1 kur do të shpallej Çmimi Nobel në Letërsi. Atëherë ai ishte ndër më të përfolurit, ka vite që është ndër të përfolurit për çmimin e madh. Ishte Yom Kippur, Dita e Pendesës dhe atë ditë nuk bëheshin vizita dhe qyteti ishte i shkretë, por nëse ndodhte Nobeli, ne kishim vendosur të trokisnim dhe të ishim vizitorët e parë për të festuar me të. Nobeli nuk ndodhi dhe ne u kthyem në hotel, ku edhe pse nuk ndizej zjarr për shkak të festës së shenjtë, Sulejmani, mbikëqyrësi i hotelit, një mysliman i mrekullueshëm nga Galilee, kishte ndezur fshehtas zjarr dhe na kishte bërë një drekë të ngrotë, pas dy ditësh peripecish pa bagazhe dhe nën peshën e atij kalçifikimi njëzetekatërorësh të jetës shkretëtirave të Izraelit. Të nesërmen e takuam mjeshtrin e fjalës në shtëpinë e tij. Atë ditë është bërë edhe kjo foto. Për Nobelin? Jo, as ai dhe as shoqëria izraelite, nuk dukej se e kishte ndonjë vuajerizëm kombëtar. Jo, nuk e kishte shqetësim Nobelin, i kishte marrë të gjitha çmimet, sepse kishte marrë mbase edhe çmimin e njeriut që paqton kohët dhe realitetet: një shkrimtar izraelit që botohet në arabisht! Kush e ka këtë fat? Një njeri që në thebin e veprës së tij, ka dashurinë për ‘armikun’. Personalisht e gjithë vepra e Amos Oz, por veçmas monumenti letrar “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, më ka ndryshuar konceptin e dashurisë njerëzore; dhe nëse ka një pikë lumturie në karrierën time prej 25 vitesh që merrem me këtë punë, është ky libër. Mbajeni mend: “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, nuk është libër, por monumet letrar. Dhe, edhe pse kam botuar shumë vepra të Amos Oz, çdo libër të ri të tij në shqip, dua ta quaj ngjarje, personale timen, të Skanderbeg Books si botuesi i tij ekskluziv prej vitesh dhe të lexuesit shqiptar që e do fort këtë autor. “Jeta rimon me vdekjen” është një libër i shkurtër, nga ata testamentet që shkrimtarët lenë për të rrëfyer atë magjepsjen e tyre të shkrimërisë. Çfarë u ndodh pra shkrimtarëve, atyre që ndërtojnë jetë paralele – a thua u duket e vogël kjo që jetojnë – kur janë para lexuesve të tyre, dhe a duhet të shpjegohen? Jo, ata nuk mund të rrëfehen për këtë, por sërish nisin e ndërtojnë fiksionin e atypëratyshëm, mu përballë lexuesit, ashtu pa mëshirën e gjykimit të botës dhe vetëgjykimit.
Dy fjalë për veprën e sapobotuar në shqip të Amos Oz, romanin: “Jeta rimon me vdekjen” të përkthyer nga Rigel Rizaj
“Përse shkruani? Përse vërtet shkruani kështu? Mos po rrekeni t’i ndikoni lexuesit, dhe nëse ndodh kjo – në ç’kah rrekeni t’i ndikoni? Çfarë roli luajnë historitë tuaja? U vini kryq, i korrigjoni vazhdimisht apo i shkruani drejt e prej muzës suaj? Çdo të thotë të jesh një shkrimtar i famshëm, si ndikon kjo te familja juaj? Përse përshkruani, pothuajse më së shumti, anët negative? Çfarë mendoni për shkrimtarët e tjerë, cilët kanë ndikuar tek ju dhe cilët nuk ju pëlqejnë? Dhe meqë ra fjala, si mund ta përkufizoni veten?” Këto janë pyetjet që një autor i njohur, i ftuar të lexojë pjesë nga libri i tij më i ri para lexuesve të tij, duhet t’u përgjigjet. Jemi në Tel Aviv, një mbrëmjeje të nxehtë dhe mbytëse, ku publiku, njëherësh edhe lexuesi dhe admiruesi i veprës së autorit, pret me shumë kureshtje përgjigjjet. Por autori ynë, i mësuar tashmë të jetojë edhe një jetë paralele të mbushur me karakteret që krijon vetë, bie në grackën e fiksionit. Mu aty përballë tyre, ai nis dhe ndërton jetën e disave prej tyre: Një kameriere joshëse, një i ri me ëndrra letrare që pret prej tij një këshillë, një mesogrua e etur për kulturë, një lexuese e re me të cilën është gati të flirtojë, një marrok që përgjon vdekjen e së ëmës, etj. Përmes kësaj historie, Oz arrin mjeshtërish të japë kuptimin e artit të të shkruarit, marrëdhëniet e jetës me letërsisë, të jetës me vdekjen, por edhe natyrën dhe kuptimin e famës së autorit në letërsi.”
Ky është një libër joshës, vrojtues, me një rrjedhshmëri të qëndrueshme dhe tone qetësues të tipit të Amos Oz. Sunday Times
Metafizika e “Jeta rimon me vdekjen” ngjan si një ‘sulm’ i fortë i Amos Oz mbi procesin e shkrimit dhe të leximit. The Telegraph