Selaniku, qyteti i dytë grek në veri, ku shumica e komunitetit hebre prej më shumë se 50 000 sefarditësh u ekzekutua nga nazistët, është i gatshëm për të ndërtuar muzeun e Holokaustit me ndihmën e Gjermanisë, bëhet sot e ditur nga komuniteti hebre i qytetit.
“Projekti për ndërtimin e muzeut u miratua nga bashkia e qytetit dhe do të jetë i bashkëfinancuar nga qeveria gjermane dhe fondacioni grek i pronarit të anijeve, Niarchos”, sqaroi për median David Saltiel, presidenti i këtij komuniteti që nuk përmban më shumë se 1 500 anëtarë.
E pajisur me një buxhet fillestar prej 22 milionë eurosh, ku 10 milionë do të jepen nga Gjermania, ndërtesa me gjashtë kate me material hekuri dhe xhami është projektuar nga dy shoqëri gjermane dhe izraelite, dhe ndërtimi i saj pritet të nisë brenda harkut kohor të vitit 2017 dhe të përfundojë brenda tre vitesh.
Organizata greke e menaxhimit të aseteve të tokës dhe hekurudhave greke ”Gaiose” ofroi terrenin për ndërtimin e muzeut, që përfshin 5 000 metra katrore.
”Muzeu do të shtrihet në perëndim të qytetit, pranë zonës ku niseshin trenat drejt kampeve të përqëndrimit”, sipas David Saltiel./ATA