Gazetari Armand Bajrami ka gjetur disa të përbashkëta në klipet e realizuara për Eurosong dhe i ka sjellë në një status plot batuta e ironik.
Komenti i plotë gazetarit
Diskutimet në lidhje me cilësinë e këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurovizion kanë pushtuar rrjetin këto ditë. Desha dhe unë të konstatoj një fakt që më bën përshtypje. Nuk ka lidhje me këngën. E kam me klipin.
Autorët e klipeve të këngëve shqiptare për Eurovizionin ndër vite kanë një element të përbashkët në punët e tyre. Vinçin gjigand. Ështe një vinç që nuk del para kamerave, por që pa të, klipi do te ishte pa pikë kuptimi. Nuk e di pse, ndryshe nga klipet e përditshme, në klipet për këngët e Eurovizionit, duhet patjeter një skenë ku këngëtari të mbahet pezull e të tundet si lavjerrës.
Një sy të shpejtë:
-Eneda Tarifën e kanë hipur në një bazament cilindrik në forme froni, i butë në dukje, i varur në ca zinxhirë ngjyre ari. E tundin tutje-tëhu, ndërsa ëendon. Sfondi, ca pemë dhe qielli.
-Ardrian Lulgjurajn e vendosën në një skelë nga ato të ndërtimit. Peshë e rëndë, se helbete, platformë hekur e dërrasë. Vinçi duhej më i fortë dhe po ashtu kavo çeliku për ta vozitur.
-Juliana Pashën e ulën në një kolltuk dysh. Ne ajër patjetër. Juliana një dorë njeri. Kolltuku i lehtë po ashtu. Ca litare të trashë e bënë punën. Pluskoi në ajër sa deshi regjisori. Edhe këtu pati pemë në sfond. Çik më dendur se tek klipi i Enedës.
-Hersi Matmujën nuk e ngriti kush ne ajër. Maksimumi e lanë të bënte një xhiro me biçikletë aty tek mes Taivanit dhe godinës së ish-ministrisë së Mbrojtjes dhe një vrap këmbëzbathur në lagune. E meqe në klipin e saj nuk varej askush u gjet zgjidhja. Kur Hersi ndalte vrapin dilte në plan Alket Islami. Ai ishte me parashutën e tij, por gjithsesi ngjante si i varur.
p.s.
Falenderoj autoret e klipit te Rona Nishliut dhe Elhaida Danit, që me vetëmohim te pashembullt kanë treguar se një klip mund të behet edhe pa e ngritur peshë këngëtarin.