Saimir Pirgu, zëri që na jep flatra

Nga Mira TUCI
Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit nuk është Orkestra e Maggio Musicale Fiorentino, por mbrëmjen e 5 marsit një magji ndodhi. Orkestra shqiptare pësoi alkiminë e muzikës, lëvizjeve energjike të maestro Maurizio Barbacinit dhe joshjen pa kthim nga zëri i “magjistarit” shqiptar Saimir Pirgu. Përtej sallës së teatrit të operas stolisur si kurrë më parë në përpjekjë për të fshehur njollat e kohës, rrudhat e lënies pas dore dhe zhurmat ndjellakeqe të koreve të asambleve partiake…Opera shqiptare pësoi shndërrimin që ndodh vetëm me mrekullitë e artit të vërtetë. Tenori Saimir Pirgu me një ngjitje marramendëse në majat e skenës botërore operistike në turin e tij që kulmon në operat më glamour të botës,Tokio, Firence, Moskë, Vjenë, Berlin, Nju Jork zgjedh ti japë një bekim të veçantë rrënjëve të tij, me këtë ndalesë fatlume për ne adhuruesit e zërit dhe personalitetit të tij artistic në Tiranë.
Veshur me një buzëqeshje që i del nga shpirti ai hyn në skenë pa zhurmë por me melodi universi, kompozuar nga mjeshtrat Verdi, Puccini, Gounod, Massenet, Donizzeti ai hyn vrullshëm në qëniet tona. Hera e fundit që ai kishte qënë I pranishëm në skënën shqiptare ishte viti 2013 e për një kauzë shumë fisnike si bamirësia për fëmijët me sindromën Down.
Kësaj here koncerti i tij është një bamirësi që i bëhet shpirtrave tanë të lodhur nga hipokrizia ngrefosur në frak apo nga dhuna e përditshme në kuvendin e atyre që do duhej të ishin “burra shteti”. Zëri i tij i “mëndafshtë” sic e ka cilësuar “New York Times” është një mantra që përkundet bukur nga Lucia di Lamermoor e Donizettit me arien “Poveri anni miei” tek shpërthimet vokale të aries “O Inferno” nga opera Simon Boccanegra e Verdit.
“Il mio canto”…kënga e Saimir Pirgut është muzika që ka marrë si ushqim për shpirtin që prej kohëve të fëmijërisë kur studionte violinë në qytetin e Elbasanit e deri kur preku shkëlqimin e ëndrrës të këndojë në të njëjtat skena si idhujt e tij “Tre tenorët”. Në vecanti ai që pagëzoi ëndrrën e tij Luciano Pavaroti në gjurmët e të cilit ka ecur më një këmbëngulje të admirueshme, duke mos i hequr sytë nga qielli dhe në të njëjtën kohë me këmbët ngulur thellë në tokë.
Ndonëse albumi është regjistruar me një prej orkestrave konsideruar më elegantja në botë për shkak të timbrikës fine dhe harmonisë që kanë orkestrantët si një trup muzikor unik siç është orkestra Maggio Musicale Fiorentino nën drejtimin e një profesionisteje të rrallë si Speranza Scapucci, Saimir Pirgu shfaqet si në prova ashtu edhe në koncert besimplotë tek mjeshtria e zbukurimeve që dikton dirigjenti I koncertit të Tiranës e pikërisht maestro Maurizio Barbacini, madje e fton edhe orkestrën ti besojë energjisë së tij vibruese.
Dhe rezultati është një koncert që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e publikut për zërin e sedeftë të Saimir Pirgut që në arie si “la donna e Mobile” nga opera Rigoletto krijon dallgë në të cilat mund të bëhet serf muzikor.
Saimir Pirgu na merr për dore dhe me zërin e tij na dhuron flatra engjëjsh dhe ne prekim qiellin bashkë me të kur ai I këndon dashurisë me notat e Charles Gounod në arien “L’amour …ah leve-toi Soleil” e shkëputur nga opera “Romeo dhe Zhuljeta”. Në fund të fundit ai ka zgjedhur të na tregojë mënyrën si këndon, të na rrëfejë qënien e tij përmes muzikës, dashurinë e tij për muzikën në një mënyrë kaq elegante sa rrëshqet brenda nesh një vërshim fjalësh pa shqiptuar ai asnjë fjalim. Saimir Pirgu ka zgjedhur të flasë përmes muzikës dhe në ekzaltimin dhe urinë shqiptare për muzikë dhe art të mirë ai bën vetëm një gjest që zgjat pak sekonda ai vë dorën në zemër dhe më tej të dyja duart në kraharor në simbolin e shqiponjës, si për të na thënë se vetëm duke ndjekur ritmin e zemrës me krahët e shqiponjës mund të fluturojmë lart.
Një leksion klasi dhe dinjiteti gjithashtu tërësia e prezantimit të tij skenik për shumicën e atyre që ka përballë përvecse një pjatë muzikore e një rafinimi kaq të rrallë sa nëse nuk kemi mundësi ta shohim në skenat botërore do na duhet të presim të kalojnë së paku tre vite të tjera derisa të provojmë dicka të ngjashme.
Ovacione, duartrokitje, herë pas here edhe mes arieve (duke mos treguar kulturë muzikore të lartë) apo më mirë ta cilësojmë një padurim për ta shpërblyer mjeshtërinë unike te teknikës dhe zërin e Pirgut që kalon me një lehtësi të jashtëzakonshme nga përkëdheljet e notave me puplime pëshpërimash në shpërthime si oshëtima deti në stuhi.
E ka kaq etje për zërin e Pirgut sa publiku nuk pushon së duartrokituri, nuk ngrihet nga poltronat e operas përvecse për të shprehur nderimin dhe entuziasmin e tij për këtë artist që na sjell ndërmend Shqipërinë e bukur, atë të njerëzve të talentuar që ndjekin ëndrrat, që luftojnë cdo ditë me dinjitet për të qënë shqiptarë të mirë dhe qytetarë të botës.
E këtë qëndrim Saimiri e rikonfirmon teksa pret me entuziasëm publikun shqiptar dhe admiruesit e zërit dhe artit të tij deri tek më I fundit. Firmos albumet e tij duke ju kushtuar vëmendje gjithësecilit dhe duke I dhënë kënaqësinë e një fotoje pa poza, por me një modesti dhe dashuri që na bën të kujtojmë të bukurën dhe mirësinë brenda nesh si shqiptarë. Dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e CD së tij shkojnë për fëmijët e sëmurë të Pediatrisë. Tenori më I kërkuar I momentit në skenat botërore na jep sërish një leksion që duket se kemi harruar. Të ndajmë atë pak që zotërojmë me ata që mund të jenë talentet brilante nga Shqipëria në muzikë, kinema, shkencë me të cilët do të ndjehemi krenarë njësoj sic ndjehemi me njeriun dhe artistin rrezatues që është Saimir Pirgu.
Në të njëjtin moment dy yje të operas shqiptare, Ermonela Jaho në Royal Opera House në Londër dhe Saimir Pirgu në Tiranë e rendisin Shqipërinë e vogël në hartën fizike dhe virtuale të artit botëror. Dhe pas gjithë këtij rrezatimi dhe bekimi paqtues mundesh vetëm ti dorëzohesh mirënjohjes pse talente si Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho nuk harrojnë të vijnë dhe të na dhurojnë pak nga zemra e tyre e madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *