Në një intervistë nga Nju Jorku për Zërin e Amerikës, tenori Saimir Pirgu tha se recitalin e tij “Il mio canto”, e ka dhenë, në Firence, Tiranë, Vienë, Berlin, Paris, Tokio, Moskë por mes koncerteve më të sukseshme ku është pritur me ovacione, ai veçon Tiranën, Firencen dhe Tokion. Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu, ndodhet në Shtetet e Bashkuara, me repertorin e tij “Il mio canto”, të cilin do ta interpretojë të shtunën në Nju Jork dhe më pas në Çikago.
Mbas 10 vjetëve me një karrierë të suksesshme interpretimi operistik në teatrot e botës, Saimir Pirgu, thotë se i lindi ideja që t’i regjistronte disa nga ariet më të suksesshme në një CD për publikun e gjerë, për të krijuar një memorje të tij si tenor.
Në repertorin e recitalit “Il mio canto”, ai ka përfshirë arie nga klasikët e muzikës operistike, si Donizetti, Bellini, Verdi, Gounod, Massenet dhe Puccini. Tenori Pirgu thotë se në Shtetet e Bashkuara ai do të japë dy koncerte, një në Nju Jork dhe një tjetër në Çikago.
Ai thotë se e bën të ndjehet krenar fakti që mes spektatorëve në Shtetet e Bashkuara, do të ketë edhe shqiptarë nga komuniteti i gjerë i shqiptaro-amerikanëve.
Pas koncerteve në Nju Jork dhe në Çikago, Saimir Pirgu do të kthehet në Europë, ku ai do të vazhdojë të interpretojë në opera, në qytetet e Veronës dhe atë të Barcelonës.
“Il mio Canto” është nxjerrë në treg nga “Opus Arte” dhe u prezantua në fund të muajit janar me rastin e interpretimit të Pirgut në operën “Traviata” në “Royal Opera House” të Londrës. Në pesë vitet e fundit, tenori Saimir Pirgu është shquar si një nga zërat e rinj më emocionues, duke fituar një sërë çmimesh si ai i vitit 2002 në konkursin Caruzo, çmimi Franco Corelli më 2009-ën apo çmimi Pavaroti i Artë më 2013-ën. Duke ndjekur fillimet në belkanto dhe Moxart, ai është i kërkuar nga shtëpitë më prestigjioze të operës në role si Duka i Mantovës në “Rigoletto” dhe Rodolfo tek “La boheme”. Albumi i tij i ri recital-operistik “Il mio canto” përmbledh copëza në pjesë ku zëri i tij lulëzon për momentin. E nis karrierën e tij me Festivalin e Operës Rossini të Pesaros me “Il viaggio a Reims” dhe “Adina”.
Për Saimir Pirgun nis një bashkëpunim shumë i rëndësishëm me Staatsoper (Opera shtetërore) të Vjenës, ku midis shumë vënieve në skenë, loja e tij vlerësohet jashtëzakonisht tek “L’Elisir d’Amour” për të cilën fiton edhe çmimin e lartë “Eberhard Waechter Gesangsmedaille”, që u jepet të rinjve të karrierës. Ishte vetëm 22 vjeçar kur këndoi “Cosi fan tutte” në Ferrara, drejtuar prej Claudio Abbados, dhe në verën e vitit 2004, në Festivalin e Salsburgut nën drejtimin e Philippe Jordan.
Saimir Pirgu eshte pjese e librit , “100 histori suksesi ne 100 vjetorin e Pavaresise” botuar nga Albanian Excellence dhe eshte antar nderi i saj./ATA