Nga Umberto Eco
(Me rastin e ditës ndërkombëtare të perkthimit)
Javën e shkuar më ra rasti të kem si taksist një burrë me ngjyrë, me një emër të padeshifrueshëm por që më sqaroi se ishte pakistanez. Pastaj ai më pyeti nga vija unë (në Nju Jork njeriu vjen gjithmonë nga diku tjetër), i thashë që isha italian dhe ai nisi të më pyeste. Dukej shumë i interesuar për Italinë, por pastaj e kuptova se ishte i tillë sepse nuk dinte asgjë për të, nuk dinte as ku binte, as se çfarë gjuhe flitej (zakonisht kur taksisti dëgjon që në Itali flitet italisht, ai gjithmonë hap gojën i habitur, sepse tashmë është i bindur se në gjithë botën flitet anglisht).
I bëra një përshkrim të shpejtë të gadishullit me malet në mes dhe me shumë brigje përreth dhe sidomos me aq shumë qytete të bukura. Më pyeti sa bëheni dhe u çudit edhe më shumë që ishim aq pak. Pastaj më pyeti nëse ishim të gjithë të bardhë apo të përzier dhe unë u përpoqa t’i krijoja idenë e një vendi kryesisht me të bardhë, por që ka edhe disa njerëz me ngjyrë, gjithsesi shumë më pak sesa në Amerikë. Doemos donte të dinte se sa pakistanezë jetojnë në Itali dhe mbeti keq kur mësoi që ndoshta kishte disa, por shumë më pak sesa filipinë ose afrikanë dhe duhet ta ketë pyetur veten se përse ky vend, Italia, evitohet nga njerëzit e tij.
Bëra në gafë duke i thënë që edhe indianë në Italia ka, sepse më vështroi me dyshim: kisha bërë gabim që kisha përmendur së bashku dy popuj kaq të ndryshëm, duke përmendur njerëz kaq inferiorë, që s’kishin asgjë të përbashkët me pakistanezët!
Më në fund më pyeti cilët janë armiqtë tanë. Pyetjes sime “urdhëro?” iu përgjigj duke më sqaruar me durim se donte të dinte se me cilët popuj ishim aktualisht në luftë për pretendime territoriale, urrejtje etnike, shkelje të vazhdueshme të kufijve etj. I thashë që nuk jemi në luftë me askënd. Prapë me durim më shpjegoi që donte të dinte se cilët janë kundërshtarët tanë historikë. Ata që na vrasin ne dhe ne i vrasim ata. Iu përgjigja që armiq nuk kemi, që luftën e fundit e kemi bërë 50 e ca vjet më parë dhe, për më tepër, pa ditur saktësisht kush qenë armiqtë dhe kush qenë aleatët. Nuk m’u duk fare i kënaqur: e shprehu hapur bindjen e vet se unë po e mashtroja. E si na qenkësh e mundur që të ekzistojë një popull pa armiq?
Puna mbaroi aty, zbrita nga taksia duke i dhënë dy dollarë bakshish për ta ngushëlluar për pacifizmin tonë, pastaj më ndodhi ai fenomen që francezët e quajnë esprit d’escalier, pra sapo zbret shkallët, kur ke dalë nga dera e dikujt, të vjen në mendje befas përgjigjja e duhur që duhej t’i kishe dhënë, batuta që nuk të kishte shkuar në mendje në atë çast.
Duhet t’i kisha thënë që nuk është e vërtetë që italianët nuk kanë armiq. Nuk kanë armiq të jashtëm dhe sidoqoftë nuk janë kurrë në gjendje të bien në një mendje për të përcaktuar cilët janë, sepse janë vazhdimisht në luftë, por brenda vendit. Italianët bëjnë luftë me njëri-tjetrin, një qytet kundër tjetrit, heretikët kundër ortodoksëve, pastaj klasat sociale kundër klasave të tjera, partitë kundër partive, fraksione partish kundër fraksioneve të së njëjtës parti, pastaj krahina kundër krahinave, televizione publike kundër televizioneve private, aleatë të koalicionit kundër aleatëve të të njëjtit koalicion, departamente kundër departamenteve të tjera, gazeta kundër gazetave.
Nuk e di nëse do ta kishte kuptuar, por të paktën nuk do të kisha bërë figurë të keqe si një njeri nga një vend pa armiq.
2009
Pape Satan Aleppe/perkth. MY