Nga Mirela Kumbaro
Në rrugëtimin tim të përjavshëm në Qarkun e Gjirokastër, këtë fundjavë në Përmet, mes të tjerash u ndala në një fermë agroturizmi të ndërtuar në fshatin Karat, në afërsi të Këlcyrës, ku nga duart e Elonës, një grua e re prej atyre zonave, kombinuar me përvojën franceze falë bashkëjetesës së saj me një duarartë francez, sillej tradita shqiptare në kulinari, mikpritje, arkitekturë, histori dhe natyrë.
Kishte aty shtëpi prej guri sipas stilit të shtëpive përmetare, kishte foto të Marubit, kishte gliko apo raki të zones, dhe velenxa e mbulesa të qëndisura nga vendasit, kishte gjithashtu guida për të njohur historinë dhe natyrën magjepëse të atyre maleve. Por kishte dhe një koleksion kitarash ku i zoti francez i bujtinës, luante për mysafirët një Jacques Brel, apo një Eric Clapton. Ishte po ky francez, aspak i çmendur, që kishte zgjedhur kodrat përmetare për të zhvilluar “permakulturën” si një tendencë gjithmonë e më të përhapur në Europë për zhvillim të qendrueshëm bujqësor.
Një trashëgimi kulturore, pra, në fusha të ndryshme, e kombinuar me përvojat më të mira të vendeve europiane dhe e përkthyer në burim të ardhurash dhe mirëqenieje për ekonominë vendore.
Ky është synimi ynë kryesor në programin qeveritar: trashëgimia kulturore nuk mund të jetë një gjerdan guri i çmuar kurore që nevojitet vetëm për raste të veçanta paraqitjeje si vello nuseje në dasma, duhet të jetë pjesë e qenësishme e jona, me të cilën përfaqësohemi kudo dhe kurdo, me të cilën vëmë në dukje të veçantën tonë si shqiptarë si vlerë e shtuar dhe për Europën e Bashkuar.
Shqipëria, përveçse një vend i bekuar për pasuritë natyrore, për diellin, ujrat, detin, malin, si pjesë e Europës, mbart një histori shekullore me shenjë qytetërimi që duhen njohur dhe rivlerësuar. Të gjitha këto nuk mund të bëhen nëse programi i qeverisë nuk kombinohet me punën individuale të secilit qytetar të këtij vendi, nëse çdo shqiptar nuk ndërgjegjësohet për pasurinë kulturore të këtij vendi, nëse secili nuk ndjehet në një farë mënyrë operator turistik duke njohur e më pas ruajtur e zhvilluar në forma dhe mënyra kreative trashëgiminë tonëkulturore.
Këto pasuri nuk duhet kuptuar si natyra të vdekura të cilat ekzistojnë në mënyrë të shkëputur dhe të palidhur në organikisht me gjithë pëlhurën kulturore të vendit. Krijimi i një lidhjeje krijuese të qendrave me njëra tjetrën, krijimi i intinerareve tematike, bën të mundur futjen në këtë hartë të shumë vendeve më të aneksuara, bën të mundur rivlerësimin e çdo objekti, bën të mundur dhe ruajtjen më gjatë në kujtesën e turistit, mundësi më të mirë promovimi dhe krijimin e rrjetit të turistëve që rikthehen. Kjo është dhe mënyra më inteligjente për t’u integruar në Europën që kërkojmë, duke shtuar në mozaikun e larmishëm të saj trashëgiminë tonë kulturore si një stacion të papërsëritshëm europian, dhe krejt në komunikim me vetë Europën.
Kuptuar në këtë logjikë Ministria e Kulturës ka vlerësuar të rëndësishme dy intinerare kulturore kuptimplotë shqiptare: rrugët e besimit dhe rrugët e kujtesës.
Në intinerarin e rrugëve të besimit, shqiptarët jo vetëm që i prezantojnë Europës objekte kulti me histori tërësisht unike për ecurinë e besimit në Shqipëri, por përçojnë dhe një mesazh tërëndësishëm të tolerancës fetare, aq të nevojshëm në kohët e sotme dhe për qytetërimin europian. Përmes trashëgimisë sonë në këtë drejtim japim një shembull bashkëjetese të paqtë që ruan si rrënjët e qytetërimit të hershëm të krishterë ashtu dhe respektin për besimet e mëvonshme në trojet tona. Nga Shkodra në Sarandë, nga Berati në Voskopojë, kryqëzohen arkitektura të kapelave katolike, miniature orientale të xhamive të vjetra, druri i gdhendur i teqeve e ikonat e jashtëzakonshme bizantine në kishat ortodokse.
Përbëjnë gjithashtu një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe objektet përfaqësuese të një historie më të afërt, asaj të diktaturës më të egër në Europë, përmes së cilës po ndërtohet një intinerar i kujtesës me synimin e përçimit të mesazheve të rëndësishme tek brezi i ri, për të mos harruar kurrë një çmenduri kolektive që prodhoi dhunë e denigrim të të drejtave të njeriut, një këmbanë kujtese në respekt të vlerave humane që përbëjnë dhe themelin e qytetërimit europian.
Rruga drejt Europës kalon përmes kulturës, kalon përmes rizgjimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kulturore tonën që në veçantinë e vet është vlerë e shtuar për Europën, e njëkohësisht është pjesë përbërëse e historisë së saj. Do të ishte e cungët trashëgimia kulturore e Europës pa atë çka ofron vendi ynë, pa vlerat unikale të Beratit, Gjirokastrës, Lezhës apo Shkodrës.
E nisa me Elonën nga Këlcyra dhe dua ta mbyll me Eugent Bushpepen nga Rrësheni i cili, falë talentit të tij vendosi një tjetër flamur shqiptar kulturor në një skenë europiane, bash në Ditën e Europës.
Këta janë Shqiptarët e Gjeneratës Tjetër.