“Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit në Teatrin Eksperimental

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” propozon sonte monodramën “Rrno për me tregue , të At Zef Pllumit, me aktorin Arben Derhemi , me regji të Milto Kutalit.

“Ishte më i riu i Etënve të zhgunave shqiptarë të Shen Françeskut, kur At Marin Sirdani, historiani i shquar dhe mësuesi i tij, në kohën që oficera të UDB-ës po merrnin në “dorëzim” nga oficera të Sigurimit tonë materiale të Arkivit të Fretënve (që ishte unik në Shqipëri, fillimet e të cilit mbërrinin në vitin 1415 dhe kishin vazhdimësinë e dokumentave kishtare dhe shoqërore historike-ekonomike deri në ato ditë), për t’i çuar në Beograd, e porositi: “Rrno vetëm për me tregue”.


Dhe Padër Zefi, kështu e kemi thirrur gjithmonë, e pati peng të jetës së tij këtë porosi. Rroi dhe tregoi. Me antologjinë e kujtimeve dhe botimet e tjera dhe me gjithë veprimtarinë e tij në dobi të kishës, të Urdhnit të Shen Françeskut dhe të Atdheut, sfidoi vdekjen dhe pavdekësoi veten. Tani që nuk e kemi më fizikisht, e kemi në Panteonin e lavdishëm të personaliteteve më të larta të kombit dhe, sidomos, në një hauz të veçantë të atij Panteoni, në atë të paraardhësve dhe mësuesve të tij të mëdhenj: Gjergj Fishtës, Shtjefen Gjeçovit, Pal Dodajt, Ambroz Marlaskajt, Vinçenc Prendushit, Marin Sirdanit, Anton Harapit, Justin Rrotës, Martin Gjokës, Bernardin Palajt, Donat Kurtit, Benedikt Demës, Gjon Shllakut, etj.


Në shkrimet publicistike, intervistat, veprat, sidomos në “Rrno vetëm për me tregue”, ai i ka bërë një analizë shkencore periudhës së diktaturës dhe ka përvijuar detyra konkrete për ndërtimin e një Shqipërie të lirë e demokratike. Para së gjithash, ai na porositi të mos harrojmë për asnjë moment të kaluaren, si kusht të domosdoshëm për të ndaluar kthimin e saj dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të mirë”- Koment nga Anton Cefa.

2, 3, 4, 5, 6 nëntor, ora 19:00. Salla e re, ish-holli, TKE’Kujtim Spahivogli”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *