Punonjës të Muzeve nga Shqipëria, Bosnje-Herzegovina, Kroacia, Maqedonia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Hollanda, Serbia, Slovenia, Suedia dhe Mbretëria e Madhe po marrin pjesë në një prej konferencave më të gjera për muzetë në Ballkan.
Konferenca e katërt “Meet, See, Do” qe po zhvillon punimet nga 13 -15 prill 2016 në Shkodër, Shqipëri, organizohet nga Rrjeti i Muzeve të Ballkanit, rrjeti i më shumë se 40 institucioneve muzeale të Ballkanit dhe nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB).
Takimi i sivjetëm është financuar nga Fondacioni Stavros Niarchos (SNF), dhe është organizuar në partneritet me Muzeun Historik të Shkodrës në Shqipëri.
“Konferenca “Meet, See, Do”, është organizuar me qëllimin për të thelluar bashkëpunimin ndërkufitar dhe për shkëmbimin ndërmjet profesionistëve të muzeve dhe trashëgimisë në rajonin e Ballkanit. Ndaj ajo është një vend ku mësohet dhe ndahen përvojat si dhe një vend shumë i mirë për të ndërtuar ndërtuar partneritete. Konferenca kremton rolin e rëndësishëm që muzetë luajnë në shoqëritë tona”, u shpreh Aida Vesic, sekretarja e Përgjithshme e Rrjetit të Muzeve të Ballkanit.
Konferenca e katërt “Meet, See, Do”, mbledh ekspertë të shquar të muzeologjisë dhe trashëgimisë, si dhe edukatorë, historianë, artistë, aktivistë dhe profesionistë komunikimi për të diskutuar tema të rëndësishme, për të ndarë dijen dhe për të eksploruar idetë e reja, për t’u ndërlidhur dhe për t’u takuar me kolegë të tjerë nga Ballkani e përtej.
Konferencat e mëparshme “Takohemi, Shihemi, Bëjmë” janë zhvilluar në Tiranë (Shqipëri), në Sarajevë (Bosnje- Herzegovinë) dhe Novi Sad (Serbi).
Rrjeti i Muzeve të Ballkanit është themeluar në 2006-n, me synim për të promovuar dhe për të ruajtur trashëgiminë e përbashkët kulturore të Ballkanit.