Numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2017 ka njohur rritje, dhe po ashtu edhe të ardhurat që ata kanë shpenzuar në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “facebook” u shpreh se të ardhurat nga vizitorët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit 2017 janë rritur me 149 milionë euro.
“Lajm i mirë, të ardhurat nga vizitorët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit 2017 janë rritur me 149 milionë euro, apo me 12,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 dhe me 550 milionë euro apo me 72,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013”, shkruan Kryeministri.
Referuar të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), që i përkasin periudhës janar-tetor, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë është 4.604.010, duke u rritur me 7,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.