Më quajnë Katja, jam 34 vjeç. Prindërit e mi u ndanë kur isha 7 vjeç. Mbaj mend gjithçka. Tensionin, të bërtiturat, heshtjen. Babai im ishte homoseksual dhe kjo ishte arsyeja që u nda me nënën time.
Unë si fëmijë, nuk mundja të kuptoja se çfarë do të thoshte fjala pusht (fjalë që përdoret rëndom në Greqi për burrat gej) që përdornin familjarët e mi, akoma dhe më shumë shokët e mi të klasës. Pusht e quanin të gjithë. Kur e dëgjova për herë të parë në shkollë si fjalë, e mora për diçka të keqe. Kur vajta në shtëpi pyeta mamanë time. Ajo më tha shkurt e prerë:”Pusht është ai që shkon me burra të tjerë”. Pësova një shok. Si shkon, ku shkon, pyesja veten. Shkon shëtitje?
Nëna ime nuk ka qenë kurrë ajo qenia e ëmbël që interesohet të mos lëndojë fëmijën e vet. Ajo ishte brutale. I interesonte vetëm t’i shkonte e saja, t’i jepnin të drejtë që u nda me pushtin.
Ajo vdiq nga kanceri kur isha 10 vjeç. Kështu pata fatin të më rrisë babai. Me gjithë kritikat, paragjykimet dhe etiketën e pushtit që i ngjitën, ai arriti të më rritë me dinjitet dhe dashuri.
Në atë kohë, por jo shumë larg nga sot, njerëzit nuk ta falnin homofilofilinë, veçanërisht po të ishe prind, as nuk guxoje ta nxirrje nga goja. Jo se sot kanë ndryshuar shumë gjërat, por ekzistojnë dhe disa që respektojnë zgjedhjet e të tjerëve; pakicë, por ekzistojnë.
Unë mësova të dua zgjedhjet e babait tim, sepse ai më mësoi të dua. Më mori me vete kur isha 10 vjeç, më çonte në shkollë, më ndihmonte me detyrat, më foli për seksin për herë të parë, i besova lidhjen time të parë, më gatuante e më ushqente kur jepja provimet, më shoqëroi tek vapori kur ika në Kretë për studime.
Për botën ishte pushti, për mua ishte babai im.
Kurrë nuk i njoha partnerët apo partnerin e tij, nuk e di as në kishte a sa kishte e çfarë bënte. Duke u rritur çuditesha që nuk kishte sjellë kurrë në shtëpi ndonjë vajzë, por mendoja se nuk do ketë gjetur ndonjë që i përshtatet. Nuk më kishte dhënë asnjë arsye për të menduar se ishte gej. I mbajti gjërat personale jashtë shtëpisë, diçka që nuk e bëri nëna ime që nuk ishte homoseksuale, por qysh muajin e parë e solli të dashurin në shtëpi dhe mburrej se sa burrë ishte. Nuk i interesonte që unë mërzitesha që ajo krekosej për një burrë tjetër para syve të mi, as që unë e kisha një baba e nuk doja tjetër. I interesonte vetëm të demonstronte dashnorin burrëror si trofe dhe se nuk qe faji i saj që u martua me pushtin.
Kur mbarova Universitetin, babai im u ul e më shpjegoi gjithçka. Kishte kuptuar që para martesës se ishte gej, por nuk donte ta pranonte. Kujtonte se ishte thjesht eksperiment rinor. E kuptoi mirë kur shkoi me dikë familjar dhe menjëherë kërkoi divorcin nga nëna ime duke i thënë të vërtetën. Në atë kohë, homoseksualët nuk rrisnin fëmijë, përveç atyre që fshiheshin pas martesës, kështu që lidhja e babait tim përfundoi, pasi i dashuri i tij mësoi se do më mbante mua. Kështu që, babai im nuk e rregulloi kurrë jetën e tij.
Kur e pyeta babanë nëse e lëndonin fjalët e njerëzve dhe si mundej t’i menaxhonte, ai më tha se nuk lëndohej për veten, por për mua, sepse nuk donte që të mësoja të vërtetën gjysmake e në mënyrë të shëmtuar. Babai im, me gjithë racizmin e stigmatizmin që iu ushtrua, kundrejt meje ishte i përsosur dhe më shumë straight se straight-ët. Vdiq vjet nga pushimi i zemrës dhe në varrim erdhi vetëm nuni im.
Paradoksalisht, nuk u ndjeva e tradhtuar. Babi im më rriti me kaq shumë principe, vlera dhe dashuri, sa nuk do mundja kurrë të kthehesha kundër tij apo zgjedhjeve të tij. Ishte gabimi i tij që u martua pa i dhënë rëndësi prirjeve të tij seksuale, por cila jam unë që ta gjykoj kur ai më rriti me kaq vetësakrifikim e dashuri?!
Pushtllëqet më të mëdha në jetë m’i bënë njerëzit që deklaroheshin straight!/ Me të drejta botimi nga dritare.net