Në një rrëfim të rrallë për Adi Krastën në “SyriTV’ vajza e poetit të madh Lasgush Poradecit tregon detaje nga jeta e dimensioni i tij, të panjohura më parë.
Marie Gusho, nëpërmjet fotove të rralla dha elementë të jetës e dimensionit të poetit si njeri, familjar e mik, përtej këndvështrimit të tij mbi njerëzit e Pogradecit, Tiranës e komunizmit.
“Babai na donte me një dashuri posesive sa neve na lodhte. Thoshte unë komunizmit nuk ia jap fëmijët e mi”, ka thënë vajza e poetit.
Mes të tjerash Marie Gusho ka rrëfyer për familjen e saj, duke thënë se nëna e saj ishte gruaja më e rëndësishme e jetës së babait, edhe pse ai kishte shumë të dashura për të cilat shkruante në gjermanisht që mos zbulohej.
“Mamaja ime ka qenë gruaja më e rëndësishme e jetës së Lasgushit. Ishte mësuese në një nga shkollat e Tiranës.
I ati, gjyshi dhe xhaxhai i babait tim ishin arsimdashës, hapën shkollën shqipe të Pogradecit për herë të parë. Gjyshi e kuptonte që i biri i tij ishte ndryshe, shkonte buzë gjolit, rrinte vetëm, shkonte në pyllin e Pogradecit, kodra. Babai ka qenë i ndjeshëm dhe gjyshi me gojën e vdekjes tha që Llazari të vazhdojë shkollat.
Në shtëpinë tonë kishim një bibliotekë sa faqja e një muri dhe babai thoshte që të gjithë atë e ka në mendje. Një njeri i jashtëzakonshëm si babai im nuk mund të ndërtonte një familje të zakonshme”
Vajza e tij tregon për dashurinë që poeti kishte për liqenin por edhe për qentë që ka rritur e mbajtur gjithë jetën “Lolka”, “Cuci” e të tjerë.
Para se të tregonte momentet e fundit të ndarjes nga jeta dhe amanetin për t’u varrosur në Pogradec si dhe merakun që kishte poeti ndaj vajzave nëse kishin para për nderimet e fundit, Marie Gusho komentoi nga këndi i vet marrëdhëniet që poeti kishte me Kutelin, Kadarenë, Budën dhe Agollin.
Marie Gusho, tregoi edhe për marrëdhënien e veçantë që babai i saj kishte me disa nga personalitetet më të mëdha të letrave shqipe.
‘Lasgushi ka shkruar në ditar: ‘Petro Zheji më do’. Ishin shumë të ngjashëm në personalitet.
Lasgushi me Çabejn kanë qenë shumë shokë, janë dashur shumë.
Mitrushi me babain ishin komshinj në Pogradec.
Kishin marrëdhënie shumë të thellë dhe të veçantë
Lasgushi nuk ishte një burrë i lehtë, kishte shumë sens humori.
Kurrë s’i kam parë mamin dhe babin të qeshin me të madhe.’