Nga Jonida Hitoveizi
Eshref Durmishi, një emër jo shumë i lakuar, të paktën këtej kufirit, është futur në historinë e kinematografisë shqiptare me filmin “Shok”, i cili u nominua në akademinë pretizgjoze të Oscar, në kategorinë e filmit të shkurtër.
Durmishi në këtë film është aktor e bashkëproducent dhe në këtë intervistë për Pasqyre.al, ka rrëfyer disa copëza nga historia e tij personale, e cila është njëra nga tre historitë e “shokëve”.
Ai ka zgjedhur që në film të jetë polici serb, pikërisht ai që, siç tregon aktori e producenti, dikur kur mësonin shqip e kishte rrahur dhe e kishte urdhëruar të këndonte e të fliste serbisht.
Efshref jeni producenti i filmit Shok që konkuron në Oscar në kategorinë e fimit të shkurtër. E kishit menduar se mund të shkonit kaq larg?
Besoj se është ëndërr e çdo artisti në botë, që një ditë të mund të nominohet për Oscar. Për mua personalisht ka qenë një ëndërr, e cila më në fund u bë realitet.
Nuk e kam menduar që do të mund tëshkonim kaq larg në fillim, por pas një rrugëtimi të suksesshëm nëpër festival ndërkombëtare, besimi sa shkonte dhe rritej. Mandej, kur filmi u fut në rrethin e ngushtë besonim edhe më shumë dhe ashtu doli, u futëm në historinë e kinematografisë shqiptare dhe u nominuam për Oscar.
Në Shqipëri emri juaj është lakuar vetëm së fundi, a keni pasur bashkëpunime të mëparshme në Tiranë?
Në Tiranë kam ardhur shpesh me projekte nga Kosova, apo edhe të tjera projekte. Fatkeqësisht kam pasur vetëm një bashkëpunim direkt që më ka ardhur nga Tirana.
Në film jeni aktor dhe producent, cila pjesë ishte më e vështirë për ju?
Të them të drejtën puna e producentit ishte më e lodhshme, sepse është hera e parë që e kam bërë.
Filmi është bazuar në histori të vërtetë, a mund të na i thoni historinë tuaj?
Filmi është i bazuar në tri histori të ndryshme të vërteta, ku njëra nga këto histori është e imja. Bëhet fjalë për kohën kur ne shqiptarët e Kosovës e kemi pasur të ndaluar shkollimin nga ana e represionit dhe okupimit serb, ku ne nuk u ndalëm po shkonim nëpër shkolla edhe shtëpi private e gjatë asaj periudhe më ka ndaluar policia serbe.
Kur më kanë ndaluar më kanë pyetur për letërnjoftimin në gjuhën serbe. U jam përgjigjur se “më vjen keq, nuk flas serbisht”. Atëherë polici ma kthyeu në gjuhën shqipe dhe më ka pyetur se ku po shkoja. Iu përgjigja: “Në shkollë” dhe atëherë më ka rrahur vetëm se po shkoja në shkollë e nuk dija serbisht. –Herën tjetër më thanë se kur të më shihnin duhet “ të flasësh serbisht dhe të këndosh”.
Mendoni se plagët e luftës në Kosovë tashmë janë fashitur?
Jo mendoj se ka akoma shumë plagë nga lufta në Kosovë. Akoma nuk dihet fati i shumë të zhdukurve gjatë luftës e shumë gjëra të tjera.
Efshref, ju prej sa kohësh merreni me kinema?
Unë kam filluar studimet në vitin 2001. Jam diplomuar në vitin 2004 e që nga ajo kohë jam marrë me projekte të ndryshme kinematografike, derisa sa erdhi bashkëpunimi për “Shok”.
Pas këtij suksesi a keni menduar për një film të gjatë, që mund të ketë të njëjtin sukses?
Jam duke punuar në projekte të tjera, për të cilat mundem vetëm të shpresoj që të jenë po aq të suksesshme sa filmi “Shok”.
Si i shihni prodhimet shqiptare në kinema, qoftë Shqipëri apo Kosovë?
Viteve të fundit kemi pasur disa projekte të suksesshme, gjë që më bën me shpresë se do të bëhet më mirë në shqiptari.
Ky moment është vetëm starti apo kulmi i karrierës suaj?
Startin e kam pasur shumë më herët, por kjo është një ëndërr që më është realizuar. Kam arritur majat e kinematografisë, po shpresoj që të mos ndalojë këtu, po të jem edhe shumë herë të tjera në Oscar.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për tu realizuar në film?
Ka pas shumë momente edhe të vështira, gjë që është e natyrshme, pasi është një punë vërtetë e lodhshme. Megjithatë të gjitha harrohen kur arrin majat e suksesit.