“Unë jam një njeri i mirë dhe nuk e pranoj poshtërimin dhe përfundimin në burg për shkak të këtij njeriu që, pasi më mashtroi duke më thënë se do të martohet me mua, do të kishim shtëpinë tonë dhe një djalë, më trajtoi si një prostitutë. Kam bërë një gabim duke i kërkuar atij para në këtë mënyrë, por ishte prekur nderi im dhe veprova me instinktin e një gruaje”.
Kështu është shprehur këngëtarja shqiptare Mirela Qato, në një intervistë për mediat italiane, përpara se të dënohej nga gjykata e Padovës me 2 vjet e katër muaj burg, për shantazhimin e biznesmenit Gazzo Padovano, me të cilin kishte patur një lidhje dashurie.
Në intervistën për gazetarin italian, Ivano Tolettini, dhënë një vit më parë, Mirela pranoi se e kishte shpikur abortin, por sipas saj, biznesmeni e kishte poshtëruar duke e përdorur si një prostitutë.
Mirela rrëfeu edhe momentin kur lidhja e tyre mori një kthesë të shëmtuar.
“I kuptova synimet e tij të vërteta. Ndodhi kur ai më mori një natë për të shkuar për darkë. Mbërriti më shumë se dy orë me vonesë. Më mori në makinë dhe u drejtuam për në Verona. Pastaj ai u ndal para një hoteli, duke më thënë që të prisja 2 minuta. Kur ai doli më tha që do ta kalonim natën aty. Unë u inatosa. Ai pastaj u zemërua, hipi përsëri në makinë dhe ikëm me shpejtësi të madhe, duke ndaluar pak më vonë në një parking ku më detyroi të kryeja marrëdhënie seksuale kundër vullnetit tim. Ai më mori me forcë. Mua më ra të fikët. Kur më në fund u ndërgjegjësova ai i kishte pantallonat e ulura. Unë humba shumë gjak, por u shërova vetë duke u trajtuar për një infeksion. Më pas i thashë atij se do ta denoncoja. Mu lut që të mos e bëja. Më premtoi edhe një shtëpi. Por në të vërtetë u tall me mua dhe unë e hëngra sërish. Pastaj e gënjeva, i kërkova para duke i thënë se kisha pasur një abort, por paratë më duheshin për të trajtuar veten”, u shpreh Mirela.
48-vjeçarja shqiptare Mirela Qato me profesion këngëtare në Itali, i kishte thënë të dashurit të saj biznesmen, Gazzo Padovano, se ishte detyruar ta abortonte fëmijën e tyre dhe kjo i kishte shkaktuar dëme psikologjike, duke e çuar në depresion. Për këtë arsye ajo i kishte kërkuar dëmshpërblim 300 mijë euro. Tashmë këngëtarja shqiptare duhet të qëndrojë pas hekurave për 2 vjet e katër muaj.VOAL