Frederik Ndoci: Më mundën antizotat,  mu duk se flinte mortja e qytetit tem…

frederik ndoci

 

Me një status të gjatë në Facebook, këngëtari i njohur Frederik Ndoci, ka bërë një panoramë të Shqipërisë si e gjet, në rikthimin e tij nga SHBA në vitin 2006. Me një gjuhë të ‘helmët” prej mërisë dhe dhembjes për Shkodrën e përçudnuar dhe shoqërinë shqiptare, ai vjen me rrëfimin e mëposhtëm:

Po kthehesha në atdhe 2006. Isha në vendin e parë në mikrobuzin që u nis nga Ulqini. Emocione të jashtëzakonshme, kisha 10 vite pa u kthyer. Rruga pas Muriçanit filloi të ndiqte Bunën përpjetë…e mendja me shkonte tek vargjet e “lamtumir o mori Shkodër, lamtumir more Cukal, zhduket Buna në nji kodër, hup Drini nga nji mal”. Me kujdes shoh rrotull, dhe me shpejtsin që më karakterizon fshij lotin, që padrejtsisht quhet “tradhtar”. Shoferi me cigare në gojë i heshtun dhe i përqëndruem në rrugën që me siguri e kishte shkel mijëra herë, më pa dhe më pyeti:- a je mirë? Po- i pohova me krye, Ai shtoi: -thash je tuj shku për hall?! Jo i thashe veç njajo, duke i tregu siluetën e Rozafës që dukej, njajo po më sh’burrnon. Shoferi nuk më njihte, por meqë isha i pari që kisha ardhë në stacion, dhe kur na mori pasaportat mendoi që si qytetar i SHBA të më trajtonte pak ma mir. Pas pak kaluem urën e Bunës dhe ngadalë mikrobuzi mori drejtimin për nga qendra. Çdo pemë më dukej se po frynte për mu atë mbasdite të nxehte qershori. Mundohesha të perceptoja kalimtarët e shumtë trotuareve që tregtonin gjithçka,-se mos njoh ndonjenin. Sa ma shum i afroheshim qendrës, mikrobuzi ecte avash duke iu ruajtur gropave të panumërta që e bënin trafikun akoma ma të egër dhe rrëmujë si në Bangladesh. Eh Shkodra ime Bangladesh… Prapë një lot rrëshqiti, kësaj here as nuk e çava kryet për ta fshirë, mu duk si perlë që zbukuronte dhe lehtësonte arsyen e paarsyeshme të mungesës kaq të gjatë. Jeta jonë e përzanë nga dëshira apo lakmia? Nga paaftësia apo nga varfëria? Nga padrejtësia apo nga antishqiptaria? Gjithësesi arritëm tek gërmadha e parë e qendrës, dikur luksi ma i madh i socializmit, hotel Rozafa, tashti i ngjante një dhëmballe të mbushur 4 herë. U ula si i topitun. Përballë busti i Migjenit me 4-5 kulumria mbi krye, e poshtë kambëve të tyne një qilim i madh glacash, si kunorë rreth ballit të gjanë të poetit…

“Na t’birt e shekullit të ri

që plakun e lam në shejtnin e tij…”

Një ndjenjë gazi mu rikthye si vazhdimsi e cinizmit, që më ka karakterizu qysh se mësova me perceptu në adoloshencë gjanat.

Shkodra po më priste siç me përcolli, pa bujë, me vapë, qetësisht… Kisha valixhet e randa dhe pasi mora taksinë i thashë  shoferit adresën. Shkodra ishte as ma pak as ma shum një trishtim si në vitet 1990, e rrënuar e shtrydhun, e dobsueme si një njeri me leuçemi dhe ulçer për 30 vite. Fillova të kërkoj ndonjë shkak për të mos derdhur lot, e mu kujtue barsoleta e Tefës, “ba me u hap kufini, un hypi në pemë, se më merr turma me vete”.

Rrugës së Giuhadolit nga shtëpia muze e Luigj Gurakuqit, pash murin e avullisë së hapur dhe disa lëndë ndërtimi, gur, tulla, trarë, rërë. I them shoferit të lutem a ma ndal vetëm 5 minuta? Po mor, po për çfarë? Tia baj nji foto shtëpis së Luigjit. “Haaaahahah”, qeshi shoferi në kofidencë shkodrane, po çfarë shpijet mor, ka dy vjet që e ka shemb ai që e ka ble!!! E ka shemb?? Shoferi ndali taksinë, dhe më tha që ‘hin e bindu’. Hyna brenda në oborr, aty mu duk se flinte mortja e qytetit tem, pra Shkodra nuk kishte as Rozafë, as Luigj, as britmë, as mitologji, as poezi, as cinizëm. Tashti ma në fund historia e qytetit tem kishte përfundu në historina kallashësh në historina të fortësh, në historina POLITIKUAJSH, në ngjarje të pa vlera por që paskan vlerë deri në orën 6 pasdite, sepse njerëzit ndiznin qirinjtë e vakët të mbramjes.

Qyteti im në letargji… Pijetoret ishin ma modernet, por në ekstazinë e pijes ata e thyenin shtetrrethimin, nuk flinin deri në 9. Zhurma e elektromotorrëve ma thellonte mendimin se Shkodra qyteti im, tashma ishte si një avulltore nëpër lumin e Bunës por tuj u njit Bunës përpjetë. Hypa në makinë. Sapo u mbyll dera mu shgreh nji andrenalinë vaji. Gropat as më banin ma përshtypje, fillova të mallkoj vedin, pse u ktheva, fillova të mallkoj Fishtën që nuk e bani krejt një poezi me kuptimin e plot të fjalës, “le ta din gjith bota mbar, se a ka mbet kush me i than vedit shqiptar?!” Rrik mos u merakos shum se nuk kena kohë edhe pak errësohet e na duhet me e gjet shtratin para se të errësohet krejtsisht. Koncepti energji, më kujtoi ‘Black out’ në Neë York, ku njerzit festonin atë natë ‘very fany” nëpër rrugë me birra, me thirrje lumturie, ma nse fund qyteti dritse nse terr.

Shkodra ime pa drita, i fshihej skutave të Botës, që të mos dukej naten trishtimi i atyre që kishin ardhë dhe atyre që kishin mbetë… Nuk ishte Shkodër absolutisht asnjë fije, ishte thjesht një album i jetës sime që po kalonte në zgavrat e kokës dhe po ma hante trunin. I kishin hyrë krimbat antishqiptarë dhe me metastazat e shpirtdhanies, Shkodra dukej se po buzëqeshte nga dhimbjet, zgërdhihej Shkodra ime duke na than fuqimisht me za der në kup të qiellës, historia ime fle nën dhe…

Pas disa ditësh shkova në Varrezat e Rrmaj-ve, aty vendosa do lule tek te afërmit, Genti, Axha, Angjelini, Daja Martin… Mbasi mbarova punë, i tham Arjanit, a ka rrugë për në Fishtë e Theth?

Vendosëm që të nesërmen me u nisë për Fishtë. Nuk qava aspak, kur pashë gërdhallat e shtëpisë së poetit Gjergj Fishta. Nuk u çudita, poeti ishte heretik i PPSH dhe e meritonte akoma të ishte i dënuar. Po mirë, lufta për ekzistencë kuptohet, por jo deri njaty.

Pas disa ditësh shkuam në Tiranë dhe i kërkova që të më afronin te shtëpia e partisë, sy të zgurdulluar më shikonin me njëmij e nji pikpyetje. Po a je në vete apo të ka zan vapa? Jo i thash du me shu nji kureshtje. Ajo ishte si atëherë kur na detyruan me forcë ta vizitonim, edhe shtëpia muze e Vojo Kushit. Mu mbush mendja top, kam qejf mos me përfundu  i vram pabesisht nga kushrijt nëpër botë, ma mirë te kacafytem me antishqiptar nëpër Shqipëri.

Nuk jam dorzue por më kan mundur, më kan mundur antishqiptarët, antishkodranët, antikristianet, antitoksorët, anti shpirtërorët, anti të vobektit, anti tëpangijshmit, anti Zotat. Po u la Shkodrën Sulltan Hamita ta sh… brij e në brij siç ma keni sh… deri më tash.(Pasqyre.al)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *