BBC kujton jetën dhe veprën e gjigantit hollivudian Marlon Brando përmes dokumentarit “Më dëgjoni, Marlon”, ndërsa ish-punonjësi i BBC Findaly McRae përshkruan edhe një bisedë telefonike tejet private e të paharrueshme me yllin e kinemasë.
“Mora telefonin dhe i rashë numrit që kisha gjetur në internet. Siç pritej, telefoni binte e binte … dhe pastaj dikush u përgjigj. U befasova: ishte ora 11-të në Britaninë e Madhe dhe me llogaritjet e mia, ishte ora 3 e mëngjesit në Los Angeles.
“Oh, alo, a mund të flas me dikë në lidhje me Marlon Brandon?”, – e dëgjova veten time të thoshte. Një pauzë. “Jam Marlon Brando”, – erdhi përgjigja.
“Oh, si jeni?”, e pyeta, pothuajse i pamatur. “Po flija dhe ju më zgjuat. Kush jeni ju dhe nga jeni?”, – më pyeti me zërin e tij të pagabueshëm.
Ishte viti 2004 dhe unë po punoja si hulumtues mbi të “Mëdhenjtë e Hollywood-it”, të Jonathan Ross.
Ne kishim bërë programe me Kirk Douglas, Jimmy Stewart, Tom Cruise, Anthony Hopkins, por kishim kohë që ndiqnim këmba-këmbës pa bërë ende asgjë- Marlon Brandon. Shpesh i kishim vajtur shumë afër, por ai bëhej gjithnjë e më i mbyllur dhe qëndronte larg syve të publikut.
Brando nuk kishte punuar për vite me radhë; ishte tejet privat dhe tejet i vështirë për t’u marrë me të. Dhe ja ku isha unë, një djalë në të njëzetat dhe krejt nervoz në telefon me vetë atë. I thashë kush isha dhe i shpjegova se isha britanik, duke shpresuar se diçka do të ngjallte interes tek ai. “Ju nuk dukeni si britanik”, tha ai. I befasuar pak, i shpjegova se isha skocez. Po aq shpejt sa një blic drite e dëgjova të thoshte: “A mund të thoni “’it’s a braw bricht moonlicht nicht the nicht”?
Tani, ju mund të pyesni veten se pse më kërkoi Brandon mua të thosha këtë frazë. Kjo ishte një thënie (që përkthehet “është një natë e bukur mbuluar me dritë hëne sonte”) e bërë popullore nga artisti skocez Harry Lauder në vitet 1920 dhe Brando, ishte qartazi një dashamirës i tij.
Mund ta imagjinoja se ai po vinte në provë kredencialet e mia si skocez! Fatmirësisht, e përsërita frazën dhe ai qeshi. E kisha kaluar në mënyrë të qartë testin.
Unë vazhdova t’i shpjegoja se pse e kisha telefonuar. “Më thirr përsëri pas dy javësh do t’ju jap një përgjigje”, murmuriti ai.
Këtë herë të dytë, përdora zyrën e shefit dhe producentit tim; kush nuk do të donte të dëgjonte zërin e Marlon Brandos? Dhe në fakt, ai iu përgjigj telefonatës sime.
Ne folëm për rreth gjysmë ore. Ai nuk donte që të bënim një dokumentar dhe më shpjegoi se ishte i zhgënjyer me karrierën e tij. “Mos më keqkuptoni, e vë ende ushqimin në tryezë dhe këpucët ua mbath fëmijëve, por unë nuk mund të ec nëpër rrugë ose të shkoj për një pije në një bar siç mund të shkoni ju”, -shpjegoi ai.
Biseduam për Harry Lauder. Ishte me të vërtetë fans i tij dhe më foli gjerë e gjatë në lidhje me këngët që ai pëlqente. Unë vetëm e kam dëgjuar, ndërsa ai bisedonte nga larg. Më dukej si të isha duke folur me gjyshin tim. Ai ishte njeri i mirë.
Si një falenderim i dërgova atij më vonë një pako me libra me peizazhe skoceze, një shall stofi skocez, uiski dhe një CD me hitet më të mëdha të Harry Lauder – duke shpresuar më kot, se do të rishqyrtonte pjesëmarrjen në dokumentarin për të. Fatkeqësisht ai nuk pranoi dhe disa muaj pas telefonatës sime, vdiq.
Ama, unë kurrë nuk do ta harroj ditën kur e zgjova Marlon Brandon. Në atë kohë, nuk mendoj se arrita ta vlerësoja plotësisht se sa telefonatë e veçantë që ishte./Pasqyre.al