Rrëfenjë e dy vogëlusheve

Nga Xhafer Rakipllari

Gjashtë e mëngjesit, në Bllok, Tiranë. Alarmi i një iphone bie. Në fillim snoozed, sërish snoozed, pastaj turn off (I speak English). Hapa të rrituri hynë në dhomë. Një dorë e rritur gjen 10 gishta të vegjël, me butësi rreket t’i fusë ata në çorape. Nën çarçafë pambuku dy doçka fërkojnë sytë e veckël. Një vogëlushe zgjohet.

Është gjashtë e mëngjesit, në jetimore, Shkodër. Asnjë alarm iphone, as orë nuk bie. Asnjë fëmijë nuk gërhet. Veç zorrë. Hapa të rrituri thyejnë qetësinë. Duar të çelikta ngulen në mish. Një vashëz e vogël dridhet si purtekë. Doçka të vockla fshijnë lotë të mëdhenj.

Tetë e mëngjesit, në Bllok, Tiranë. Drita verdhacuke e diellit bie pingul në tryezën e kuzhinës. Ka edhe luledielli. Një gotë qumështi me çokollatë. Një dorë e butë përzjen shtresa të jogurtit me manaferra në një tas qelqi. Një vajzë e vockël ulet, e emocionuar, drejt. Një parfait, e parapëlqyera. Bash si të ishte e dielë.

Është tetë e mëngjesit, në jetimore, Shkodër. Shishe plastike digjen në një gropë zjarri atypari, bukë që piqet në bythën e një kusie. Një dorë e ftohtë ushqen tymin e zi dhe kalon tri gota. Një vajzë e vockël rreh duart me emocion, këmbëkryq në dysheme. Bukë e ngrohtë njomur me çaj, e parapëlqyera! Dita e racionit si ditë pushimi.

Nëntë e tridhjetë, në Bllok, Tiranë. Rreshti i dytë, nga e majta, në një shkollë private, në një klasë me 10 vetë, një vajzë e vockël me uniformë blu psherëtin. 30 minuta në orën e matematikës, edhe 60 të tjera për të mbaruar. Llogaritja mori dy minuta, pra edhe 58 të tjera. Tmerr!

Është nëntë e tridhjetë, në jetimore, Shkodër. Në cepin e një klase të improvizuar, një tjetër vajzë e vockël veshur me përparëse të bardhë bën llogari: sa herë dajak në ditë, kafshime, të çjerra, pa numëruar herët e tjera që merr marria kujdestaren. 3 fëmijë, 30 ditë në muaj. Stomaku i qan, zemra i pikon, e humb përqëndrimin dhe numërimin. I duhet të fillojë nga e para, sidoqoftë, ka kohë.

Ora një, në Bllok, Tiranë. Një vajzë e vockël mban tabakanë e ushqimit të drekës. Doçka e saj merr tri pjata. Sallatë jeshille me karrotë, spageti dhe qofte. Dhe puding çokollate, e parapëlqyera! Por vajzat e tjera janë sa të hijshme, dhe… të dobëta. Ajo zgjedh vetëm sallatën dhe hedh pudingun në kosh. Sidoqoftë, nuk kishte uri.

Është ora një, në jetimore, Shkodër. Një vajzë e vogël pi më shumë çaj. Më të errët e të dendur se i mëngjesit, tani edhe më i hidhur. Si fati i saj. Në tasin e saj, veç bukë, në trupin e saj veç dhunë. Vogëlushja është aq e “uritur” për ushqim (dhe dashuri), kurse “racioni” i saj aq i thatë. Ndaj ajo imagjinon pudding (dhe përkëdhelje), i parapëlqyeri i saj, dhe e shijon çdo kafshatë.

Pesë e mbrëmjes, në dy botë të ndryshme. Dy vajza të vockla luajnë. Njëra ndërton një kështjellë me pjesëza plastike, tjetra vesh një kukull të gjetur. E para pretendon se është princeshë, e dyta ëndërron të bëhet e tillë një ditë.

Është tetë e mbrëmjes, në dy botë të ndryshme. Dy vajza të vockla janë në shtrat. Një masiv kockash kalon atypari zhurmshëm, si të shpërndante re të zeza në një qiell blu. Një vajzë e vockël bën me dorë nga dritarja e saj. Vogëlushja tjetër kafshon buzët nga dhimbja.

Dita mbaroi tashmë.
Në dy botë që nuk do të piqen kurrë.
Dy vogëlushe bien në gjumë…

PS. Fëmijëve të jetimores të vogël Shkodër, dhe jetimores së madhe Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *