Rock the dictator/ Renis Gjoka: Ka një demokraci të tepruar që i jep të drejtën çdo idioti të merret me art!

Jonida Hitoveizi

Një koncert i pazakontë ka qenë ai që Renis Gjoka na dhuroi në “fortesën e diktatorit”. Pikërisht në vilën e Enver Hoxhës, ku muzika rrok mbushi hapësirën, nëpër të cilën dikur bridhnin e merrnin jetë paranojat e diktatorit më të egër të Evropës kundër popullit të tij.

Në një intervistë të shkurtër për gazetapasqyre.al Renisi na tregon se ideja e këtij koncerti lindi në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa koncerti u luajt në tre hapësira; zyra, holli dhe oborri.  Për Renisin, i cili edhe prej geneve di të na dhurojë vetëm muzikë të mirë, sot diktatura kundër artit vjen nga mediat, të cilat shpesh bëhen mjetet e palë me pseudoartistët, duke u dhënë një hapësirë e vend të pamerituar.

Rrok në shtëpinë e diktatorit, përse pikërisht aty?

Ashtu si në video-games, vila simbolizon fortesën e fundit. Në rast se e “shemb”, çliron lojën dhe aty mbaron gjithçka.

Beson se përmes rrokut mund të transmetosh më lehtë mesazhe të fuqishme, sociale e politike?

Është një mjet i fortë patjetër, por që duhet përdorur ashtu siç duhet. Përndryshe nuk ka efekt.

A ka mbetur ende pak diktaturë në art, sidomos në atë ç’ka promovohet. Shpesh duket se ka një tendencë të mos merret njeri me ata që vlejnë, por me sensacionin? Të duket problem kjo pjesë?

Nuk është diktaturë në art. Përkundrazi, është një dekmokraci e tepruar që i jep të drejtën çdo idioti të merret me art. Diktatura qëndron tek mediat, të cilat në shumicën e rasteve, janë bërë palë me këta pseudoartistë, duke rënë në nivelin e tyre.

Kur u torr ideja e një koncerti të tillë, Renis?

Ideja për këtë koncert nisi në nëntor të vitit të kaluar.

Koncerti yt është pritur mjaft mirë nga publiku, ka patur vëmendjen e duhur. Sa e vështirë është për një artist të arrijë të realizojë një ngjarje të tillë kulturore?

Nuk jam tip që ankohem nga puna, por kësaj radhe jemi lodhur pak, pasi ishte një projekt shumë ambicioz i imi, për të cilin bëra një kompromis me veten, që nuk do të anashkaloja as detajin më të vogël për hir të ngarkesës. Një lodhje, që kënaqësinë po ia ndjej tani.

Zyra, holli dhe oborri, çfarë ke dashur të transmetosh përtej këngëve me vendet e zgjedhura?

Përveç pjesës estetike dhe funksionale, edhe konceptualisht, ambjentet kanë lidhje me strukturën e këngëve. Zyra është personale, dhe si e tillë, meriton një muzikë më intime. Prandaj në atë lokacion u luajt unplugged. Holli kryesor, më madhështor edhe me më shumë hapësirë shoqëruar me mermer, i cili i jep një ftohtësi atij ambjenti. Fiks për muzik rrok. Oborri pastaj, hapësirë pafund. Hapësirë, e cila nuk mund të mbushej qoftë edhe vizualisht, me vetëm 4 apo 5 pjesëtarë. Orkestra i rrinte si me porosi atij mjedisi

Cilin nga bashkëpunimet me këngëtarët e tjerë do të veçoje, nëse munde ( mua psh më pëlqeu shumë kënga me Robert Aliaj)…

Nuk i veçoj dot. Secili nga të ftuarit ka personalitetin e vet në rrymën apo fushën e vet dhe për mua janë të gjithë shumë lart.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *