Këngëtarja e njohur me origjinë nga Kosova, Rita Ora ka mbështetur filmin “Shok” në garën për Oscar ndërsa ka përmendur njëherësh edhe ditën e pavarësisë së Kosovës. Përmes një postimi në Twitter ajo ka përkrahur fimin që trajton luftën e Kosovës dhe dhunën serbe.
“Shok” është filmi i parë kosovar ndonjëherë i futur në Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, Live Action Short Film. Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë. Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë. ‘Shok’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.