Rikthehet në teatër, drama e ndaluar “Njollat e murrme”

Drama “Njollat e Murrme” e Minush Jeros, e ndaluar gjatë komunizmit, rikthehet si forum teatër. Me një kast të përbërë prej aktorëve Sonila Kapidani, Klodjana Keco, Shkëlzen Berisha, Armela Demaj, Roerd Toçe dhe Arben Bruci, ajo vjen sonte në orën 18:00.
“Njollat e murrme” drama e njohur e Minush Jeros vjen në skenën e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol) pas 48 vjetësh në formën e Forum Teatrit.
Janë përzgjedhur disa episode kryesore të veprës së ndaluar në vitin 1973 të cilat do të inskenohen në sallën “Çehov” të teatrit sot në orën 18:00 nga aktorët Shkëlzen Berisha, Armela Demaj, Klodjana Keco, Roerd Toce, Arben Bruci nën drejtimin e Sonila Kapidanit. Sipas saj është zgjedhur forma e Forum-Teatrit, me qëllim përfshirjen e drejtpërdrejtë të publikut. “Do të realizojmë një prezantim të dobishëm dhe nxitës për shoqërinë, që nuk mëton të japë zgjidhje absolute, por të hulumtojë shtigje dhe mundësi, që respektojnë të drejtën njerëzore. Realizimi i këtij forumi, do të synojë eksplorimin e çështjeve si liria e njeriut, të drejtat themelore qytetare si edhe ato, që prekin bërthamën e shoqërisë, familjen dhe rolit të gjithësecilit pjesëtare në harmoninë e saj”, shprehet Kapidani.
Drama “Njollat e Murrme” është një vepër e vënë në skenë në vitin 1968 dhe pasi mori vlerësimet më të mëdha si vepër mjaft e arrirë estetikisht, ajo u dënua nga diktatura si manifestim i liberalizmit dhe paskësaj ndërroi kahun e jetës të shumë artistëve, që e realizuan dhe kritikëve që e vlerësuan. “Një shfaqje artistike e konsideruar si mjaft e suksesshme, me një të rënë të lapsit, u kthye në makth të shumë artistëve e quajtur si antisocialiste. Sot, në këtë aktualitet që po përpiqet të zbardhë errësirën e asaj kohe të padrejtë, ky prezantim do të vijë edhe si njohje, edhe si kujtesë edhe si mundësi për të artikuluar dëmet dhe çlirimin nga pesha e tyre”, shprehet Kapidani. Aktiviteti do të jetë sot, në sallën “Çehov” të Teatrit Metropol, në orën 18:00 dhe zgjat rreth një orë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *