Me një financim prej 620 mijë euro nga Bashkimi Europian ka përfunduar restaurimi i qendrës muzeale të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Financimi nga BE i këtij projekti është në kuadër të një fondi për rehabilitimin e trashëgimisë së vendeve të Europës Juglindore.
Në sajë të këtij projekti është rikonstruktuar plotësisht Manastiri i Shën Mërisë, muret e të cilit ishin plasaritur aq shumë sa përbënin rrezik për vetë godinën. Restaurime janë kryer në Portikun e Statujave, trapezeri, muzeume etj. Ndërsa me një fond shtesë ka përfunduar edhe restaurimi i Agonotetëve, emblemës së qytetit antik të Apolonisë.
Në kuadër të projektit është bërë po ashtu edhe restaurimi i kabinës elektrike që ndodhet në pjesën e jashtme të monumentin të Agonotetëve si dhe depoja arkeologjike e ujit, ku është krijuar mundësia për të bërë të vizitueshme edhe trapezerinë arkeologjike, ku janë restauruar disa nga rrënojat.
Në pjesën hyrëse të parkut ka përfunduar hyrja e re që përfshin parkimin si dhe krijimin e një porte të re hyrëse për vizitorët në përputhje me infrastrukturën e re rrugore. Po ashtu ka përfunduar edhe ndërtimi i rrjetit hidro-sanitar ku përfshihet ndërtimi i një rrjeti bashkëkohor kundër zjarrit.