Pas debateve të shumta mbi restaurimin e Kullë së Sahatit IMK ka sqaruar punëne kryer duke sqaruar se është përdorur e njëjta bojë si në 2009-ën.
Reagimi i plotë i IMK-së:
Projekti i ndërhyrjeve restaururese në objektin “Kulla e Sahatit në Tiranë”, monument kulture i kategorisë së I-rë, i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.181, datë 25.09.2015, parashikon një sërë ndërhyrjesh restauruese në këtë objekt dhe është mbështetur në projektin e restaurimit të realizuar sipas projektit të vitit 2009, miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.1, datë 27.03.2009.
Projekti i restaurimit të Kullës së Sahatit është hartuar nga IMK pas një analize të thellë të monumentit ne bashkepunim me specialistet e Bashkise Tiranë, të ndërhyrjeve të bëra në të gjatë viteve dhe të problematikës aktuale.
Punimet po kryhen nga shoqëri e licensuar dhe mbikëqyren nga specialistë të IMK. Ftojmë të interesuarit të shfletojnë materialin e pasur pranë arkivës së IMK, ku vihet re qartë vijueshmëria e përdorimit të materialeve sipas projektit të parë të restaurimit të vitit 2009 kur është përdorur e njëjta bojë. Boja e përdorur në rastin në fjalë është bojë akriliku me bazë kuarci e përshtatshme për aplikime në fasadat e jashtme.
Kjo bojë siguron rezistencë të lartë kundër agjentëve atmosferikë si edhe ka veti të mira që garantojnë frymëmarrjen e fasadës. Kjo lloj boje është vërtetuar se ka aftësi shumë të mira konservuese për godinën ku aplikohet pasi ka përqindje të ulët përthithëse të lagështirës.