Salvatore Quasimodo
________
Hëna e kuqe, era, çehrja jote
prej gruaje veriore, shtrati me dëborë…
Tashmë zemra ime rri këtyre lëndinave,
në këto ujvara me vranësi mjegullnajash.
Detin s’e kujtoj më, as guaskën
e barrshme që fryjnë barinjtë siçilianë,
avazin e qerreve lart e poshtë rrugëve
ku çiçibanozi drithëron në tymin e kallamishtave,
s’e kujtoj as hapin e çafkave dhe të bigave
në frymën e rrafshnaltave të gjelbra,
këtu ku jam, në tokat dhe lumenjtë e Lombardisë.
Ama njeriu këlthet ngado fatin e një atdheu.
Më njeri s’do t’më shpjerë në Jug.
Medet, Jugu u sfilit së zvarrituri kufoma
rrëzë kënetave të malarjes,
u sfilit së qeni fillikat, u sfilit nga vargonjtë,
u sfilit në gojën e vet
prej nëmeve të gjithë sojeve,
që vdekje kanë klithur me jehonën e puseve të tij,
që kanë rrufitur gjakun e zemrës së tij.
Ndaj vocërrakët e tij kthehen mbi kodra,
bëjnë zap kuajt ndënë mbulesa yjesh,
mbllaçisin lule akacijesh gjatë vraporeve
sërisht të kuqe, ende të kuqe ende të kuqe.
Më njeri s’do më shpjerë në Jug.
Dhe kjo mbrëmje mbarsur dimërisht
është ende e jona, ndaj ta përsëris
ison time të pavend
plot ëmblësi dhe furi,
këtë rënkim dashuror pa dashuri.
Shqip: Edon Qesari