Rënia e Konstandinopojës dhe triumfi i pashallarëve arbër

Nga Dorian Koçi

Në 29 maj të kalendarit Julian 1453, Kostandinopoja ra në duart e otomaneve, një ngjarje qe pati një ndikim absolutisht te madh në ekulibrin e forcave në Mesjetë e qe influencoi ne historinë e Mesdheut.

Për herë të parë Mesdheu, që pas daljes së arabëve aty në shekullin e VII që e kishin ndarë atë më dysh në Mesdheun verior dhe atë jugor, ndarje që përfaqësonin dhe dy qytetërime të ndryshme të ndërtuara mbi bërthama  fetare  të Krishtërimit dhe Islamit,  si vëren me të drejtë Anri Piren, ndryshon sërish balanca politike, ekomomike dhe kulturore  ku dalë nga dalë me pushtimin e arkipelagut grek dhe inkursioneve barbareske nga ana e Algjerit e Marokut drejt brigjeve evropiane, ai kthehet në një liqen otoman, burim pasigurie për tregtinë dhe jetën e banorëve të brigjeve evropiane. Në vitin 1453, një pjesë e madhe e territorit shqiptar administrohej nga Skënderbeu dhe princa të pavarur shqiptarë që po shijonin frytet e një aleance e traktati miqësie me Alfonsin e Aragonës që pas fitores së tyre të madhe mbrojtjen e Krujës më 1450, një prej kështjellave më të rëndësishme të qendresës evropiane. Rënia e Konstandinopojës , një nga qendrave më të rëndësishme të pushtetit botëror me perandorët e të cilës shpesh herë kishin lidhur dhe gjenalogjitë e tyre si Muzakajt dhe Aranitët, i tronditi jo pak, pasi tashmë rruga e osmanëve drejt Evropës ishte e hapur dhe asgjë nuk mund ti ndalte.

Por jo të gjithë shqiptarët mendonin kështu. Një pjesë e tyre që qenë rekrutuar ashtu si dhe vet Skënderbeu në sistemin e devshirmesë të jenicërëve të famshëm dhe që shërbenin ende në trupat e Sulltan Mehmetit II, ne mënyre te pandërgjegjshme po kryenin detyrën ushtarake dhe në bazë të së drejtës islamike prisnin të merrnin shpërblimin nga pushtimi i tokave të reja. Një njëriu te thjeshte nga korpusi i jenicerëve, nga Badera e Matit, i buzëqeshi fati sepse ishte nga të parët qe u ngjit ne mure e nguli aty, flamurin osman. Për këtë arsye ai u gradua pasha dhe hyri ne historinë e otomaneve dhe te Shqipërisë me emrin Ballaban Pashe Badera. Historia e mëvonshme e tij  është e njohur se çfarë përfaqëson, ç’përpjekje bën dhe sesi përfundon por ajo që na intereson më tepër në historinë e tij është mënyra e gradimit nga jeniçer i thjeshtë në pasha. Ky sistem gradimi, për një popullsi vitale e luftarake si shqiptarët,  rezultoi te ishte fatale për historinë politike te tyre, pasi nisi të shërbente si pol i mirë tërheqje për të bërë karrierë të shpejtë qoftë dhe mbi gjak, vuajtje dhe kufoma të të tjerëve. Edhe më parë këtë cilësi të shquar të tyre e kishin shfrytëzuar latinët duke i tërhequr në perandorinë e pamasë të tyre por për shkak se dy brigjet e Adriatikut kishin provuar shpesh herë emigrime dhe migrime të ndryshme mdis popullsive nga të dy anët e Adriatikut, qytetërimet që ishin krijuar në të dy brigjet e këtij deti kishin qenë të ngjashëm. Marrëdhëniet reciproke kishin vazhduar dhe tashmë , qytetërimet e gjuhëve vernakulare që po dilnn si bija të latineshtes nga pikëpamja kulturore  kishin marrë  udhë. Kjo ishte dhe një nga arsyet që ky pushtim i ri, i huaj , krejt i ndryshëm nga bota kulturore e shpirtërore i krijuar deri më tash po përjetohej si një tragjedi. Mbi të gjitha me të drejtën kanunore të tij të bazuar në Sherihat, kulturën dhe dominancën e më të fortit po krijonte një kulturë të re, krejt të kundërt nga më e mëparshmja. Ndoshta qe atëherë u rrënjos shprehja se këtë post/grade e kam marre me gjak dhe konsiderata qe postet e larta arrihen vetëm me meritokracinë e dhunës i largoi shqiptarët nga loget e burrave që i përngjanin agorave dhe forumeve të vjetra antike ku diskutoheshin e debatoheshin idetë para se të merrnin vendime të rëndësishme dhe i shtyu të bënin famë e pasuri përmes plaçkitjes e dhunës së territoreve të reja,  që pushtonin në  betejat e pafund në emër të Perandorisë Otomane. Kjo kulturë politike na kushtoi shumë sepse në shekuj nuk arritëm ndonjëherë të mendojmë për qenësinë tonë dhe prosperitetin përtej një beteje plaçkitëse dhe rezultati ishte fatal, sepse kur të tjerët krijuan identetet e tyre kombëtare dhe mbi bazën e tyre shtetet kombëtare, ne akoma përpëliteshim në beteja identitare për zgjedhur mes Lindjes e Perëndimit. Sot pas gjashtë shekujsh e gjysëm nga kjo ngjarje , Shqipëria e ka zgjidhur këtë dilemë por sërish vendi mbete një territor ku frynë shumë erëra dhe korrente nga Lindja e Perëndimi, dhe shqiptarët duhet vazhdimisht të kujtojnë vargjet e Poetit të tyre kombëtar, Naim Frashërit që këndonte në fund të shekullit të XIX “O dritë e bekuar që lind andej nga perëndon….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *