Faruk Buzhala
“Askush nuk punon për ty, ti duhet të punosh vetë për fatin dhe karrierën tënde. Ky është çmimi i famës, kështu bëjnë të gjitha, përtej asaj bukurie dhe hijeshie pasarelash të botës që ajo njihte e joshej, ishin magnatët, bosët, të pasurit, mbështetësit, të fortit, pasunarët, parelinjtë, koqengopurit me para”, vlerëson në një episod të romanit të saj “Kukullat nuk kanë atdhe” Flutura Açka, roman ky që me strukturën e tij dhe rrafshin intrigues të mban pezull gjatë gjithë kohës së leximit dhe shijimit estetik. Mënyrë e saj e të shkruarit si dhe qasja në strukturimin e subjektit në këtë roman. stili i saj, gjuha e pasur dhe e modifikuar, sistemimi i personazheve dhe përshkrimi i situatave, si dhe ngjyrimi i motivit, janë dëshmi se kjo shkrimtare është njohëse e mirë e fenomeneve dhe vëzhguese e rrjedhave të problemeve që janë të pasqyruara përmes personazheve në roman, të cilat edhe kanë një reflektim të dukshëm në jetën tonë shoqërore.
Çështja që e mundon autoren është një brengë kolektive, e cila individualizohet nëpërmjet shpërfaqjes tek çdokush që merr në dorë këtë roman të Fluturës. Është ky roman, në të cilin e gjen veten aty çdo grua, çdo burrë, çdo politikan, çdo gazetar, çdo taksist, çdo poet; thënë më thjeshtë këtu gjen veten gjithsecili qytetar, sepse të gjithë janë dëshmitarë të tranzicionit të gjatë dhe të lodhshëm shqiptar.
Romani nisë me një parantezë, ku shkrimtarja e jep idenë që e shtyn të merret me krijimin e subjektit të veprës e që është një shitëse kukullash, e cila një të diele i troket në derë të apartamentit
të saj. Mandej vazhdon me “fillesë”, ku Matrona (një grua që është koleksionuese e kukullave), i nxjerrë kukullat nga jeta e saj në
jetën e lirë. Ato në heshtje dalin në skenë një nga një, për t’u bërë pjesë e publikut dhe pjesë e realitetit tonë.
Tërë drama zhvillohet rreth këtyre personazheve duke përmbledhur gjithë ngjarjen deri në përmbylljen me vetëm pak protagonistë, duke e finalizuar motivin e veprës me një mesazh që është mjaft domethënës dhe i kuptueshëm. E ne, nuk mund të krijojmë bindje për realitetin vetëm me atë që na shpaloset në mjetet e informacionit rreth përditshmërisë siç ndodh me njerëz që besojnë të gjithat që shohin në kanalet televizive dhe shtypin ditor, të cilat janë me plot kronika të zeza dhe rozë. Këtë mendim na e jep edhe autorja kur thotë: “Ha, pi, qi, fle, rri – dhe shih televizor. Orendia më e rëndësishme e shtëpive shqiptare”, nga e cila burojnë tërë informacionet, me të cilat informohen njerëzit.
Flutura në këtë roman na paraqet shumë batuta dhe fragmente nga përditshmëria me një dozë ironike. Këtu kemi edhe shumë dilema dhe kontradikta me të cilat përballen personazhet e saj. Ka edhe shumë supozime që ngjajnë në argumente të qarta për rrethanat e kohës dhe të vendit. Një nga motivet është edhe keqtrajtimi i grave, me të cilën edhe identifikohet kjo vepër, ndërsa mbështetet në konstatimin se ‘’Burri e gruaja janë në të njëjtin shtrat, por jo në të njëjtën strehë shqetësimi’’.(Zëri)