Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë nuk rresht së promovuari në profilin e tij në rrjetet sociale kulturën dhe historinë e Shqipërisë.
Këtë herë ka ndërthurur historinë me kulturën, teksa paraqet një foto të vjetër që e cilëson shumë prekëse të Fra’ Leonardo de Martinon, autor i veprës “Harpa e një italo-arbëreshi”, tek i tregon me indeks çunakut të vogël që mendohet se është Prenk Bib Doda, princ i Mirditorëve e patriot deri në vdekje.
Rama thotë se profecia e fratit arbëresh realizohet, teksa princi i Mirditës do të luftojë për Pavarësinë dhe krijimin e shtetit shqiptar por dhe do japë jetën gjatë një atentati të pabesë, për mëvetësinë e shtetit shqiptar.
Ja çfarë shkruan Rama:
AMARCORD
Në këtë foto të vjetër dhe vërtet prekëse, shohim Fra’ Leonardo de Martinon, autor i veprës “Harpa e një italo-arbëreshi”, tek i tregon me indeks çunakut të vogël që mendohet se është Prenk Bib Doda, princ i Mirditorëve e patriot deri në vdekje, si të kaluarën e tij, po ashtu edhe orientimin drejt së ardhmes (Sipas traditës, Gjomarkajt rrjedhin nga Dukagjinët, konsanguinë të Skënderbeut, portreti i të cilit shfaqet i varur në mur).
Profecia e fratit arbëresh do të realizohet, pasi Prenk Bib Doda jo vetëm do të luftojë për Pavarësinë dhe krijimin e Shtetit të ri shqiptar, por do të japë edhe jetën gjatë një atentati të pabesë, për mëvetësinë e trojeve të veta.