Reagimi/ Hamami i Krujës i rrënuar? Aspak!

19Trashëgimia Kulturore pa Kufij ka reaguar pas lajmit se hamami i Krujës është dëmtuar nga restaurimi.

Ja çfarë thuhet në reagim:

Ju bëjmë me dije se Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Shqipëri) është ende përgjegjëse për hamamin e Krujës. Bazuar në inspektimet dhe ekspertizën tonë më lejoni t’ju sqaroj se vendosja e plastmasëve është masë provizore. Ju bëjmë me dije se në lidhjen mes shtresave të çatisë dhe syve të elefantit (që është pjesa e ndriçimit, por edhe me e dobët e objektit) kemi përdorur suva tradicionale të kuqe. Pasi përfunduam punimet restauruese kemi lenë ujë të rrjedhshëm për ore të tëra në mënyrë që të kuptonim nëse do të kishte rrjedhje apo jo. Nuk ka pasur asnjë rrjedhje.

Në kushtet aktuale, 5 muaj e gjysmë pas restaurimit, në pjesën e kupolave vihet re një gjurmë lagështie, e cila për ne ishte e vështirë të kuptohej nga vinte. Ndaj, për të qenë më të qartë para1 muaji u vendos që të kryhej mbulimi me plastmas për të kuptuar nëse lagështia ishte rezultat i depërtimit të ujit nga çatia apo i djersitjes. Na rezulton se nuk kemi të bëjmë me depërtim të ujit nga çatia, por djersitje (kondensim, i cili vjen kur ajri i ngrohtë ftohet në lartësi).

Tani që shqetësimi ynë u qartësua, pra që kemi të bëjmë me djersitje dhe jo rrjedhje, do të zbulojmë edhe kupolat. Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri sqaron se të gjitha materialet brenda hamamit qëndrojnë më së miri. Sfida jonë nuk është me lagështinë e hamamit, sepse ky objekt është projektuar që të punojë në nivele të larta lagështie, por me vendosjen e tij në funksionim.
Të punosh me gëlqeren dhe materiale tradicionale si tullën e shtypur, argjilen etj., është një punë shumë e ndershme, por e vështirë. CHwB Shqipëri siguron se do të vazhdojë të vëzhgojë hamamin edhe për dy vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *