
Majakovski
Pjesa I
I merrni përçart fjalët e mia ?
Kjo ndodhi
Ndodhi n’Odesë
“Do vij në katër” – tha Maria.
Tetë
Nëndë,
Dhjetë e pesë
Ja dhe mbrëmja,
Në honin e natës,
Rrëshqet nga dritoret
E mvrejtur,
Mbrëmje dhjetori.
Mbi shpinat e ndryshkura shqyhen ne gaz
Temjanorët.
Mua tani me zor do më njihni:
Një masë dejesh,
Rënkon.
E tërë.
C’i duhet vallë gjithë këtij shkëmbi ?
Por shkëmbi i duhen shumë gjëra!
S’ka rëndësi.
Pse ky bllok është prej bronxi,
Dhe se zemra është hekur e ftohtë.
Natën do që gulçimin tënd
Ta ndrysh tek një grua
E ngrohtë.
Dhe ja,
I madh
Përkulem mbi qelq,
Ballin shtrëngoj në dhimbjen e kockave.
Do vijë dashuria apo jo ?
Cila dashuri,
E madhja, apo e vockëla ?
Nga e gjeti të madhe ky trupth ?
Duhet për të një dashurizë e vogël,
Një dashuriçkë!
Ajo ju trëmbet borive t’automobilave,
Ka qejf tingujt e zileve
Të deriçkës.
Akoma dhe akoma
i lagur nga uji,
Përballë fytyrës së shiut të rreptë,
Pres,
Spërkatur nga ushtima e dallgës së qytetit.
Mesnata si me thikë,
E ndoqi
Dhe e preu
Të mallkuarin!
Ra ora dymbëdhjetë,
Si koka nga supet e t’ekzekutuarit.
Në xhamë pikat e shiut
Gjarpërojnë,
Si një grimasë vigane lëvizin,
Sikur ulërijnë kimerat
E kishës Shën Mërisë së Parisit.
E mallkuara!
Dhe kjo duhet këtë natë!
Erdh’ koha të ulërij.
Dëgjoj:
Në heshtje,
si i sëmuri nga shtrati,
u hodh një nerv.
Dhe ja
Në fillim kaloi,
Calë-çalë,
Pastaj me vrap,
Ndihet qartë,
I shqetësuar.
Tani ai dhe pas tij dy të tjerë
Sulen me vrap të tërbuar.
U shemb suvaja e katit të parë.
Nervat
Të mëdhenj,
Të vegjël,
Të rëndë,
Hidhen të harbuar,
Dhe ja,
Nervave po u merren këmbët!
Dhe nata në dhomë zgjatet dhe zgjatet,
Nga mpirja dhe hija të rënduar sytë.
Pa pritur dyert kërcasin,
Sikur hotelit
Dhëmbët i kërcitën.
Hyre ti,
E rreptë si “na”-ja
Dorashkat duke vërtitur, ndërkohë
The:
“E dini –
Unë do martohem!”
E mirë, martohuni.
S’ka gjë.
Do duroj.
E shihni sa i qetë rri!
Si pulsi
I të vdekurit.
Ju kujtohet ?
Ju thatë:
“Xhek London,
Pasion,
Pare,
Të bredh”,
Por unë një gjë dija:
Ju jeni Xhokonda.
Të cilën duhet ta vjedh.
Dhe ma vodhën.
Prapë do loz i dashuruar,
Harqet e vetullave do t’i ndez flakë.
C’t’i bësh ?
Dhe në shtëpinë, q’u dogj e u shkrumbua,
Nga një herë jetojnë endacakë!
Talleni ?
“Më pak se ç’ka kopekë lypësi,
Ju keni gurë çmendurie të rrallë”
Mos harroni
Si u shëmb Pompeu,
Kur pompeasit Vezuvin tallën.
Ej!
Zotërinj!
Amatorë
Shenjtorësh,
Krimesh të tmerrta,
Më të tmerrshmen gjë,
A e kini parë,
Fytyrën time,
Kur
Unë
Jam absolutisht i qetë ?
Dhe e ndjej
“Unë”
Për mua është pak
Dikush tjetër me çpon brenda trupit si kama
Alo!
Kush flet ?
Mama
Mama!
Biri juaj u sëmur mrekullisht.
Mama!
Atij zjarr në zemër i ra.
I thoni motrave Ludës dhe Oljës
Se vëllai ku të futet s’ka.
Cdo fjalë
Bile dhe shakatë,
Që shqipton me gojën, q’i digjet
Hidhen si prostitutat lakuriqe
Prej shtëpise publike, që ka marrë flakë.
Njerëzit nuhasin,
Mban erë mish i djegur.
Dikush vrapon.
Kaska.
Shkëlqime.
Mos hyni me çizme!
U thoni zjarrfiksave:
“Në zemrën që digjet hyet me ledhatime.”
Shpëtoj vetë.
Lotët e syve zbraz si fuçija.
Më lini të kapem për brinjësh
Hidhem! Hidhem! Hidhem! Hidhem!
U shembën.
Prej zemrës dot nuk hidhesh!
Nga zgavra e buzëve
Nga fytyra, që u dogj,
Një puthje e përcëlluar hidhet përjashta.
Mama!
Nuk mund të këndoj!
Në kishën e zemrën kumbojnë veç psallmet.
Figurat e fjalëve dhe shifrave të përcëlluara
Nga kafka dalin,
Si fëmijët nga gërmadhat pranë.
Kështu dikur
U ngritën të tmerruara
Drejt qiellit
Duart e shkrumbuara të “Luizitianës”.
Njerëzve të trembur
N’apartamentet e qeta
Mëngjezi ju hyn
Me njëqind sy.
Britmë e fundit,
Së paku për mua, të djegurin,
Në shekuj, rënko ti…
14 prill 1930- është dita e ndarjes nga jeta e poeti futurist Majakovski.