Nga Evis Plaku
Shpesh, për të përshkruar shijen që të mbetet pas leximit të një libri të mirë, thuhet se ai shfletohet me një frymë. Të tilla vepra e mbërthejnë lexuesin në një rrëfim zhbirues, plot trill dhe kënaqësi estetike në të cilin ai ndihet i përmbytur nga zhytja e vrullshme drejt thellësive të personazheve të librit. Ky përjetim krijohet pasi lexon romanin “Qelia e Lirisë” të shkrimtarit të ri, por të talentuar, Kaon Serjani. Pas leximit me një frymë, kërkon që ta ndalësh çastin, e të marrësh frymë thellë, njësoj si një eksplorues thesaresh, që pas një kalvari të gjatë mundimesh, ndalon për të vështruar e vlerësuar si duhet zbulimin e tij të çmuar.
Që në titull, romani nis me kundërthënie paradoksale, si për të paralajmëruar se prej kundërshtive të mëdha lindin të vërteta çliruese. A mund të ketë qeli liria? A mundet liria – dimensioni më i lartësuar i personalitetit të njeriut – ta rrëshqasë atë në kufizimet e pamëshirshme të qëlisë? Personazhi kryesor i romanit, vajza me emrin domethënës Shqipe, teksa e shpenguar shijon lirinë e të qënit e re, e gjen veten terren ku mbillen dhe lulëzojnë frikshëm kundërshti drithëruese. A do të mundet fuqia gravitacionale e thirrjes së gjakut të të parëve ta tërheqë Shqipen drejt dheut, tokës, vendit të saj? Apo, dashuria e pamundur do t’i japë asaj forcë për të qënë e lirë? Cilin çmim do të paguajë ajo për lirinë e saj? A është vetë liria çmimi që paguajmë për jetën tonë?
E përplasur me një fat që nuk e zgjodhi, Shqipja përballet me një vdekje të papritur dhe një dashuri të pamundur. Por, a nuk është vetë dashuria ajo që i shpërfill të gjithë pamundësitë? A nuk është dashuria ura lidhëse, edhe midis brigjeve të urrejtjes? E megjithatë, vajza e re nga Kosova e cila jetoi në Tiranë larg tmerreve të luftës, papritmas i gjen trazirat më të mëdha të pështjellohen në shpirtin e saj. Teksa ndjen emocione kundërshtuese të përplasen brënda saj si në një fushë-beteje epike, Shqipja bën një rrugëtim të gjatë larg gjithçkaje, për të mbërritur (njësoj sikur ecën në një rreth) përsëri tek vetvetja. Tashmë e ndryshuar. Përgjithnjë!
Me një gjuhë të zhdërvjellët, të pastër, të arikuluar bukur, shpesh eliptike, por gjithmonë elokuente, larg dogmave, por duke zhbiruar mesazhe të forta, Kaon Serjani është gati piktoresk në nxjerrjen në dritë të karaktereve të personazheve të librit të tij. Thellësia e mendimit, bukuria e fjalës, dhe fuqia e mesazhit e përpijnë lexuesin në një vorbull kënaqësie estetike dhe intelektuale.
Gjatë leximit të një libri, lexuesi zgjedh nëse duhet të vazhdojë të shfletojë faqet, apo ta mbyllë librin. Romani “Qelia e Lirisë” nuk ta ofron alternativën e dytë.