Gazmend Bërlajolli
Shumica e shqiptarëve në Kosovë, me përjashtim të njerëzve që mund ta kenë shkollu më fort dijen gjuhësore, kanë problem me dallu ndërmjet tingujve q e ç. Madje edhe të shkolluarit për këtë punë ndodh të luhaten me fjalë të tilla ekzotike sigjeraqinë ose edhe kolokuializma si çare, që nuk u bjen për hise me i pa shpesh të shkruar. Të njejtin problem e hasim nëpër Shqipërinë veriore, në Has e Pukë, Kukës e madje Shkodër. Kuptohet, me dyndje të popullsisë, të njejtin problem e evidentojmë edhe në Tiranë: veç duhet me i gjetë njerëzit e duhur.
Nji fenomen të ngjashëm e gjejmë te shqipja lindore, te ajo e Maqedonisë rëndshëm, e madje në Gjirokastër me rrethinë, e ky është shkrirja e tingullit y në i. Të gjithë e kemi ndi tashmë atë të famshmen me zyshën gjirokastrite që korrigjon nxënësin e saj bashkëvendës me “jo di, po dy, o kokëqip”.
Te shum zona shqiptare, nëpër zona qytetesh në Kosovë, e edhe nëpër Shqipëri, duke e prekë mirë zonën e jugut shqiptar, tingulli rr kalon në r.
Shkodra e Gjirokastra mandej, kanë vështirësitë e veta me dallimin mes dh e ll.
Ajo që ndodh mes ç e q pra, është e njëjta që ndodh në të gjitha këto raste.
Tingujt bashkëtingëllorë kanë tri koordinata identifikuese: vendin ku artikulohen, mënyrën se si artikulohen dhe praninë ose jo të zëshmërisë, simbas të cilës tingujt ndahen në të zhurmshëm dhe të pazhurmshëm (b e p ose edhe zh e sh përbëjnë çifte me ose pa zëshmëri). Në të gjitha përngjitjet e mësipërme të dy tingujve në një të vetëm, kjo ka ndodhë:
Dy tingujt e shkrirë në një tashmë kanë ngjashmëri në koordinatën e vendit, mënyrës ose zëshmërisë së artikulimit. Janë të ngjashëm kur kanë të përbashkët nji tipar, ose dy. Kur kanë dy tipare të ngjashme, kjo d.m.th. se po nisi edhe tipari i tretë i tingullit të parë (q,y, rr) të afrohet me atë të tingullit të dytë (ç, i, r), dhe po shkoi kjo afri te pika ku koordianta e tiparit realizohet krejt e njejtë për të dy tingujt (pra janë tashmë i njejti vend, e njejta mënyrë dhe e njeta zëshmëri) kontrastimi mes dy tingujve zhduket. Krejt. Për folësin dhe bashkësinë folëse që duke ndërvepru, ndërndikohet, kjo nënkupton që të zhduket ndjeshmëria për ekzistimin e DY tingujve aty ku folësit shqiptojnë veç nji.
Me të drejta botimi nga:Penaime.com