Daniel Shahollari/ Dikur ndjeva një nevojë për t’u dëgjuar. Ndjeva një nevojë për t’u parë. Dhe për një kohë të gjatë, mendova se e kisha shuar këtë etje duke postuar vazhdimisht në facebook.
E bëja këtë sepse më frikësonte ideja për të folur me njerëzit në jetën reale – sepse në jetën reale nuk mund të modifikoj ato që them ose të jem aq i kujdesshëm për veten time sa mund të jem në jetën virtuale.
Atje mund të jem gjithnjë i zgjuar dhe interesant. Gjithmonë mund të pëlqehem,adhurohem,lakmohem dhe admirohem.
Por kuptova se isha duke ndarë pjesët e gabuara të jetës – derisa humba sensin për të njohur veten.Kuptova se e vërteta ime ishte zhdukur në thellësi të panjohura dhe të paaritshme. Aq sa nuk kujtoja dot më caste nga jeta ime nëse ato nuk ishin të postuara në facebook.
Madje shpesh më dukej sikur gjithcka fillonte ditën kur kisha hapur llogarinë në facebook.
E tmerrshme apo jo !
Kështu më lindi një dëshirë e pangopur për t’u rilidhur me veten, për të qënë më pranë fizikisht me njerëzit.
Dhe për të arritur këtë më duhet të marr një vendim :
Të mbyll llogarinë në Facebook.
Të heq dorë nga – pëlqimet, komentet, zemrat, duart, miqtë virtualë , ndjekësit – të cilat po krijojnë varësi të rrezikshme ndaj ekranit me prekje dhe po shkatërrojne strukturën e shoqërisë.
Ne jemi shtrembëruar, homogjenizuar, photoshopuar, instagramuar, facebookuar vetëm e vetëm ti aftohemi sa më shumë qënies perfekte.Jemi bërë si filma Hollywood-i me efekte speciale – ku sa më të mëdha efektet , aq më I madh aktori .
Kjo nuk është të gjesh bukurinë te e mërzitshmja. Kjo është të projektosh bukurinë bazuar te e mërzitshmja. Kjo nuk është të gjesh gëzimit te e përditshmja , kjo është të shfaqësh gëzim për ditë.
Ky obsesion për shpërndarjen e mikro-perandorive tona në tregun social na ka varfëruar shpirtin ,na ka skllavëruar pas egos tonë,na ka fokusuar vetëm në rritjen tonë personale dhe obsesionuar me imazhin tonë .
Kjo mungesë virtyti po na transformon në krijesa të çmëndura të cilat nuk kanë interes për njerëzit dhe mjedisin që I rrethon.
Me këtë sjellje po projektojmë vërtetësine duke zhdukur të vërtetën.
Ne kërkojmë dëshpërimisht vëmëndje, por në të vërtetë ajo për të cilën vuajmë është dashuria.
Jeta jonë është e vetmuar.
Jeta jonë është e përkohshme ,ndaj shumë çka na duket më e rëndësishme sesa është në të vërtetë.
Jeta jonë është e rastësishme, sic është ajo e bletëve apo peshkaqenëve. Përmes ndjenjës sonë të vetëvlerësimit, egos dhe ambicjeve tona ne e bindim veten se jetët tona janë të mbushura me ngjarje madhështore vetëm kur ato shfaqen në parada apo faqe gazetash.
Me besimin e rremë në individualitetin tonë, po varrosim veten në një det të ngjashmërisë dhe monotonise , dhe papritmas bëhet e pamundur të vlerësojmë atë që është vërtet e madhe nga ajo që është vërtet e vogël.
Të jesh i sigurt në vetvete fillon duke qenë të vetëdijshëm për atë që na rrethon. Ku je? Kush është me ty? Si ndihesh? Si ndihesh për ta? Çfarë dëshiron të bësh ? Vini re këto gjëra.
Ju mund të thoni se ne jemi larguar aq shumë nga ndërgjegjësimi nga mënyra se si flasim për të. Ndoshta kemi nevojë të njohim më shumë njerëzit.Të jemi të pranishëm për ta.Ti pyesim.Të shkëmbejmë ide.Ti përqafojmë.
Dhe vazhdimisht ta bëjmë këtë me veten tonë. Vëzhgoni se si ndiheni. Jeni të pranishëm për veten. Pyesni për gjëndjen tuaj. Gjeni zgjidhje për problemet tuaja.
Kjo është vetëdije.Kjo është rruga për të gjetur të vërtetën dhe paqen.Kjo është rruga më e shpejtë drejt hashtagut -living-my-best-life.
Vetëm kur të kemi kultivuar vetëdijen tonë mund të kemi besim në atë që shohim. Vetëm kur kemi besim në atë që shohim, mund të bëhemi të sigurt në vetvete dhe në marrëdhenie me të tjerët. Dhe vetëm nga siguria mund të lulëzojë vërtet një dashuri e shëndetshme dhe kuptimplotë – e cila mund të shkrijë në det vetminë tonë.
Ndoshta ky shkrim mund të jetë pa sens, por mua më jep kënaqësi kur e shkruaj. Jo gjithçka bëj duhet të jetë konkurruese, jo gjithçka është një garë për t’u fituar.Këto për mua janë vlera të gabuara perëndimore të mbuluara më kapitalizëm, barbarizëm dhe kotësi.
Tashmë nuk kam nevojë të jem gjithnjë i zgjuar, interesant, i pëlqyeshëm , i adhuruar, i admiruar,i parë ose dëgjuar. Unë thjesht mund të jem unë, jashtë rrjetit dhe i sigurt.
Qëllimet e mia në jetë janë të thjeshta.
Të shoh diellin cdo mëngjes dhe kur ai të perëndoje të bëj dashuri nën qiellin me yje.
Lumturia ime nuk është materiale dhe nuk ka për të qënë ndonjëhere e tille.
Ndoshta mund të kthehem në facebook në vitin 2019 apo 2020, por jo për të lënë gjurmë.
Trashëgimia ime –do jëtë marrëdhënia me njerëzit.
Do ndaj më shumë nga vetja duke postuar më pak.
Duke qenë një trup në vend të një marke.
Unë nuk jam një film i prodhuar nga njeriu – jam thjesht një njeri.
Dhe ashtu i mallkuar, kam ndërmend të qëndroj njerëzor. Copyright/ tiranapost.al