Primetime në 19:30 sot është dita e fundit që në Doku Kino – Prizren, pak, shumë pak nga miqtë e mi do të kenë mundësi të shohin filmin BOTA në ekranin e madh të kinemasë.
Vite më parë kur udhëtonim marketeve në kërkim të bashkëpunëtorëve, pak para ndarjes në një aeroport të vogël italian, u ulëm shtruar me producentin e një nga 100 filmat më të vlerësuar në botë, LAMERICA(1994), të Gianni Amelio’s.
Enzo Porcelli, producent i respektuar në industrinë italiane me mbi 48 kredite mbi shpatulla, ende mallëngjehej kur kujtonte sfidat dhe arritjet e LAMERICA.
Si shqiptare e mirë në fillim qëndrova plot dyshim ndaj kujtimeve te Enzos, por profesionistja në mua fitoi dhe me tu kthyer në Shqipëri u ula të shihja gjithë zhurmën dhe dhimbjen shqiptare që ishte për mua e të tjerë LAMERICA.
Atë mëngjes gri, vite e kilometra larg, producenti Porcelli lotoi kur kujtoi hapësirën dhe njëkohësisht izilomin që ishte dikur Hotel Adriatiku…
Të njëjtët lot erdhën në mua gjatë filmit kur rijetova pasqyrën që aq shumë na ‘lëndoi’ kur filmi doli… si dhe keqkuptimin që pasoi ndër vite.
Për ju që më njihni në vite apo ashtu si dhe unë bëni më të mirën të ndiqni dhe të kontribuoni në zhvillimet kulturale në të dyja trevat tona shqiptare, shumë nga këto referenca do kenë kuptimJ kështu që vijojmë.
E rritur, vura re që LAMERICA ishte shumë më shumë se portreti i populli tim ndërsa ende del nga një e keqe e madhe, pa udhëzimet e nevojshme, madje hedhur me ëndje në një botë dashakeqe konsumi.
Regjisor-i/ja si orakull/ filtër/ kronikues – që me anë të fiksionit arrin te e vërteta dhe ia del të bëj të prekshme makthet dhe bukuritë e një kohe specifike është ajo që të gjithë provojmë të bëjmë. Apo thënë ndryshe në fjalët e Nietzsche’s “the discoverer is disguised by his creations, often beyond recognition.”
Ndodh rradhë, por ndonjëherë për fat të universit mbërrin në kohë dhe me çelësat e duhur arrin me anë të filmit të kapësh portretin e një kohe, ashtu si në LAMERICA me pjekuri Amelio mbërriti të materializoj në një dhimjen e një kombi si dhe të hapi çështjen që njëzetë vjet më vonë ende globalisht s’dijmë ç’të bëjmë: emigracionin.
Dhe kthehemi te premiera Kosovare e BOTES të Enjten e kaluar, datë 14 janar, që gjithashtu ndodhi në një tjetër vend që është gjithashtu frut ëndërrash e pune shumëvjeçare, kinemanë e Doku Kinos.
Ishte një natë e rëndësishme për të gjithë jo vetëm sepse filmi SHOK u nominua për Oscar – një arritje marramëndëse që na jep krahë të gjithëve.
Jo vetëm sepse më në fund të lumtur pamë për herë të parë punën tonë të përbashkët në ekranin e madh me aktorin Alban Ukaj që mjeshtërisht luajti rolin e inxhinier Milit te BOTA.
Dhe jo vetëm sepse miq që më duan e më kanë njohur gjatë këtyre viteve kur dhe njerëz të dashur janë ndarë nga jeta ndërsa BOTA punohej- erdhën dhe nga larg e s’kishin asnjë ide se ç’BOTE i pristeJ
Mes tyre ishte dhe një mik i Tiranës që në shenjë respekti për kinemanë që të gjithë e duam por e lëmë bosh dhe rrezikojmë të humbim, i cili mori rrugën ta shoh BOTEN në ekranin e madh.
Çdo gjë ka një kohë nëse duam ta shohim shkallën e gjërave. Ama duke filluar nga vetja, shoh që pavarësisht distancave gjeorgarfike që kemi kaluar që nga ngjarjet e LAMERICA’s, dukshëm ne dëgjojmë kaq pak, dhe jetojmë ende në ishujtë tanë imagjinarë.
Kur ftova bashkëpunëtorët e mi kosovarë iu solla në vëmendje një tjetër film, dramën franceze të Patrice Chereau – Those Who Love Me Can Take the Train (1998).
“Ata që më Duan do e Marrin Trenin” u frymëzua nga dëshira e fundit e një piktori për vendndodhjen e largët të varrit të tij. Dhe distanca që miqëve u duhet të përshkojnë kthehet një një rrugëtim të brendshëm ku secili reflekton për vendin e tyre në botën që i rrethon.
I tillë ishte dhe rrugëtimi i BOTES, ku ekipi jonë shqiptar, italian dhe kosovarë ia doli të thotë qartë, pastër dhe bukur shqetësimin nga ku krijimi buron.
Kështu që në këtë shfaqje pa zhurmë, miku nga Tirana më përgëzon orë më vonë pasi gjatë filmit u përfshi te pika që harroi që filmin e kish bërë unë dhe që ekipi i BOTES ishte ngjitur me të.
Dmth.: Sa larg vajti BOTA në jetën e vetë sa nga shqetësimi im fillestar që kisha ndarë më shumë seç duhet… tanimë i flet bashkëkohëseve tanë përtej nesh.
Dhe kuptova që shumë që i bëjnë like me dashuri imazheve, artikujve për BOTEN – dhe shumë janë bërë në të gjitha gjuhët, po u ndodh ç’më ndodhi mua dikur me LAMERICA, të cilën e zbulova vonë dhe vetëm në ekranin e vogël.
Po ti jepnin ato pese orë rrugë dhe disa euro më vonë deri në Dokukino, Prizren do linin kinemanë me dashuri për jetën dhe kohën që jetojmë. Do merrnin me vete në kthim personazhe që i njohin ose të paktën i kanë takuar ndonjëherë nëpër furgone apo autobusa linjash.
Por ne jetojme në një kohë pa kohë për këdo që të japi 100 minuta pa telefon e të përqëndruar. Kuptova që edhe filmat tanë pavarësisht arritjeve ashtu si dhe galeritë e artit, vizitohen vetëm ditën e hapjes së ekzpozitës dhe ajo që dhemb është se telashet tona shkojnë edhe përtej asaj që sot shihet si: thefederalist.com/2014/01/17/the-death-of-expertise.
P.s. Për ata që mbërritën deri këtu, duke parë që s’arrij të shkruaj dot shkurt mund edhe të mirëkuptoni pse korrespendecat e mia apo emailat e thellë vijnë kaq rradhë…