Arsye pse duhet braktisur Standardi i 1972!

Nga Lekë TASI

Zvarritja e zgjidhjes së problemeve, karakteristikë e periudhës post-diktatoriale, i dha dorë Standardit të vitit 1972 të zërë vend më masivisht nga sa i druheshin ata që e duan shqipen me tërë pasurinë e saj, dhe jo të rrëgjuar shumë a pak në një degë të saj. Të shkruarit sipas traditës së vet përqendrohet ende relativisht në pak pena gege, kurse të folurit reziston, por vetëm te të pashkolluarit ose në momente të pavetëdijshme të intelektualëve të konformuar. Kjo zmbrapsje e dialektit më të pasur, me folklor epik e letërsi të hershme, është një fatkeqësi më thelbësore se emigracioni masiv, i cili e ka edhe një anë pozitive, ndikimin direkt ose indirekt mbi gjendjen e vendit, me përmirësime së largu falë arsimit cilësor, me ndihma buxheteve familjare, dhe ca më mirë me rikthim e investim në vendlindje. Kurse harresa e të folurit të veriut prej ndikimit të shkollës siç e konstatojmë përditë nëpër intervista, po rrezikon të bëhet një proces i rëndomtë, duke shtuar përditë rrezikun e një varfërimi të pakthyeshëm. Çështja në tërësi ka të bëjë jo vetëm me imponimin mbi shumicën (3/4 të shqiptarëve) të një modeli që nuk është i veti; çështja qëndron te humbja e pariparueshme e bukurisë së shqipes, e cila, pa asnjë dyshim, banonte në Veri: morfologji e lokucione lakonike, fonetikë muzikale (me kontraste zanore/bashkëtingëllore), veti këto që, nëse merren për t’u ruajtur, sjellin dobi të shumta, të cilat do t’i trajtojmë më poshtë.
NORMA – NJË TERM MË I GJERË SE DERI SOT
Do të ishte mirë që vetë koncepti “normë” të nënkuptonte një përzgjedhje mes një fondi të pasur përkatësish të ndryshme, ashtu si vetë Standardi i ka lënë, në raste të veçanta, shkruesit liri të zgjedhë mes dy ose tri varianteve (shembull: patur-pasur-pasë). I tërë ky proces s’mund të kuptohet pa një përforcim të profilit filologjik të lëndës së gjuhë-letërsisë në shkolla, dhe sigurisht shtimin e numrit të orëve në programin javor. Kjo do të ishte baza, pasi ngre interesin për gjuhën te moshat e reja dhe shton lëndën prej nga do të dalin trajtat me vështrime të diferencuara. Kur theksojmë nevojën e kthimit te liria e para 1972-shit, dhe njëherazi ruajtjen e trajtave paralele, nënkuptojmë një trajtë zyrtare gegërishte të moderuar siç ka qenë normë për tri dekada mbas Pavarësisë, dhe një tjetër krahas saj, por të përzier gego-toske si po e prodhon Tirana metropol. Nuk përjashtohet që poetë o shkrimtarë të veçantë të përdorin toskërishten o shkodranishten e vet, të pastër, sepse janë të dashuruar pas traditës së tyre. Publiku i kulturuar i shijon të gjitha, vetëm pedantët e kapur pas rregullit shqetësohen. E natyrshme që profilizime kuptimore të dy varianteve dialektore do ketë edhe në folje, mbasi mbiemrat janë në pjesën më të madhe pjesore të një foljeje, dhe interkursi vjen vetiu: Kështu -uem më solemn, ue dhe uar -të rëndomta. Po të kalojmë te përemrat, ai dhe ajo, do jenë të rëndomta, ay si më arkaik do jetë edhe i lartë, po edhe disi historik o arkaik (e gjejmë edhe te Cikli i Mujit). Përsëri me foljet: Askush pothuaj në Tiranë nuk thotë më “shoh”, por “shof”, “shife”, ashtu dhe jo ue, por -u , -y (kam shku, u kry). Por pranëqenia njohje -njofje- njohuri -njoftuni – nuk do shkaktojë bezdi. Do të ishte shumë e dobishme të hartohet rast për rast një profilizim sipas vëzhgimeve, veçan në zonën metropolitane që jep tonin, atë qytetase dhe suburbane të kryeqytetit, profilizim që do të na jepte një tablo të prirjeve që prodhojnë larmi vështrimesh për fjalë të cilat, kur shkruhen e fliten siç figurojnë në fjalor, ngjajnë përherë e më të vjetruara, pra nuk preferohen në një letërsi që kërkon pulsin e jetës.
Brenda këtij procesi, çdo tkurrje (veti gege) është pozitive, si kalimi fëmijëri-fëmini-fmini, ose ndajfoljet e pashqiptueshme e për t’u fshirë nga fjalori – rastësisht e ngushtësisht, qartësisht, për të riprurë në jetë në vend të së parës njërrokëshen gan ose gand, dhe heqjen e mbaresës absurde -sisht për të tjerat, duke e kthyer në thjesht: ngusht (shembull: le ta marrim ngusht teknikisht, kuptimi del qart, qartazi e konceptuar)). Reduktimi ka funksion eufonik dhe prova më e dukshme është a (me theks hundor në vend të asht, për të shmangur dy sh rresht (asht shtrenjt, që afërmendsh bëhet: a shtrenjt) po edhe ë, siç e do kënga: s’ë për mua e për ty/po për gjithë Shqipëri. Po ashtu, kujdesi për një shprehje të rrjedhshme do të hyjë në mësim si disiplinë me tekste, për të mos përsëritur b.f. një bashkëtingëllore në fjalën pasuese: gjer te dera; deri te gjuri.
DOBITË QË RRJEDHIN
Tkurrja në pak rrokje e frazës, siç e ka gegërishtja, u vlen poezisë, filmit, teatrit. Ka gjuhë të privilegjuara që e kanë në natyrë reduktimin (anglishtja), dhe kjo veti u shërben shumë në kinema o teatër, ku kërkohet koncentrim; ndërsa të tjera (spanjishtja, italishtja, greqishtja etj.), duke qenë shumërrokëshe, u duhet të shtojnë shpejtësinë e shqiptimit të rrokjeve, e kjo i kushton dramaticitetit, që kërkon fjala të ketë peshë, pra brenda replikave të shkurtra.
Vijmë te ndryshimi tjetër i dy dialekteve: Përdorimi i n-së apo i r-së në mbaresa, një vështirësi që duhet zgjidhur kur tashmë ka hyrë gjithandej e dyta (Shqipëri e jo Shqipni). Kjo ka të bëjë me eufoninë, dhe sigurisht është n-ja që fiton, sidomos kur në rrokjen pasuese kemi një ‘r’, ndaj duhet shtetnor, fminor, e jo shtetëror, fëmijëror; mullini e jo mulliri (ngaqë shumësi bën mulli(n)jtë). Gegërishtja alternon si rregull n me r, kurse toskërishtja i kthen të dyja në ‘r’, ndaj e para del më eufonike. Por ekzistenca e dy ose tre varianteve krijon larminë, në këtë rast larmi muzikale, dhe herë-herë nuanca kuptimore. Nuk na duhet koherenca dialektore, por loja estetike bashkëtingëllore-zanore, pra më e pëlqyer të kemi përzierje kur kriteri eufonik krijon brenda fjalisë lehtësi tingëllimi me fjalë përkatësie të ndryshme dialektore. Kështu, fondi i gjuhës duhet trajtuar si një serë me filiza të disponueshëm prej çdo këndi të territorit. Serë ku kryesisht poeti/shkrimtari zgjedh e propozon, dhe autoriteti gjuhësor me sens kritik mbi të gjitha pro shqiptimit të bukur, konfirmon ose refuzon mbas një kohe të mjaftueshme për të provuar suksesin e tyre në masën e kulturuar. Tek eufonia përfshihet shqiptueshmëria, por kësaj i hapen probleme për shkak të kriterit thjesht gramatikor që sundon dhe bën shpesh të detyrueshme cezurën mes fjalisë: me kusht shtetëzimin, ose shtesën e zanoreve fundore të paqena për të lehtësuar shqiptimin – është shtrenjtuar. Kjo përbën një kapitull të madh mbi rrjedhshmërinë, të cilin gjuhët e kultivuara e kanë zgjidhur me kohë. Shkrimtarët tanë (kush e ka atë kërkesë) duhet të ndalen e ta zgjidhin or’ e çast gjatë punës së tyre; ndaj duhen kodifikuar se si zgjidhen përplasjet e padëshiruara mes bashkëtingëlloresh, ashtu si apostrofi zgjidh zanoret që tronditin ritmin. Përzgjedhja në pasurinë dialektore bëhet me sens krijues e jo me konformim rregullit; duhet pra të prijnë shija, fantazia, që nuk përfillin skrupujt e drejtshkrimit zyrtar – shtrati prokrustian ku tepër gjatë redaktori mbajti nën zotërim dhe masakroi autorin edhe në gjuhë, e jo vetëm për brendin ideologjik. Fryt i këtij procesi përzgjedhës/miratues do të jetë një fjalor sinonimik në sensin që thamë më lart, të nuancave kuptimore që marrin variantet e së njëjtës fjalë.
DËMET QË DUHEN SHMANGUR
Provë flagrante e triumfit në dekadat e diktaturës e mësuesisë mendjengushtë mbi intuitën kreative, ka qenë botimi tash vonë në shqipen standarde të teksteve arbëreshe pa origjinalin pranë. Në to i jepet lexuesit “kuptimi” i poemave dhe u hiqet poezia. Një efekt ndrydhës. Këtu na pruri dekadenca e shijes që rezultoi nga ngurtësia e standardit, i planifikuar dhe i zbatuar pa asnjë lëshim edhe si frymë, si një letërsi shkruesish, që vetëm duke iu bindur korrektorëve letraro-përmbajtjesorë do të siguronin të drejtën e botimit.
Reforma e viteve ’70 solli, në fakt, triumfin e uniformizimit dhaskalist, aty ku larmia dhe afërsia mes dialekteve ekzistonte dhe duhej harmonizuar me pasuri trajtash. Duhet tani e kundërta. Të vihet në program së pari përvetësimi nga gjenerata e re e pasurisë gjuhësore që gjejmë te shkrimtarët e vjetër e të cituar përmbledhtazi nga Kristoforidhi, e poezisë popullore (Eposi i Veriut etj.), asaj jugore, arbëreshe, dhe e kontributit të krijuesve të mëvonshëm, sigurisht mëtimi të rreptë për të nxjerrë vlerat letrare, e pa ndonjë detyrim të madh kundrejt autorëve me emër, por që s’paraqesin vlera artistike. Duke qenë geg vetë por në kufi të toskërisë, Kristoforidhi me dy “Dhjata”, së pari gegërisht, pastaj toskërisht, dhe me “Fjalorin”, del babai i gjuhës letrare moderne. Kontributi i tij si autor mbeti panjohur për publikun e sotëm (?). Duke cituar në “Fjalor” dialektet dhe autorët e vjetër, ai sikur na jep qysh atëherë orientimin që theksuam më lart, të një harmonizimi/integrimi me kohë të dy dialekteve. Ai jep lëndën e plotë të leksikut që duhet të shërbejë si bazë. Disa qindra fjalë të vjetra, arbëreshe e dialektore, janë asgjë për trurin rinor, jo vetëm, por me një program të studiuar që përzgjedh ato më me vlerë, fondi i memorizuar do të përbëjë një kapital të vërtetë për letrarët e ardhshëm. Deri edhe në shkolla profesionale nxënësit t’i njohin majat e poezisë sonë ashtu si janë, t’i recitojnë dhe t’i nxënë përmendësh, kurse ata të gjimnazit të zgjerohen mbi to. Më shumë se leksionet historike, ose së bashku me to por të nënshtruara kritikës moderne, poemat origjinale dhe burimore, ngrenë ndërgjegjen estetike të nxënësit, rritet aftësia e tij evokative mbi vargjet që dëshmojnë situata historike të vërteta, në vend të atyre të rrumbullakosura o të sajuara të derisotme, retorike dhe shpesh false. Kur i riu i njeh ngjarjet historike përmjet gjuhës origjinale të poetëve dhe gojës së anonimëve popullorë, kur ndien dhimbjen që i përshkon, në vend të fryrjes bosh që u jep historiografia, do të krijohet lidhja e vërtetë me të kaluarën, dhe kështu rikuperohet njësia me atë kohë, deri sot e shmangur për shkak të problemeve që i nxjerr tezës shqiptari pa faj- fajtorë janë të tjerët. Dhe kështu, brezi i ri fiton një ndjeshmëri reale mbi historinë, një nisje për vetëformim serioz.

 

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *