Projekti për rehabilitimin e Voskopojës, Kumbaro: Shpëtuam kishat nga rrënimi

Projekti për rehabilitimin e Voskopojës ka bërë të mundur që përveç përmirësimeve infrastrukturore, 4 prej kishave të fshatit t’i nënshtrohen ndërhyrjeve për rikonstruksionin e tyre.

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i strukturave në kishën e Shën Nikollës dhe Shën Marise, të cilat gjenden në qendër të fshatit turistik, ndërsa puna po vazhdon edhe tek manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë.

 Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, teksa ka parë nga afër ecurinë e punimeve ka theksuar se kjo ndërhyrje për restaurimin e objekteve te kultit është pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale.

“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën fokale në Voskopojë”, deklaroi Kumbaro.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë një prej investimeve më madhore në funksion të ruajtjes së vlerave, por edhe zhvillimit të turizmit. “Është një projekt që veç përmirësimit të cilësisë së jetesës së banorëve të Voskopojës do t’i shërbejë padyshim edhe turizmit”, tha Filo.

Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *