Projekti i 100 fshatrave/ Kumbaro prezanton projektet e kulturës: 65 projekte në trashëgimi, 13 monumente të restauruara

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka prezantuar ditën e sotme, programin  e kulturës për projektin e 100 fshatrave, një model i ri i zhvillimit rural i qeverisë shqiptare, i cili ndërthur investimet infrastrukturore me trashëgiminë kulturore e agroturizmin.

“Jetëzimi i Qendrave Historike, përdorimi i të gjithë argumenteve kulturorë dhe historik të bashkuara me një program shumë të ngjeshur kulturor të trashëgimisë kulturore jo materiale, rrjetin e artizanatit, kampuset verore të restaurimit që janë në fakt aktivitete më vete kulturore por edhe mundësi punësimi në disa prej këtyre fshatrave, janë disa nga pikat kryesore që ofron kultura në këtë program.

Sot që flasim kemi në proces ose sapo të përfundura në këto 100 fshatra 13 monumente të restauruara, 65 projekte të reja në trashëgiminë kulturore. Po krijojmë itinerarin e rrugëve të Besimit ( për 5 objekte kulti puna restauruese nis në pranverë, ndërsa janë duke përfunduar 3 kisha në këto 100 fshatra) dhe rrugët e Kujtesës me stacione historike”, theksoi në fjalën e saj Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kumbaro vijoi më tej duke folur për mundësitë e zhvillimit që do të mundësojë jetëzimi i dy qendrave historike të Dhërmiut e Vunoit, ku po restaurohen 252 objekte në Dhërmi dhe 182 objekte në Vuno me një vlerë investimi prej 7.5 milionë euro në total.

Gjithashtu Kumbaro pohoi se bashkë me dorëzimin e dosjes që edhe pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit të futet në UNESCO, Ministria e Kulturës  po bën një analizë për shpalljen e Qendrës Historike të Linit.

Më tej Ministrja e Kulturës u ndal tek rëndësia e ndërthurjes së gjithë potencialeve në këto fshatra të përzgjedhur, ku tha se bashkëjetesa e bujqësisë, artit, kulturës, historisë e arkitekturës janë thjesht degë të një potenciali deritani të pashfrytëzueshëm turistik dhe ekonomik.

Investimet publike, investimet e donatorëve dhe investimet private, të kombinuara në projektet për zhvillim të qëndrueshëm në sitet e trashëgimisë janë të domosdoshmë për të tilla modele, përfundoi Ministrja e Kulturës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *