Prej kohësh vlerësues e krenar ndaj qytetit ku kam lé, simbas zakonit poetik edhe unë deshta me i ngritë Shkodrës nji shtatore, poetike, kuptohet. Dhe shkrova “Qyteti im”. Kur e nxorra jashtë vetes, mora vesht se origjina e njeriut asht vetëm fatale dhe se ajo kurrsesi nuk mund të trajtohet në terma krenarie ose jo. Kjo mënyrë i përket nji shkolle të caktueme heroike që nuk fillon me Homerin, por sigurisht mbaron me D. Agollin ndër ne. Shkolla e tyne e shef qytetin si histori, si “arkivë”, kurse shkolla tjetër e shef atë si “biomë”, si përjetim. Qyteti mund të jetë skena e ndritshme ose dhe skena qorre e nji karriere të ndritshme, por edhe e nji karriere të shurdhët, e meritueme ose edhe e pameritueme.
Prandej qyteti ktu nuk asht pa si unikalitet, por si rëndomësi. Po të përballohej si unikalitet, nuk mund të trajtohej si përjetim. Duhet patjetër me derdhë harxhet e krenarisë në të. Për mue qyteti asht nji rëndomësi, jo vetëm i rëndomtë në veshtrimin e vulgares, por edhe në veshtrimin se ai asht i zhvilluem në nji milion ekzemplarë mbi tokë, tue ia fillue prej New York-ut e L. A. e deri te rrënojat biblike të qyteteve në shkretinat e Mesopotamisë.
Qytetet unë i shof si gjeografi dhe jo si histori. Strofa e parë ka mbrendë pleonazmën e absurdit, sikur me dashtë me thanë: qyteti im me ajër(!). A ka qytet pa ajër? Qyteti asht pretekst, siç asht pretekst për me u sajue figura mbi ekranin prej bezje të kinemasë. Qyteti asht vendi ku ndodhin skenat e jetës minore, të cilat historia nuk i regjistron, sepse nuk mundet. Bukëpjekësit, violinistët e dashnorët janë shpirti i qytetit. Meqë janë konceptime të reja poetike, provoni e hiqjani qytetit. A ka qytet pa ta ? E shifni pra se janë esencialë?
Qyteti mund të jetë i vdekun, mund të jetë në dekadencë, mund të jetë i mbaruem, i skaduem, pa perspektivë aktuale e ardhmënore zhvillimi, por ai ndërkaq mund të jetë testikula që prodhon spermë, mund të jetë korteksi i nji truni gratçor mbi nji trup të shpërbamë. Kam idenë se Kavafi kishte shkue deri në gjysmën e rrugës, tue kërkue magjinë e qytetit që të ndjek si hija e s’mund t’i ikësh. Ndoshta prirja klasike nuk e lejoi ta ndriçonte me fund ngacmimin metafizik të qytetit e ai, përfundimisht, kaloi në plan atdhedashunor.
Qytete ndërtohen historikisht e shum veti të tyne, si rezultat i kultivimit për nji hark të madh kohe, kodifikohen qëndrueshëm në trashigiminë e tyne gjenetike. Edhe atëherë kur historia pushon së riprodhuemi kushte të ngjashme me periudhën e kultivimeve, qyteti, i bamë “specie” tashma, vazhdon me riprodhue veçantitë e veta funksionale pa asnji kontekst a kornizë historike.
E kshtu, nëse ky qytet na e mohonte të drejtën me lé (jo me lindë sepse simbas meje me lindë do me thanë me pjellë, kuptimi vepror, kurse me lé asht folja moskalimtare : nascere, to be born, γεννιέμαι), nuk na e mohonte të drejtën me mendue se me lé asht kusht universal e se me lé fizikisht e shpirtnisht simbas ligjeve të krijimit, nuk asht aspak e kurrsesi e njajta gja. Mandej lemja shpirtnore nuk asht ndonji luks e kënaqsi e tipit që u krijohet njerzve, kur duem t’i mbajmë me hatër ose t’i privilegjojmë. Ky qytet nuk kishte maternitet për lemje të tilla, por njerëzit e tij do ta pranonin lemjen e tyne, qoftë edhe në kaçuba si iriqat, urithat e kafshë të tjera të ulta.
Me lé asht punë e madhe, asht bezdi e madhe, jo të gjithë do ta donin ketë barrë, jo të gjithë do ta kërkonin këtë belá. Por kushti asht që të lésh njiherë, sepse pa lé nuk mund ta dish nëse duhej lé apo jo. Qyteti nuk jepte shanse të barabarta. Me lé don me thanë me u shpërba, me u shkompozue e nji jetë të tanë me u marrë me rikompozimin e vetes, me jetue si i ndryshëm që dyshon gjithçka e pranon gjithçka, që zbulon vetveten përmes hulumtimit të njikohshëm të botës së madhe e të vogël. Me lé asht me shkaktue dhimbje e me ndie dhimbje. S’asht ofrim flokësh te gërshana e thojsh te prefsja e thojve, po janë terminalet e nervave tua që ti vetë i shtyn e i instalon përfare në kufî me zjarmin, me tehun e thikës, me vdekjen.
Qyteti, nëse nuk të blaton mundësinë e nji lemje të ktij lloji, ai të jep mundsinë tjetër (kodi i tij gjenetik punon perfekt), të hulumtosh ekzistencën në tanë rastet e saj. Të vdesësh/do të thotë edhe të mos lésh.
Gjithsesi më pëlqen të largohem e të krijoj distancë prej erotizmit heroik, i cili ban për objekt qytete, atdhena, subjekte politike, individuale a kolektive qofshin ata. Marrëdhania ime me ta s’i lypet gja kujt. Qyteti asht atje: i vdekun, pak pa dhanë shpirt, trimosh ose edhe sportist. Për mue ka randsi që spiralja e ADN-së së tij m’i hjedh shpirtit të tharmet e përhershme të njeriut të vdekun, pak pa dhanë shpirt, trimosh ose maratonomak.
Nëse asht e vërtetë ajo që thotë Kavafi se qytetit nuk kemi se nga t’i ikim, atëherë dashunia për nji qytet të vdekun i bie me qenë vetëm asgjasimi ynë. Tue ba divorc me qytetin, unë baj divorc me çdo kulturë që ndjesinë e përkatsisë ose faktin e vorfën regjistrues të vendlindjes në gjendjen civile e kthen në objekt erotizmi.