Një biografi e re e shkruar për Zonjën e Parë të Francës, Brigitte Macron zbulon mes të tjerash, se presidenti francez në moshën e adoleshencës ka shkruar një roman dashurie i frymëzuar nga romanca e lindur mes tij dhe mësueses së artit që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij, por në atë kohë ishte gruaja e një burri tjetër.
Presidenti francez Emmanuel Macron i cili mbushi 40 vjeç muajin e kaluar, u dashurua me Brigitte në provat e një akti teatral në shkollën e tij të mesme dhe sfidoi mos aprovimin e prindërve të tij për marrëdhënien me mësuesen 24 vjet më të madhe se ai në moshë.
Libri i titulluar “Gruaja e Liberalizuar” pritet të publikohet javën e ardhshme dhe përfshin në të dëshminë e një komshie të Macron që pranon se ka hedhur në kompjuter 300 faqe të romanit të shkruar me dorë që i riu Emmanuel e ka bërë i frymëzuar nga dashuria që ndjente për nënën e 3 fëmijëve Brigitte.
“Ishte një novelë e guximshme, pak klishe. Natyrisht emrat e personazheve nuk ishin të vërtetat, por mënyra si ishte shkruar tregonte se ai kishte nevojë të shprehej”- ka thënë ish-komshia e presidentit francez.
Mediat në Paris kanë kontaktuar Pallatin “Elysse” për të marrë një koment në lidhje me këtë pretendim, por nuk u është dhënë asnjë përgjigje duke ushqyer dhe më tepër idenë se ngjarja në fjalë ka ndodhur realisht. Në të shkuarën, Macron ka pranuar se i pëlqen të shkruajë dhe i pëlqen letërsia madje ka lënë të hapur mundësinë që dikur pas përfundimit të karrierës së tij politike të bëhet shkrimtar./ tiranapost.al