PREMIERA/ “Equus” si fytyrë e lirisë, skenë e trupa të përgjakur- Pse një aktor nudo në skenë

Normalja është një e qeshur në sytë e fëmijëve, është edhe një shikim i vdekur te miliona të rritur”. Kur Timo Flloko (Martin Dysard) shqipton këto fjalë, ka përballë Igli Zarkën (Alan Strang), 17-vjeçarin që ka verbuar 6 kuaj me çengel një mbrëmje vonë- për arsye që në fillim, nuk dihen.

Nga Fatmira Nikolli- GSH
Pyetjeve të psikiatrit Flloko (Dysard) në shfaqjen “Equus” të Peter Shaffer me regji të Dino Mustafiç, Zarka (Strang) u përgjigjet me këngë. Skena është një stallë e mbushur me kashtë- psikiatri dhe pacienti luajnë me njëri-tjetrin duke vënë në dyshim se cila botë, e cilit prej tyre është normale, dhe a kemi nevojë për një të tillë. Nis kështu trilli psikologjik, që udhëton në botën e brendshme të Alan Strang, një qasje drejt lirisë, adhurimit e jetës jashtë rregullave. Nis kështu edhe një hyrje “alla grande” për zbulimin më të ri në teatrin shqip: ai quhet Igli Zarka dhe në teatër do ta gjeni si Alan Strang- krejt i natyrshëm, me plastikën e duhur të pacientit të zgjuar që shpërfaq në më shumë se dy orë shfaqje aktrimin pa sforco – është djaloshi i pikasur nga Mustafiç, është gjetja e tij!
Një kujtim i vagullt i një kali të adhurueshëm në fëmijërinë e largët në bregdet- kalërimi si liri, fluturimi i Pegasit; zëvendësimi i pikturës së mundimeve të Krishtit në udhën e Kryqit me pikturën e një kali- shikimi i syve të birit të Perëndisë dhe “perëndisë” së re; një nënë besimtare fanatike dhe një baba krejt autoritar; një adoleshent që kalëron natën i zhveshur me kuaj të bardhë, që flet me ta, që i ndjen ata, që prek lëkurën e tij me të tyren, që ngatërron adhurimin me erosin- një botë e re, e vetja, e lirë, një mundim i gjatë dhe sekret!
“Equusi” i Dino Mustafiç që ka sonte në mbrëmje premierën në Teatrin Kombëtar i shfaq të gjitha: mendime të zhveshura, trupa të zhveshur, eros, pasion, dhunë, protestë ndaj shoqërisë, protestë ndaj korrupsionit, gjakpirjen e një populli nga drejtësia, mjekësia, mentaliteti; skena përgjaket, trupat përgjaken, gojët përgjaken dhe klithma e një të riu- çengeli në duart e tij, trupi i tij i zhveshur- godasin përballë hipokrizinë si normë të shoqërisë. Monologët e mrekullueshëm të psikiatrit- janë zhgënjimi i tij dhe i yni. Ndiqen natyralisht nga pafajësia e Igli Zarkës- liria e djaloshit është natyra dhe instinkti që vrasim përditë, reagimet e pafajshme. Kemi përballë jo vetëm Timo Fllokon e Igli Zarkën që qëndrojnë të barabartë- kemi përballë Apolonin dhe Dionisin, racionalen e arsyen përkundër irracionales e kaosit.
Shoqëria moderne i nxit njerëzit drejt çmendurisë, por nuk i pranon të çmendurit që shkelin caqet e rregullave të saj. Liria, është veçse një fjalë- i ndryshmi e i liri nuk kanë vend. “Equusi” i Peter Shaffer ngre dilema mbi shoqërinë moderne në Teatrin Kombëtar.
“Equus”, drama nga Peter Shaffer, vjen premierë në Teatrin Kombëtar në dt. 17, 18 e 19 mars, ora 19:00, me regji të Dino Mustafiç dhe interpretimin e aktorëve: Timo Flloko(psikiatri), Igli Zarka (Alan, pacienti), Ema Andrea(nëna e Alan), Arben Derhemi(babai i Alan), Krist Lleshi(e dashura e Alana), Luli Bitri(Gjykatësja), Lulzim Zeqja(pronari i stallës), Erjona Kakeli(infermierja) dhe Ermir Jonka(kalorësi). Me skena ‘baleti” nga Robert Muha, Fjorald Doci, Akreoma Saliu dhe skenograf Broz Dragutin, kostumografe Berina Kokona, koreograf Gjergj Prevazi e ass/regjisor: Melisa Becovic, me muzikë të Endri Sinës.
“Nëse do ta njihnit Zotin, do të dinit edhe për djallin. Djalli nuk bëhet nga ato që thonë nëna e babai, djalli është aty. Është fjalë e dalë mode, por është gjë e vërtetë. Ai ishte djali im, më pas erdhi djalli”- Ema Andrea, i drejtohet doktorit, mes hakërrimit, zhgënjimit e dhimbjes- nëna e Alan, është një besimtare e krishterë, grua e një burri ‘të padenjë’ me të cilin është martuar sepse “të tjerët s’do kishin ç’të thoshin’. Ben Derhemi është babai, pronar shtypshkronje- i largët me të birin, një burrë për të shoqen, dhe krejt larg fesë. Gjykatësja- njëherësh mikja e psikiatrit, Luli Bitri, është lidhja e mjekut me botën- krejt e pakënaqur nga ç’gjendet përreth, ajo pohon se ndershmëria e saj ka përballë korrupsionin e kolegëve; stallieri Lulzim Zeqja kërkon vrasjen e djalit, hakmarrje; infermierja Kakeli rrëfen se sistemi i shëndetësisë nuk funksionon dhe se lekët nën dorë a lidhja me mjekun janë normale. Në njërën prej mizaskenave, Kakelin, Zeqjan e Bitrin i shohim si gjakpirës vampirë me vigonë në damarë e buzë të përgjakura. Kemi një shoqëri të shthurur që në sipërfaqe do të duket normale. Por a ka në ta diçka normale? Një martesë për sy e faqe; një reformë, e një Vetting për sy e faqe; një sistem mjekësor për sy e faqe- të vetmen që e kemi të vërtetë- adhurimin- e shpërbëjmë, e zhdukim deri në fund. “Pasionet mund të shkatërrohen nga një doktor, por nuk mund të krijohen”, psikiatri nxjerr nga goja këto fraza para se të pyesë, në disa gjuhë: “Pse unë?”.


IGLI ZARKA: Të gjithë e kanë Alan Strangun brenda vetes, por e kanë vrarë

Katër vite më parë, Igli Zarka hyri në Akademinë e Arteve si student i Aktrimit. Ishte vetëm një mundësi, e vetëm një rastësi. Dhe qe krejt e rastësishme. Tani, është zbulimi i ri i teatrit, me Alan Strangun e “Equus”, ndërsa më herët ka interpretuar në filmin “Ana” të Ajola Dajës e “Kostumi” me regji të Lulzim Sulës.
“Jam përpjekur gjithmonë të bëj maksimumin edhe pse, shumë herë, as maksimumi nuk mjafton”, thotë një ditë para premierës. Vjen për herë të parë me rol kryesor në Teatrin Kombëtar. “Isha më fat që më thanë se Dino Mustafiç do vinte të bënte audicion. Ka qenë një lloj feeling me shikim të parë, ne hymë 60 veta në sallën e audicionit. Ai më pa e unë e pashë. Pas kësaj, çdo gjë në jetën time ndryshoi”.
Kur e pyes se “si ka qenë përvoja juaj për t’u bërë Alan Strang?”, Zarka thotë se “ka qenë një proces fantastik. Fantastik. Shumë ndryshe. Nuk u ndjeva unë i veçantë sepse luaja Alanin, apo dikush tjetër se luante Dysart, ishim të gjithë njësoj, si një trup i vetëm”.
Për herë të parë në teatër, në një shfaqje të ndaluar për moshën nën 16 vjeç, një djalë shfaqet lakuriq, dhe nuk është vetëm një mizanskenë. Është Igli Zarka. Para premierës, ka qenë prova gjenerale dhe një tjetër provë, kur ai në skenë ka luajtur si në një shfaqje normale. E pyes nëse ka qenë e vështirë për të. “Dje, kur u zhvesha lakuriq dhe ishte hera e parë për mua në skenë, ju e patë, i gjithë kasti më tha ‘bravo’, e kjo nuk ishte për performancën, por mbështetje. Kjo është e rëndësishme. Të gjithë e kanë Alan Strangun brenda vetes, por e kanë vrarë. Dhe duan të më vrasin edhe mua”.
Për Zarkën, roli ka qenë dashuri me leximin e parë. “Lexova pjesën në anglisht, fillova të lexoj dialogun e veprës. Në frazat e Alan Strang unë u dashurova me të. Dashuria nuk shpjegohet. E lexova dhe thashë ‘do ta bëj’. Kam shkruar diçka në ditar për atë ditë”.
Zarka thekson gjithnjë me kujdes se regjisori e ka ndihmuar shumë, hap pas hapi, çast pas çasti, duke e futur në jetën e personazhit çdo ditë, nga pak, nga shumë, me këmbëngulje. “Është e vështirë të luash në një vepër si kjo pa komplekse. Por ditë për ditë, ai ka punuar me mua, psiqikisht, fizikisht që unë të isha i fortë, për ta përballuar momentin. Nuk është fare e lehtë të dalësh lakuriq para njerëzve e të thuash ‘unë jam i lirë’. Është një ndjenjë lirie që unë do doja që të gjithë ta provonin, të thoshin ‘unë jam ky’. Nuk jam siç ti do të më shohësh, por kështu”.
Në vijim të punës me Dino Mustafiç, Zarka kujton se ka qenë një bashkëpunim fantastik me regjisorin, deri në pikën më të thellë të shpirtit. “Ti nuk ke më një zonë të zezë ku nuk di çfarë ka, ti e di çdo gjë dhe e di pse e bën. Dhe e bën me gjithë shpirt. Unë nuk e di si erdha deri këtu, por di që është meritë e Dinos, sepse më ka ndihmuar të ec në hapat e Alan, të një njeriu të lirë. I vetmi që e shijon lirinë aty, jam unë. Dhe në jetën normale është e vështirë të jetë i lirë”.
Pas shfaqjes, ku Alan është i lirë, do dalë çdo natë për t’u përballur me një shoqëri të kompleksuar. “Duhet të hapim portat e mendjes”, thotë Zarka, kur përballja e tij me publikun nuk ka nisur ende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *