Nga Dik DACI
Poezitë e vëllimit “Tempullii i Vetmisë” të autorit izraelit Zvika Szternfeld përshkohen nga një mendim shprehës që thyen konceptimin e tabuve që ekzistojnë dhe organizojnë në jetën e përditshme, siç na paraqiten konkretisht tradhëtia bashkëshortore (adulteria), karakteri dredharak i figurës së femrës dhe sjellja e saj ndaj të shoqit; sfida që bën ajo ndaj shoqërisë, me qëllim që të emancipohet, për të dalë nga jeta e saj e mbyllur/ introverse, që ka qenë primare për kulturën islamike. Ky mendim është një rrjet i ndërthurur burimor për t’iu kundërvënë kulturës dhe traditave zakonore. Humori dhe stili grotesk që përfton sarkazma janë mjaft të dendura dhe janë tipare tipare që përbëjnë lirshmërinë e përjetimit të një jetese pa pengesa, pa komplekse, për të arritur parimin e kënaqësisë. Pra mbizotëron filozofia e të kënduarit, dedikimit të mungesës si objekt kryesor, me anë të së cilës thuren vargje, bëhen përsiatje shumë të thella drejt kërkesës për të qenë më i natyrshëm në botën shpirtërore. Dominojnë edhe figurat që shprehin jo vetëm hapësira fizike, por që zgjojnë filozofinë e qenësisë, ekzistencës, lumturisë. Këto figura janë të ndërlidhura në mënyrë tronditëse, në formën e një mozaiku të larmishëm dhe të ndjeshëm emocionesh, të cilët e lartësojnë individin. Është e vërtetë që nuk i ngrihet kult fesë, por ndjenjave që përbëjnë thelbin e njeriut; tema e homocentrizmit (qendërzimi njerëzor) është vatror për çdo poezi. Shohim njerëz të dhënë pas pasioneve, që harrojnë gjithçka për të pasur besim te vetja e tyre; njerëz që meditojnë pandërprerë për të ardhmen e tyre; njerëz që përbuzin fenë dhe moralin, me idenë e përjetimit të një bote ideale, nuk e kanë perceptuar kurrë si pjesë të utopisë së metafizikes. Këto tablo plotësohen nëpërmjet efektit të tronditjes, ludikes, mëdyshjeve, tensioneve të brendshme që i udhëheqin në realitet. Poezitë janë të tejmbushura me përshkrime metaforike, sugjestionuese në kulm. Luhet me asosacionet që lindin nga funksionimi i shqisave, i ngjyrave, i aromave, i formave të shumëllojshme, në sintezë me praninë e objekteve rrethuese. Janë të dukshme edhe marrëdhëniet burrë-grua, të cilat marrin një trajtë të pazakontë, në xhelozi, hedonizëm, fyerje deri në mazohizëm, që zbulon gjithashtu edhe kompleksitetin e relacioneve të tilla në çift dhe botëkuptimin që kanë për nocionin e familjes dhe sakralitetin e saj. Në rrjedhën e logjikës, nënkuptojmë idenë e vdekjes niçeane të Zotit dhe e shijimit dhe të shfrytëzimit të vitalitetit që dyert e rehatisë së përgjithshme. Imagjinata e theksuar, prania e ekzotikës zgjon një atmosferë ngacmuese deri edhe mbytëse; gjendet edhe dashuria, edhe urrejtja; edhe flirtet edhe grindjet, edhe dëshira edhe dhuna, edhe guximi edhe frika, edhe mllefi për të shkuarën edhe ngulmimi për të tashmen. Jetohet një e tashme pa kohë, e konfiguruar si një e tashme e përjetshme, parajsore, të cilën nuk e përdhos e shkuara dhe as e cënon e ardhmja. Sepse koha është një kategori e pandalshme dhe intensive për gjithsecilin dhe askush nuk mund të bëhet zot i tij.