Nga Aurenc Bebja*,
Francë – 22 Janar 2017
Gazeta « L’Action française » me qendër në Paris, të shtunën e 6 marsit 1920, në faqen n° 3, ka botuar letrën e dërguar nga Federata Panshqiptare e Amerikës « Vatra ».
Shkrimi mban titullin : “Po Kombësia Shqiptare?”
Drejtuesit e gazetës ishin në dijeni për situatën në të cilën gjendej Shqipëria asokohe, por letra e dërguar nga Vatra u ka mundësuar atyre të jenë ende dhe më të qartë mbi momentet e vështira që po përjetonte Kombi ynë.
Si fillim do të gjeni rrëfimin thumbues të gazetës mbi grekët e serbët dhe në vijim mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare nga Vatra.
Rrëfimi i gazetës :
« Ne kemi marrë nga Shoqëria shqiptare Vatra letrën në vijim e cila vërtetëson vëzhgimet që ne kemi paraqitur disa herë këtu (në gazetë). Grekë e Serbë, që flasin për parimin e kombësisë në interes të tyre, e dhunojnë atë në mënyrë cinike kur bëhet fjalë për vende më të vogla se ato. »
Letra e Federatës Panshqiptare të Amerikës « Vatra » :
« …Në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Shqipëria u sakrifikua për të kënaqur orekset e vendeve ballkanike ; E gjithë fusha shqiptare e Kosovës dhe Maqedonia perëndimore me pothuajse një milion shqiptarë, dhe Epiri i jugut me krahinat e tij të pasura, u dhanë shteteve të vogla fqinje.
Të inkurajuara nga Rusia, Greqia shkatërroi jugun e Shqipërisë dhe bëri hi më shumë se 400 fshatra ; po ashtu Serbia shkatërroi rajone të tëra shqiptare mes Shkupit, Pejës dhe Ohrit.
Shqiptarët e kanë pritur Konferencën e madhe (Bëhet fjalë për Konferencën e Paqes në Paris, janar 1919 – gusht 1920) me qëllim korrigjimin e dëmeve që kanë pësuar. Kemi folur për drejtësinë dhe të drejtën e kombësisë.
Nëse riparimi i padrejtësive dhe dëmeve që Shqipëria ka pësuar në 1913 është i vështirë, të lihen të paktën kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës dhe t’i evitojmë asaj një copëtim të ri ; se Greqia dhe Serbia s’kanë aspak nevojë të zgjerohen në kurriz të Shqipërisë, ndërsa kjo e fundit nuk mund të copëtohet më tej pa pasur rreziqe serioze gjakderdhje (vdekje). »
Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : https://www.darsiani.com/la-gazette/letra-e-federates-panshqiptare-te-amerikes-vatra-drejtuar-gazetes-l-action-fran%C3%A7aise-mars-1920/