Nga Fatmira Nikolli
Vlashi, Kristofori, Gjergji, Vidi dhe Deni mbajnë pesë emra shenjtorësh. Në shfaqje, “Pesë djelmoshat”, bëhen bijë të dhunës. Shpërfaqin shoqërinë e sotme, duke projektuar imazhe të jetuara në familjet e tyre. Të mbyllur në një ambjent sekret, një të shtunë, përmes lojërave eksplorojnë problemet e shoqërisë: dhunën në familje, dhunën seksuale, homofobinë, hierarkinë e grupeve shoqërore, duke e (zh)bërë kufirin mes lojës e realitetit veçse një vijë të hollë.
Loja ndodh të ndërpritet nga komplekset vetiake, skenat bëhen kurthe që zbulojnë se ata po sjellin përvojat e tyre.
Nga superheronjë irealë hollivudi, në ‘lojën shpijash’; nga neonaziste dhe homoseksualë në mospranues të feve të tjera, pesë të rritur mishërojnë pesë 10-11 vjeçarë në shfaqjen “Pesë djelmoshat” me regji të Helidon Finos. Teksti i dramaturges sllovene Simona Semenic, vjen pothuaj i plotë, nëse lëmë mënjanë redaktimin e shprehjeve të pista të së folmes së përditshme.
“Veprat është e destinuar që të luhet nga aktorë profesionistë. Ajo na bën të kthejmë sytë nga fëmijët për të parë si reagojnë ata, si na imitojnë ata”, tha regjisori.
Pjesa e parë që për një brez mbi të 30-at mund të jetë e lodhshme, për të rinjtë mund te jetë pasqyrimi i vetes. “Loja shpijash” sjell një familje të zakonshme ku dhuna i ngjan një piramide- babai dhunon nënën, nëna fëmijët. Skena ndiqet nga marrëdhënia (intime dhe me detyrim) burrë-grua e parë nga fëmijët, marrëdhënia intime mes të njëjtit seks me lente paragjykimi e masakra ndaj besimtarëve të Hare Krishnas(sekt hindu).
AKTORET
Neritan Liçaj (Kristofori) e përballon mirë peshën e personazheve, duke arritur të përcjellë gjendje të ndryshme njerëzore në një kohë të shkurtër. Ai mishëron personazhe të ndryshme duke kaluar me lehtësi nga një rol në tjetrin, krejt natyrshëm: hero, nënë e dhunuar, djalë gay. Kristofori i tij është fëmijë, e vetëm një çast më pas bëhet nënë e dhunuar duke sjellë më së miri plastikën e një gruaje nga Ballkani: që mallkon të bijtë, që i dhunon të bijtë dhe pëson dhunë nga bashkëshorti. Nuk është asnjë surprizë suksesi i Liçajt në mbajtjen e kësaj peshe. Nuk është e vështirë ta pikasësh atë në çdo shfaqje që merr përsipër. Është një ndër ata aktorë që ka krijuar një galeri të madhe personazhesh, duke sjellë mjeshtërisht role të ndryshme nga vetja, pavarësisht regjisë- puna e tij me rolin dallohet që në batutat e para.
Laert Vasili(Denisi) ka mundur të realizojë rolin e tij më të mirë të këtyre kohëve: hero, i llastuar, i vogli i familjes, babai që zhgënjehet nga i biri homoseksual, gruaja që refuzon të ketë marrëdhënie intime me të shoqin dhe policin- të gjithë bashkëjetojnë duke i lënë mjaftueshëm hapësirë njëri-tjetrit të dalë në pah sipas historisë së rrëfyer.
Genti Deçka (Vidi) pikaset sidomos me rolin e vajzës të cilën as nuk do ta luajë, edhe pse sjell para shokëve motrën e munguar në shtëpi. Përtej bishtalecave a grimit, Deçkës i shkon për shtat roli. Ai interpreton edhe homosekualin e dytë, ndërsa në të ardhmen do martohet katër herë, me tre femra e një mashkull.
Genti Hazizi (Gjergji) është djaloshi i madh që mëson, heroi dhe një nga neonazistët. Plastika e tij përputhet me djalin e madh e të painteresuar të familjes si edhe me neonazistin. Aktori nuk e fshehu kënaqësinë për një rol me rëndësi në Teatrin Kombëtar, duke vënë në dukje se deri më tash ka qenë në role të vogla.
Dritan Boriçi (Vlashi) është djali i drejtorit. Në mbyllje të shfaqjes lajmërohet se ai do të bëhet drejtor, ndërsa përgjatë saj, sjell babain e dhunshëm, autoritar dhe të riun që do ndjekë gjurmët e të atit.
Skenografia e kostumografia e Berina Kokonës, janë të thjeshta. Nuk ka ndryshime tërësore të skenës- 5 ‘kubet’ e 5 djemve (të formuara me pjesë që shpërbëhen) sipas ngjyrës së veshjeve të tyre(pantallona të shkurtra, atlete e një bluzë) përshtaten me ngjyrën e rrobave dhe ndryshojnë pozicion sipas nevojës skenike- duke u kthyer herë në ‘barrikadë’, e herë në ndenjëse, derisa bëhen vendi ku vriten besimtarë.
Kjo është ndër të paktat shfaqje me konsulent psikolog. Kliton Zguri ka qëndruar pranë aktorëve gjatë punës për rolet. “Nuk ndodh me regjisorë shqiptarë. Zakonisht të huajt sjellin psikolog apo teatrolog sipas nevojës”, tha Liçaj. Një falenderim i madh shkoi për Ema Andrean që sipas kastit është marrë gjatë me plastikën dhe ka qenë për të një ndidhmë e madhe, por vetë Ema nuk ishte e pranishme për të shpjeguar më konkrektisht se cilat veprime skenike qenë produkt i punës së saj. Helidon Fino rrëfeu se ka rënë në kontakt me veprën gjatë Festivalit “Unë quhem ballkan” të Ema Andreas.
Buxheti pa shifër
Shfaqja mbështetet nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe disa kompani private. Ajo ka ardhur në teatër si projekt privat jo si pjesë e kalendarit të Teatrit Kombëtar. Regjisori nuk dha shifër të shumës me të cilën është mbështetur, edhe pas interesimit nga media. Shfaqja është në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fundjave dhe tjetrën në orën 19:00.